Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës që ai të lirohej nga burgu, edhe pse nga ana e avokatit të tij u ofrua një shumë prej 50 mijë eurosh garanci.
Avokati Kujtim Cakrani deklaroi se donin që lirimin nga qelia kundrejt një garancie pasurore t’ia bënin edhe si dhuratë Ilir Metës për ditëlindje.
Në një prononcim për mediat, Cakrani deklaroi se nuk ka më arsye pse Ilir Meta të qëndrojë ende në bodrumet e 313.
“I vendosëm në dispozicionin shumë e caktuar, deri në 50 mln lekë dhe gjykata nuk arriti të ngrihej në lartësinë. Eci mirë seanca, por në momentin e fundit ndryshoi gjithçka. Ne do vazhdojmë betejën tonë, do bëjmë kërkesën edhe kur çështja të kalojë në themel. Jemi në rrugën tonë për të zëvendësuar masën ndaj presidentit. Aty ishim për arsyet pse duhet të qëndrojë presidenti në bodrumet e 313.
Unë ja kërkova gjyqtarit, i thashë sot t’ia bëjmë dhuratë presidentit, nuk ka mundësi për prishje prove apo intimi im dhe ia kërkova që ti bënim një dhuratë. Por lufta jonë nuk mbaron këto”, tha avokati.
Avokati u shpreh se Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa shprehur bindjen se ai do të lirohet nga burgu.
“Ai e ka humbur besimin në seancat dhe kërkon vetëm përballje në themel. Meta do lirohet sepse jemi në betejë dhe nuk tërhiqemi nga kërkesat tona”, tha avokati Cakrani.
Seanca për zëvendësimin e masës përkoi sot me ditën e ditëlindjes së Ilir Metës, 57 vjetorin, ndërkohë javën e ardhshme pritet të nisë gjyqi në themel i dosjes ndaj ish Presidentit Ilir Meta, ish bashkëshortes, Monika Kryemadhi, nënës së saj Fatime Kryemadhi, dhe ish zyrtarët Pirro Xhixho dhe Ema Coku, në kuadër të hetimit për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie, lidhur me aferat Cez Dia dhe lobimin e LSI në SHBA.








