Nga Hasan Bello*
Mbrojtja e Janinës në vitet 1912-1913 është një nga ngjarjet më të rëndësishme. Kjo për faktin se aty shfaqen plot dramacitet faqe të panjohura të qëndresës, heroizmit, por dhe dobësitë e shqiptarëve.
Në prag të Luftërave Ballkanike, qyteti i Janinës kishte një rëndësi të madhe për disa shtete. Ndërsa për Perandorinë Osmane ishte qendra administrative e një vilajeti, për shqiptarët ajo ishte kryeqendra e Shqipërisë së Jugut. Pavarësisht përbërjes etnike dhe përplasjeve historike, grekët e konsideronin atë si një vatër të helenizmit. Sipas tyre, Janina ishte qendra e Epirit të Veriut. Këtë pretendim, ata e kishin shtruar zyrtarisht që në Kongresin e Berlinit (1878).
Për forcat greke Janina përbënte një zonë strategjike. Ajo ishte një pikë kyçe për depërtimin e tyre në Shqipërinë e Jugut. E rrethuar me male nga disa anë dhe me liqen e zona kënetore nga ana tjetër, qyteti ishte një fortifikatë natyrore. Megjith raportin e hartuar nga oficeri gjerman Goltz Pasha, sipas të cilit mbrojtja e Epirit varej nga zotërimi i këtij qyeti, nga pikpamja ushtarake fortifikimi i Janinës linte për të dëshiruar.
Sipas këtij raporti, që ishte një plan i detajuar për mbrojtjen e qytetit, vija luftarake kishte një gjatësi prej 36 km. Në raport parashikohej se në pamundësi të marrjes së qytetit me luftë, ushtria greke do të përpiqej ta rrethonte dhe të ndërpriste rrugët e furnizimit me ujë, ushqime dhe municion.
Me fillimin e luftës italo-turke në Tripoli, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Osmane më 16 shtator 1911 e transferoi Esad Pashë Janinën (oficer me origjinë shqiptare, babai i të cilit kishte qenë për disa vite kryetar bashkie në Janinë) me detyrën e Komandantit të Përgjithshëm. Menjëherë ai inspektoi situatën dhe hartoi një memorandum (dhjetor 1911). Ai parashtroi masat që qeveria osmane duhet të merrte për mbrojtjen e qytetit nga ushtria greke. Megjithëse punimet për fortifikimin e Janinës kishin filluar që në maj të vitit 1910, deri pak muaj se të fillonte lufta ato nuk kishin përfunduar. Në prag të Luftërave Ballkanike, nga pikëpamje e fortifikimit dhe e furnizimit me municion, qeveria osmane nuk i kishte dhënë rëndësinë e duhur Janinës.
Ajo e konsideronte mbrojtjen e saj si një front të dorës së dytë. Më 12 gusht 1912, i vëllai i Esad Pashës, Vehib Pasha u emërua Komandant i kalasë. Ai konstatoi gjithashtu mungesa të theksuara të ushtrisë me armatim, prandaj iu drejtua disa herë Shtabit të Përgjithshëm për ta furnizuar me mjete dhe teknologji bashkohore.
Por kërkesat e Vehib Pashës, nuk gjetën përgjigje. Kjo, sepse mbrojtja e Janinës, sipas eprorëve të tij, nuk bënte pjesë në pikat e “nxehta” të perandorisë.
Për shkak të terrenit të thyer shkëmbor, fortifikimi i kalasë nuk po ecte me ritmin e duhur. Megjithatë ishin marrë masa që vija e zjarrit të rrethohej me thasë rëre, fuçi, murë guri dhe tela me gjemba. Pas dorëzimit të qytetit, Mbreti i Greqisë zhvilloi një inspektim në zonat e fortifikuara.
Ai mbeti jashtzakonisht i mahnitur dhe për ta shpëtuar ushtrin greke nga diskretitimi, i ndaloi gazetarët perëndimorë të shihnin fortifikimet e ushtrisë osmane. Megjithëse ushtria greke, që para se të fillonte lufta dispononte informacione të sakta lidhur me planin e dislokimit forcave osmane.
Kjo për shkak se një nga oficerët e lartë gjermanë, i cili kishte marrë pjesë në komisionin e hartimit të planit të mbrojtjes, ia kishte shitur atë atasheut ushtarak grek për 200.000 dhrahmi. Këtë fakt, ky i fundit do t`ia pohojë personalisht Esad Pashës, gjatë kohës kur ai gjendej rob lufte në Athinë.
Më 18 tetor 1912, pas Malit të Zi dhe Serbisë edhe Greqia i shpalli luftë Perandorisë Osmane. Për këtë ajo mobilizoi rreth 100.000 ushtarë të ndarë në dy armata: Armata e Thesalisë afër Larisës dhe Armata e Epirit e përqendruar afër Artës.
Synimi i ushtrisë greke ishte të thyente forcat turke në Thesali, të merrte Selanikun, t`i priste rrugën e tërheqjes ushtrisë turke dhe, në bashkëpunim me ushtrinë serbe të pushtonin Manastirin e të bënin rrethimin e ushtrisë turke në bregun lindor të Adriatikut.
Pastaj ajo do të vazhdonte sulmin drejt Veriut, të merrte Janinën dhe Shqipërinë Jugore e të takoheshin me ushtrinë serbe në Shkumbin. Në ndihmë të qeverisë dhe ushtrisë greke zbarkuan edhe 1500 forca vullnetare garibaldiane.
