Nga Lorenc Vangjeli
Të shtunën ish-kryeministri akuzoi një emër të njohur të kronikës së zezë si Shullazi se kishte kërcënuar një nga kandidatët për rektor të Tiranës.
Me të njëjtin stil, por kësaj here jo natën, jo në errësirë dhe jo në mënyrë anonime, u kërcënua edhe kryeministri i vendit, Edi Rama. E kërcënoi paraardhësi i tij. Njëlloj siç kishte bërë dhe nja pesë vjet më parë, në dimrin e ashpër të 2011-ës kur e paralajmëroi se do të ishte ai fajtor për gjithë çfarë do të mund të ndodhte në Tiranë, në ditët e pas 21 janarit.
“Dale, dale se nuk keni parë gjë akoma”. Fraza e famshme e Ramës në Parlament, ditën kur lexonte programin qeverisës përballë një opozite që bërtiste, u lexua prej saj vetë si një kërcënim tipik i kryeministrit. Si revansh. Si hakmarrje për çfarë i kishin bërë personalisht kur drejtonte opozitën. Si një paralajmërim se çfarë do t’i bënte ai opozitës.
Një politikan i djathtë që ka qenë disa herë subjekt i kërcënimeve dhe dhunës nga të tjerë, mbërrin në kulm, kur vetë Ramës i profetizon një fund si Benito Musolini.
Në sallën e Parlamentit dëgjohen shpesh replikat kërcënuese të tipit: Mos e kruaj me mua sepse…! Garda e Republikës në shumë më shumë se një rast ka ndërhyrë për të mbrojtur me trup deputetë që vihen nën kërcënim fizik nga deputetë të tjerë.
Qeverisjet e vendit e kanë shumë të thjeshtë si rregull të besojnë se vetëm shtrëngimi në ekstrem i legjislacionit dhe kërcënimi me burg e gjoba marramendëse mund të edukojë “qytetarin kuturu” shqiptar, të pamësuar me “kravatën” e shtetit në qafë. Burg nëse ndërton pa lejë, burg nëse nuk paguan energjinë elektrike.
Çifte policësh në mbrëmje, edhe në rrugica mes pallatesh në periferi, shëtisin me blloqet e gjobave në dorë dhe shkruajnë e gjuajnë me pasion, njëlloj si përgjuesit e çifteve, makina në kundravajtje. Edhe aty ku nuk i prishin asnjë punë askujt, edhe aty ku tabelat ose mungojnë, ose dhe kur ekzistojnë, janë më absurde se vetë absurdi. E mbushin me epsh fletën e gjobës dhe e ngjisin në xham me shprehjen: parko sërish këtu se sërish këtu na ke!
Në familjet shqiptare nuk është tabu që të luhet me ruletën ruse: E bëre keq? Ta plasa syve! Viktimë nuk janë vetëm fëmijët. Viktimë janë si zakonisht më të dobtit që kërcënohen nga më i forti dhe nga pozita e forcës. Gratë, për shembull.
Eshtë një pamje familjare në rrugë: dy shoferë që gërvishtin makinat në trafik e kanë të thjeshtë formulën që sipas rregullit nga i forti tek i dobti shkon me shkrehjen: Paguaj dëmin ose të morra shpirtin!
Shullazi nuk bën përjashtim nga kjo kulturë kërcënimi. Emri i përmendur nga Berisha si mik i Ramës, kur e djathta ishte në pushtet, raportohej nga media se kishte kërcënuar deputetë socialistë në aktivitetet e tyre politike. Sot, ai është zyrtarisht nën akuzë për zhvatje përmes kërcënimit të një numri biznesmenësh. Por, ai është pjesë e kronikës së zezë. Gjithë rastet e tjera quhen politikë. Ose marrëdhënie “normale” në familje. Ose luftë për të rivendosur autoritetin e shtetit. Aq sa gjithkush mund të ndjehet kaq familjar me kulturën e kërcënimit. Dhe që nuk para bën përshtypje. E kundërta po! Për fat të keq! Por e keqja është drejtëz: ajo zgjatet pafund. Dhe e keqja shkon në ekstrem, nëse kjo kulturë kërcënimi shkon dhe në majë të sistemit arsimor. Nuk ka gjë më të rëndë se dy profesorë – sa për të marrë një shembull – që shihen sy ndër sy si pistolerët e Perëndimit të Egër. Dhe qëllojnë në të njëjtën kohë për të vrarë… shpresën për nesër.
/javanews.al/