Pas mbytjes së krenarisë së flotës ruse në Detin e Zi më 14 prill, Moska ende nuk ka pranuar se një numër i madh i ekuipazhit ka humbur jetën. Sipas raportimeve më të fundit të shërbimeve të inteligjencës ukrainase, Rusia kreu një operacion sekret për të tërhequr trupat e atyre që humbën jetën. Operacion përfshiu shtatë anije.
Një hap i tillë, sipas Daily Mail, vjen pas pretendimeve se anëtarët e ekuipazhit u lanë të mbyteshin, ndërsa “oficerët ikën nga anija si minjtë”.
“Ata morën trupat, hoqën të gjitha pajisjet e klasifikuara dhe pastruan këtë kryqëzor. Ata morën atë që nuk duhej të binte në duart e një vendi të tretë”, tha Vadym Skibitskyi, zëdhënës i drejtorisë kryesore të inteligjencës të ministrisë së mbrojtjes së Kievit.
Operacioni i tmerrshëm i raportuar për të tërhequr të trupat e personave të cilët kanë humbur jetën, erdhi në mes të zemërimit në rritje nga të afërmit e ekuipazhit mbi një mbulim të supozuar nga autoritetet ruse mbi fatin e shumë marinarëve, një pjesë e madhe e të cilëve ishin rekrut.
Një baba që drejtonte fushatën, Dmitry Shkrebets, 43 vjeç, tha: “Nuk kishte asnjë përpjekje shpëtimi. Oficerët ikën nga anija si minjtë, marinarët u braktisën. Putini do të përgjigjet personalisht. Ai është mësuar të gënjejë”, është shprehur ai.
Dmitry humbi djalin e tij 20-vjeçar në këtë anije.
“Doni të dini pse nuk kishte të mbijetuar të plagosur rëndë nga Moskva? Sepse ata i fundosën së bashku me kryqëzorin. Ata nuk mund ta tërhiqnin anijen për në Sevastopol, sepse të gjithë do ta kuptonin se çfarë ndodhi, kështu që brenda natës nga 13 deri në 14 prill ata e tërhoqën atë më në jug dhe e fundosën. ‘Kjo është e vërteta e zhveshur. E vërteta e frikshme, e tmerrshme, dhe unë do ta vërtetoj atë. Koha do të kalojë dhe unë do ta vërtetoj këtë. Shikoni kafshët e tmerrshme që kemi si autoritete tona”, është shprehur ai.
Dmitry konfirmoi se djali i tij ishte një rekrut i cili nuk kishte nënshkruar një kontratë si anëtar karriere i marinës, si shumë të tjerë në anije.
“Dhimbja është e pandalshme. Nëse Yegor do të kishte nënshkruar një kontratë, unë do të kisha heshtur, sepse kjo do të thoshte se ai ishte i stërvitur dhe gati për luftë, por ai nuk e bëri, dhe ka shumë si ai. Rrethanat e vdekjes së tyre janë të tmerrshme, ata u tradhtuan dhe u lanë të vdisnin.
Do të vijë koha dhe unë do të publikoj një hetim të madh për atë që ka ndodhur. Mund të them një gjë tani: personat të gradave të larta janë fajtor në lidhje me atë se çfarë ndodhi atje.
Aty ka tradhti dhe shkujdesje. Do të them më shumë për të më vonë, nëse jetojmë për ta parë. Unë nuk jam armiku i vendit tim”, shtoi ai.