Votuesit në të gjithë Shqipërinë i janë drejtuar Qendrave të Votimit prej orës 07:00 deri në orën 20:00 të kësaj të diele, me një nivel të ulët të pjesëmarrjes me 45,17 %.
Kodi Zgjedhor parashikon që votimi të mbyllet në orën 19:00, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin për të shtyrë 60 minuta mbylljen e votimit.
Pjesëmarrja e ulët në këto zgjedhje ishte shkaku që KQZ mori këtë vendim, duke e justifikuar me Bajramin dhe temperaturat e larta megjithatë shtyrja me një orë nuk ka ndikuar në rritjen e numrit të votuesve.
Ashtu si fushata elektorale, edhe procesi zgjedhor është konsideruar i qetë, megjithatë incidentet kanë qenë pjesë e pandashme në shumë Qendra Votimi.
Si incidenti më i rëndë është cilësuar dhunimi i një militanti të LSI në një Qender Votimi në Shëngjin.
Pasi u dëgjuan të shtëna me armë, militantë të Partisë Demokratike kanë goditur në kokë me tytën e pistoletës Florian Dushkun.
Ndërsa një nga shkeljet që është konstatuar më shpesh ishte fotografimi i votës, ku 3 persona janë arrestuar dhe rrezikojnë të dënohen 1 deri në 3 vjet burg.
Megjithatë të shumta kanë qenë fotografitë e fletëve të votimit të publikuara në rrjetet sociale.
Mosrespektimi i heshtjes zgjedhore është një tjetër element i kritikueshëm i këtyre zgjedhjeve, ndërsa në ditët në vijim do të bëhën të ditura masat për subjektet zgjedhore apo mediat që kanë bërë këtë shkelje.
Ora 18:20/ Demiraj thirrje partive: Mbështesni policinë
Duke marrë shkas nga incidenti në Lezhë dhe tensionimi i situatës në Shkodër, Berat dhe Lushnje si pasojë e aktivizimit të grupeve me tendenca kriminale, Ministri i Punëve të Brendshme Dritan Demiraj, u bën thirrje subjekteve politike në këtë garë elektorale të mbështesin Policinë e Shtetit në zbatimin e ligjit për të garantuar procesin e votimit dhe të numërimit.
Ministri Demiraj inkurajon qytetarët që nëse kanë informacione për raste të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën të informojnë në numrin 08009090 ose/dhe 069 413 7777. Sakaq, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pas inspektimeve në Elbasan dhe Shkodër, ka mbërritur në Vlorë ku është takuar me prokurorin e qytetit bregdetar.
18:20/LSI shpall fitoren pa përfunduar ende votimi
Ndonëse ka ngelur dhe pak më shumë se një orë nga mbyllja e afatit zyrtar për të votuar, LSI-ja në Sarandë ka ‘shpallur’ fitoren në disa bashki.
Dega e LSI-së në qytetin bregdetar bënë me dije se kjo forcë politike është në prag të fitores për të dalë forcë e parë në Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol dhe Himarë.
“LSI është në prag të fitores së madhe për të dalë forcë e parë në Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol e Himarë! Prandaj, në kohën e mbetur deri në mbyllje të kohës së votimit, shpejtoni që të jepni votën tuaj për të shpëtuar Shqipërinë nga kthetrat e krimit dhe të bandave të kanabisit!
Eja dhe voto!
Voto edhe ti!” – citohet në mesazhin e LSI-së së Sarandës në ‘Facebook’.
Ora 17:45/ Ndalohet sekretari i LSI-së u kap duke blerë vota
Policia e Korçës ka shoqëruar për në ambientet e komisariatit, shtetasin Pajtim Myrtollari sekretar për LSI-në në Këshillin Bashkiak, pasi u kap duke blerë vota. Ky është lajmi i fundit që vjen nga Komisionet Vendore Zgjedhore, çka përbën edhe rastin e disatë sot kur shtetas të ndryshëm të lidhur me partitë politike janë kapur duke influencuar në shitje-blerjen e votave.
Ora 17:00/ Kukësi qarku i dytë me të shtëna armësh
Një incident i rëndë ka ndodhur në orët e pasdites, këtë herë në Kukës.
Burime policore bëjnë të ditur se një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë brenda një lokali në fshatin Novosej të Kukësit. Incidenti ka ndodhur në lokalin në pronësi të Dashamir Toçillës, në Novosej të Kukësit, ndërsa nuk raportohet për të lënduar. Policia është nisur drejt vendit të ngjarjes, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Ora 16:22/ Pjesëmarrja në zgjedhje – 35.78%
KQZ publikon shifrat e përqindjes së pjesëmarrjes në votime, deri në orën 13:00, në të gjitha qarqet. Në total, në rang vendi, pjesëmarrja në votime është 25.69%.
