Mijëra izraelitë kanë marshuar nëpër rrugët e Tel-Avivit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Benjamin Netanyahu, për shkak të akuzave për korrupsion.
Policia izraelite ka njoftuar mbrëmë se mijëra njerëz në qendër të Tel-Avivit, kanë protestuar kundër qeverisë, duke mbajtur mbishkrime për dorëheqje të “ministrit të krimit” dhe të anëtarëve të tjerë “të korruptuar” të qeverisë Netanyahu.
Kohëve të fundit kryeministri Netanyahu e ka kritikuar policinë, duke e akuzuar se ka kryer hetime kundër tij me qëllim që ta përmbys atë nga posti aktual.
Netanyahu është marrë në pyetje së paku shtatë herë në kuadër të dy hetimeve për korrupsion të mundshëm, përfshirë akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.