Të hënën nis pelegrinazhi në malin e Tomorrit dhe policia e Beratit ka marrë masat për mbarëvajtjen e këtyre festimeve që zgjasin nga 19 deri më 25 gusht.
“Do të rritet prezenca e shërbimeve të Policisë Rrugore në akset kryesore, për përballimin e fluksit të automjeteve, orientimin dhe marrjen e masave ndaj përdoruesve të rrugës me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve gjatë periudhës së pelegrinazhit për në “Malin e Tomorrit”. Janë marrë të gjitha masat për bllokimin e mjeteve të tonazhit të lartë si dhe janë vendosur tabela kufizuse për mjetet mbi 3.5 ton, gjithashtu janë marrë masa dhe për përcaktimin e vendqëndrimeve të automjeteve të Personaliteteve të Larta Shtetërore, pelegrinëve dhe Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes së automjeteve”, thotë policia e Beratit.
Autoritetet këshillojnë të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke evituar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, gjithashtu për drejtuesit e autoveturave këshillojmë se rruga më e përshtatëshme për tu ngjitur në Malin e Tomorrit është aksi Poliçan-Çorovodë-Gjerbës-Teqe.