Ora 15:00/ Zguri: Procesi po shkon mirë, liderët politikë të respektojnë heshtjen zgjedhore
Kryetari i KQZ-së Klement Zguri ka deklaruar sot në orën 15:00 se procesi zgjedhor në tërësi po shkon mirë, përjashtuar probleme të dorës së dytë që nuk kanë ndikim të madh.
Ai sqaroi se KQZ-ja nuk ka marrë vendim dhe as nuk ka urdhëruar për të ndaluar fjalën apo fjalimet e politikanëve shqiptarë , megjithatë iu kujtoi atyre që kush bën fushatë një ditë para zgjedhjeve dhe gjatë ditës së zgjedhje është në shkelje të ligjit zgjedhor.
Ora 14:00/ PS: Mos bini pre e provokimeve skandaloze të Presidentit Meta dhe LSI
Në një deklaratë për mediat, Partia Socialiste ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të LSI për zgjedhjet.
PS shpreh keqardhjen për sjelljen antiligjore te Presidentit te zgjedhur Ilir Meta, i cili sipas saj po shkel me te dyja kembet Kodin Zgjedhor qysh prej dites se djeshme dhe sot ne vazhdim.
PS thotë se përpjekja e zotit Meta për të tensionuar situaten, me deklarata te papergjegjshme dhe deklaratat zyrtare te LSI-se me akuza vulgare ndaj socialisteve dhe vete Policise se Shtetit, jane te denueshme moralisht, politikisht dhe ligjerisht.
“Mos bini pre e provokimeve skandaloze te Presidentit te zgjedhur e te eksponenteve te partise se tij, sidomos te “vezhguesve” te LSI qe ne disa zona jane elemente me precendente penale. Ruani qetesine. Beni detyren patriotike ndaj Shqiperise sot me voten tuaj dhe perballoni me shume vetepermbajtje, ofensiven mizerabel te Presidentit te zgjedhur mbi procesin zgjedhor”.
Ora 13:00/Meta: Do të jem në Lezhë për të mbrojtur votën e lezhjanëve
Ish kryetari i LSI-së Ilir Meta ka deklaruar se do të jem në Lezhë bashkë me eskorën time për të mbrojtur votën e lezhjanëve nga bandat e rilindjes.
“U bëj thirrje qytetarëve të ngrihen kundër bandave të Rilindjes. I thoni gjithë popullit të Lezhës se ka ardhur Ilir Meta me gjithë eskortën e vetë dhe miqtë e vetë për të mbrojtur votën dhe dinjitetin e lezhjanëve. Të ngrihemi të gjithë për dërrmuar bandat e Tilindjes, bandat e drogës, bandat që duan të vjedhin votën, dinjitetin dhe të ardhmen e lezhjanëve dhe fëmijëve të Lezhës”, deklaroi Presidenti i zgjedhur.
Ora 12:00/ Pjesëmarrje e ulët, deri në shkon në vetëm 12%
KQZ publikon shifrat e përqindjes së pjesëmarrjes në votime, deri tani, në të gjitha qarqet. Në total, në rang vendi, pjesëmarrja në votime është 12. 16%.
Pjesëmarrjen më të ulët e regjistorn Korça dhe Vlora.
Berat 14.22 %
Dibër 14.31%
Durrës 13.53%
Elbasan 10.86%
Fier 14. 03%
Gjirokastër 12.79%
Korçë 9.29%
Lezhë 14 .99%
Shkodër 13. 33%
Tiranë 13. 97%
Vlorë 9.46%
Ora 11:00/ Plagosja në Shëngjin/ Luan Rama: Përgjegjës është kryeministri dhe Çako
Pas ngjarjes së ndodhur jashtë një qendre votimi në Shëngjin ku u është lënduar një aktivist i LSI-së, ka reaguar nënkryetari i LSI-së Luan Rama e quan ngjarje kriminale.
Në një dalje për mediat, Luan Rama tha se aktivisti i tyre u plagos nga tre persona të armatosur, që siç tha Rama, “janë pjesë e një grupi të njohur kriminal të rilindjes që prej ditësh vepron në mbrojtjen e strukturave kriminale të policisë së shtetit në atë qark”.
“Ashtu si ka ndodhur deri sot, për çdo pikë gjaku të qytetarëve të pafajshëm të derdhur në Lezhë apo kudo tjetër përgjegjësia bie mbi kryeministrin e rilidnjes Edi Rama dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. I është kërkuar Haki Çakos edhe nga Ministri i Brendshëm të shkarkojë ekipin drejtues të policisë së Lezhës pas një morie rastesh kriminale të shfaqura atje edhe me mbështetjen e policisë dhe nuk ka reaguar, ky është një mosveprim kriminal që krijon atë terren dhe situatë që është reflektuar dhe sot”, tha Luan Rama.