Nga Andrea Ndreu
Në dëshminë e tij, Hoyt Brian Yee, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, përpara Kongresit Amerikan, tha se në vendet e Ballkanit ekziston një përpjekje e Rusisë për të rritur ndikimin me mjete politike dhe ekonomike, kryesisht duke hapur qendra të ashtuquajtura “humanitare” apo “kulturore”. Dhe sigurisht që për këtë deklaratë, përpara përfaqësuesve kongresmenë, diplomati i lartë amerikan, ka patur informacionet e sakta dhe të konfirmuara në shumë burime.
Nga synimet e rritjes së ndikimit rus në Ballkan, natyrisht, që përjashtim nuk do të bëjë Shqipëria, madje ajo do të jetë më në qendër të vëmendjes, pasi është populli më proamerikan në rajon dhe jo vetëm.
Në rastin e Shqipërisë, metoda e përdorur nga rusët është e njëjta, me atë që është denoncuar tashmë në Amerikë. Kështu, nga investigimi gazetaresk që kam bërë, nën financimin dhe kujdestarinë e ambasadës ruse në Tiranë, është hapur një qendër “kulturore”, pikërisht përballë Prokurorisë së Përgjithshme, një prej institucioneve që duhet t’i hetojë rastet e cënimit të rendit kushtetues. Kjo qendër “kulturore” ka afruar të rinj dhe njerëz të tjerë, të cilët kanë nëvojë për ndihma “humanitare” dhe u jep atyre, përveç mbështetjes, edhe kurse të rusishtes, të kulturës dhe traditës ruse.
Në çdo sallë të kësaj qendreje “humanitare”, sipas fotove që disponojmë, mbizotëron portreti i presidentit rus, Vladimir Putinit, a thua se kjo qendër është zyrë shtetërore ruse, dhe jo organizatë “humanitare”, me gjasme jo qeveritare. Frika e Putinit, dhe dhënia e urdhërit për mbylljen e të gjitha shoqatave perëndimore në Rusi, është pikërisht, sepse ai e di shumë mirë, se këto qendra kulturore janë pika të përhapjes së ndikimit të qytetërimeve më të fuqishme sot në planet. Por, duke përfituar nga demokracitë e vendeve perëndimore, atë që ndalon në vendin e vetë, pasi e di që është maksimalisht rezultative, e bën në vendet e atyre popujve, të cilët do t’u ndërrojë mentalitetin nga proamerikan apo proeuropian në prorus.
Dhe kjo histori ka shekuj që bëhet, pasi qytetërimet më të mëdha e kanë karakterin ekspansiv, qysh prej popujve të lashtësisë, por thjesht kanë ndryshuar mënyrat, dikur bëhej me shpatë dhe me luftë, sot bëhet me investime, blerje pronash dhe shoqata kulturore. Ndërsa në rastin e kombeve fetarë, pra që kanë në qendër të kulturës dhe qytetërimit të tyre, një fe zyrtare dominante, përveçse shoqatave, përdoret edhe feja për përhapje të qytetërimit përkatës. Në rastin e ekspansionit kulturor rus në Shqipëri, feja që përdoret për këtë qëllim është ortodoksizmi, dhe institucioni që i shërbën këtij qëllimi është Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, dhe disa eksponentë të lartë të saj.
Kështu, nga burimet e brendshme dhe që duan të mbeten anonimë, për shkak të brishtësisë së çështjes, jemi njoftuar për vizita të herë pas hershme të punonjësve të ambasadës ruse në Tiranë, madje shpesh edhe vetë makina e ambasadorit është parë të hyjë jo rrallë këto kohët e fundit, në selinë e KOASH-it, duke ia kaluar për nga intervali kohor, edhe vizitave të shpeshta të ambasadorit grek.
Së dyti, punonjësit e Mitropolisë në Tiranë, na bëjnë me dije për peshkopin grek, Natanelin, që është caktuar nga Janullatosi si përgjegjës për marrëdhëniet me ambasadën ruse, siç ekziston edhe i ngarkuari përkatës për marrëdhëniet me ambasadën greke, nga e cila shkon çdo javë informacion konfidencial diplomatik, i cili i jepet në dorë vetëm Janullatosit.
