Lamisha Musonda, një ish-lojtar i akademisë së Çelsit ka zbuluar se i kanë mbetur vetëm disa ditë jetë dhe se po lufton me një sëmundje të rëndë.
33 vjeçari, iu bashkua Çelsit nga Anderlehti në vitin 2012 së bashku me vëllezërit e tij Tika dhe Çarli, dhe kaloi dy vite në skuadrat e akademisë së klubit përpara se të kthehej në Belgjikë për të luajtur me Meçelen.
Mesfushori, i cili bëri nëntë paraqitje për përfaqësuesen U21 të Belgjikës mes viteve 2011 dhe 2013, më pas luajti për skuadra të ligave më të ulëta në Spanjë si Llagostera dhe Palamos, si edhe për ekipin kongolez Mazembe.
Ai u tërhoq nga futbolli profesionist në fund të të 20-ave. Pesë vite pas tërheqjes nga futbolli, Musonda ka publikuar një deklaratë prekëse për të konfirmuar se është i sëmurë rëndë dhe se nuk pret të jetojë edhe për shumë kohë.
“Teksa e kuptoj se më kanë mbetur vetëm disa ditë, kuptoj gjithashtu se kam pasur shumë njerëz pranë meje dhe gjithmonë do t’i çmoj kujtimet. Jeta është e vështirë, por pamja është e mrekullueshme.
Jeta përbëhet nga ngritje dhe rënie dhe askush nuk mund ta kuptojë vërtet dhimbjen që përjeton.
Këto dy vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira dhe sfiduese për mua. Me trishtim të madh njoftoj se po përpiqem të rikthej shëndetin tim.
Kjo është arsyeja pse kam munguar në rrjetet sociale. Duhet të përballem me faktet, shëndeti im është kritik dhe tani po luftoj për të mbijetuar.
Ndihma dhe lutjet tuaja do të jenë një mbështetje e madhe gjatë kësaj kohe. Familja ime dhe unë po luftojmë dhe nuk do të dorëzohem deri në frymën e fundit.
Kam pasur fatin të kem një fillim jete të bukur dhe ende kam shumë për të ofruar. Por ka kaq shumë njerëz të mrekullueshëm që do të kisha dashur t’i falënderoja personalisht dhe fakti që ndoshta nuk do ta kem këtë mundësi më trishton thellësisht”, ka shkruar Musonda në “Instagram”.
gijotina.com/










