Ish kryeministri Sali Berisha e konsideron projektin e Portit të Durrësit si një akt madhor të krimit ekonomik, por edhe si një akt mafioz. Në fjalën e tij mbajtur para deputetëve demokratë, kreu i PD hodhi tjetër akuzë ndaj Lulzim Bashës, duke thënë se “Rama shkriu aksionet me ish-liderin e opozitës për të plaçkitur shqiptarët”.
Berisha deklaroi se menaxheri i Emaar vazhdon të jetë edhe menaxher i Bashës, ndërkohë që tha se nuk ishte e vërtetë ajo që deklaroi se kishte dhënë dorëheqjen si menaxher i Bashës.
Lexo edhe: Berisha: Ja si po abuzon qeveria me çmimin e energjisë
“Çështje tjetër e rëndësishme e rendit të ditës është afera mafioze korruptive, më e madhe ndoshta jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe Evropës, Porti i Durrësit. Porti i Durrësit përbën aktin më madhor të krimit ekonomik të një organizate të strukturuar kriminale me të cilën shqiptarëve u plaçkitet pasuria numër një. Përben aktin mafioz në të cilën Edi Rama shkriu aksionet dhe me ish kreun e opozitës, për t’i bërë gjëmën shqiptarëve dhe pluralizmit politik.
Duhet të sqarojmë shqiptarët se kur mediat njoftuan se menaxheri i Emaar dhe menaxheri i kompanisë familjare Basha ishte i njëjti person, çfarë ndodhi? Unë nuk po bëj politikë. Ky menaxher doli dhe tha se unë dhashë dorëheqjen nga kompania Basha. I pari unë besova se dha dorëheqjen, por unë dhe ata që besuam se kjo ndodhi, gabuam. Kjo nuk kishte ndodhur dhe ishte një mashtrim. Një muaj më vonë, ky dopio menaxher u gjet se vazhdonte detyrën në kompaninë Basha. Dopio menaxheri nuk dha dorëheqjen nga Emaar, ai tha se dhashë dorëheqjen nga Basha. Por në fakt ai vazhdonte menaxher i të dy kompanive.
Ky përbën një akt shekspirian në kuptimin e gllabërimit të opozitës në një aferë të tmerrshme mafioze. Është aspekti i tretë shumë i shëmtuar për portin e Durrësit”, theksoi Berisha.