Së treti, ambasada ruse, ka filluar e bën dhurata të veshjeve klerikale dhe stolive kishtare, me ritin rus dhe po bëhen bisedime për të ngritur në territorin shqiptar kisha të stilit rus, kryesisht nga veriu i Shqipërisë, në fshatrat me pakicë malazeze, me gjasme për të respektuar të drejtat e tyre për të patur ritet në gjuhën sllave, në kisha të ritit sllav. Teshat klerikale të stilit rus dallohen nga ata që e kanë të stërvitur syrin me këto elementë karakteristikë, mes artit bizantin dhe atij rus, brenda ortodoksisë. Të këtilla i vesh edhe peshkopi i Korçës, i cili kryeson edhe delegacionet e kishës shqiptare, sa herë që ftohen në Rusi, në shoqërinë e Natanelit dhe nipit të tij, at Bertit.
Së katërti, vetë peshkopi grek, Stergios, ka këshilluar dhe udhëzuar me nota të forta spirituale, ndjekësit e tij, që të shkojnë dhe të mbushin klasat dhe ambjentet e kësaj qendre kulturore dhe humanitare, se kështu bëhet edhe më i kënaqshëm në sytë e ambasadorit rus, i cili, kohët e fundit i ka bërë shumë dhurata, që nga kurorat peshkopale dhe skeptrat mbretërorë, deri në varëset e praruara me ar e argjend që tradicionalisht e me tepri përdorin klerikët ortodoksë.
Së pesti, festivalet me të rinj rusë, e me katiushka e me folklor e kulturë ruse, kanë një shpeshtim jo normal, kohët e fundit në qendrën kulturore të Katedrales ortodokse në mes të Tiranës, krahas aktiviteteve kulturore greke, të cilat ishin të zakonshme deri më sot. Gjithashtu, ambasadori rus, personalisht, i ka dorëzuar mijëra kopje librash letrarë e fetarë të literaturës në gjuhë ruse, seminarit të priftërinjve në Durrës, libra që i mori në dorëzim, me urdhër të Janullatosit, peshkop Nikua i Fierit, që është drejtor i shkollës.
Kështu, këto informacione dhe të tjera që disponojmë dhe mbas verifikimeve të duhura, do t’i vëmë në dispozicion të publikut, na çojnë në përfundimin e frikshëm se ndikimi rus në Shqipëri po forcohet çdo ditë e më shumë nën hundën e prokurorisë së përgjithshme, dhe që shteti shqiptar, i zënë edhe me ethet e fushatës elektorale, nuk e ka mendjen të marrë masat e duhura. Për fat të keq, një nga institucionet më me vlerë kombëtare siç është Kisha Autoqefale, nën drejtimin e prelatit grek Janullatos, përveç ndikimit grek që është vërtetuar katërcipërisht dhe njihet botërisht, po bëhet edhe mjet propogande, edhe e ekspansionit të filozofisë sllavo-ortodokse në Shqipëri.
Siç duket me pakësimin e fondeve nga shteti grek në krizë, dhe me rritjen e investimeve nga Federata Ruse që nuk i kursen paratë për mbajtjen e qendrave “kulturore” dhe “humanitare” të dyshimta nëpër vendet e Ballkanit, edhe Kisha ortodokse, ka rënë pre e krizës së shtetit që e ka financuar deri më sot. Ky shkrim ka si qëllim, përveç denoncimit me fakte dhe emra të kësaj veprimtarie proruse në mes të Tiranës, të sensibilizojë dhe të ngrëjë ndjeshmërinë edhe të organeve ligjzbatuese që kanë si qëllim ruajtjen e integritetit dhe rendit kushtetues, si edhe orientimin properëndimor të shtetit tonë, të marrim masat e duhura, për ta dokumentuar këtë veprimtari antikombëtare dhe nëse është e mundur, për ta neutralizuar atë, sa nuk është tepër vonë, derisa destabilitetet që po provojnë vendet fqinje, të mos na kenë goditur edhe ne.