Ministri osman i Luftës, Nazim Pasha, kërkoi me insistim goditjen e ushtrisë greke. Por Esad Pasha i ndërgjegjshëm për superioritetin e forcave armike si në numër ashtu edhe në armatim, ndoqi taktikën e mbrojtjes. Në mëngjesin e 19 tetorit 1912 ushtria greke filloi mësymjen.
Gjatë luftimeve Esad Pasha konstatoi se një pjesë e ushtarëve dhe oficerëve osmanë braktisën frontin. Sipas tij, kjo vinte për shkak mosmarrëveshjeve politike që një pjesë e tyre kishin me njëri-tjetrin. Kjo solli si rezultat avancimin e forcave greke. Më 20 tetor luftimet rifilluan përsëri. Por qëndresa e artilerisë osmane bëri që ushtria greke të mos avanconte.
Ajo që u vu re ditët e para ishte fakti se popullsia ortodokse u rebelua, duke sulmuar depot e armatimit dhe forcat osmane.
Në ndihmë të ushtrisë greke vepronin edhe bandat e armatosura, të cilat masakronin popullsinë shqiptare. Esad Pasha, i cili gëzonte respekt në disa zona të Shqipërisë së Jugut i ftoi shqiptarët (me telegraf) që t`i bashkoheshin mobilizimit ushtarak. Kjo thirrje pati efekt pozitiv. Brenda javës erdhën rreth 8000 forca vullnetare, duke e rritur numrin nga 4000 në 12000 ushtarë. Më 31 tetor 1912, Shefi i Shtabit i Armatës së Perëndimit, Fevzi Çakmak pas një inspektimi që realizoi në Janinë konstatoi mangësi të theksuara, për plotësimin e të cilave urdhëroi rikonceptimin e planit të mbrojtjes, duke e ndarë qytetin në gjashtë zona.
***
Në ditët e para të mbrojtjes së Janinës klima karakterizohej nga reshje të dendura shiu dhe borë. Mungesa e ujit të pijëshëm ishte evidente. Frika e dizanterisë dhe e sëmundjeve të tjera ngjitëse e bënte të pamundur përdorimin e ujit të liqenit. Rebelimi i popullsisë ortodokse vendase në mbështetje të ushtrisë greke ishte një disfavor për forcat osmane. Kjo popullsi u përpoq me të gjitha mënyrat të sabotonte mbrojtjen e qytetit, duke prerë telat e telefonave ndërmjet llogoreve.
Një betejë e ashpër u zhvillua për mbrojtjen e Prevezës. Ky qytet mbrohej nga një garnizon prej 500 ushtarësh osmanë, pjesë e të cilit ishte edhe një repart shqiptarësh. Nëpër llogore kishte vetëm disa topa të vjetër të kalibrit 12 dhe 15 cm. Rreth 800 forca greke, të përqendruara në kodrën Nikopolis, filluan të bombardonin qytetin papushim. Frika dhe paniku që përfshiu popullsinë, e shtyu atë që t`i propozonin komandantit osman dorëzimin e qytetit. Luftimet vazhduan vetëm për një ditë. Sapo u errësua, forcat shqiptare, të kapluar nga paniku dhe lodhja braktisën frontin, duke kërkuar strehim tek shtëpitë e vendasve.
Nga luftimet pati 20 të vrarë e 11 të plagosur nga pala osmane dhe 10 të vrarë e 56 të plagosur nga pala greke. Sulmet e papërballueshme, mungesa e armatimit, popullsia dhe konsujt e frikësuar e shtynë komandantin osman në gjendje të pashpresë.
Ai pasi u bind se nuk do t`i vinin forca mbështetëse nga Janina, vendosi të dorëzohej. Për këtë u krijua një komision i përbërë nga konsulli rus, austro-hungarez, anglez dhe një përfaqësi e qytetit, i cili do t`i propozonte komandantit të forcave greke Spiliadis, kushtet e dorëzimit:
- Garnizoni osman do t`i dorëzohej ushtrisë greke.
- Oficerët dhe ushtarët osmanë së bashku me familjet e tyre do të gëzonin mbrojtje dhe paprekshmërinë e ushtrisë greke.
- Do të ruhej nderi e dinjiteti i nënpunësve dhe i oficerëve osmanë.
Këto pika u pranuan plotësisht nga pala greke. Më 3 nëntor 1912, në ora 16:00 Preveza u dorëzua. Rreth 452 ushtarë osmanë u zunë rob. Ata u transportuan me vaporë në ishujt Santa Maura dhe në Korfuz. Në shenjë respekti, atyre iu lejua që të mbanin shpatat deri sa të zbrisnin.
Qëllimi i ushtrisë greke ishte bllokimi i vijës detare Prevezë-Sarandë, e cila ishte shtegu nga ku forcat osmane furnizoheshin me armatim nga Austro-Hungaria dhe Italia. Ky perimetër më pas u zgjerua drejt Vlorës dhe Durrësit. Marrja e Prevezës i dha mundësi grekëve që me anë të flotës të avanconin drejt Shqipërisë së Jugut. Në luftën e Prevezës një kontribut përkrah forcave greke dhanë edhe vullnetarët garibaldianë.
Më 3 dhjetor 1912, Perandoria Osmane nënshkroi me shtetet ballkanike një armëpushim. Ndërsa Greqia nuk u bë pjesë e kësaj marrëveshjeje, për arsye se ajo ishte e vendosur për ta marrë Janinën me çdo kusht. Prandaj, beteja për mbrojtjen e saj nga forcat osmane vazhdoi me të njëjtin ritëm. Lajmin për arritjen e armëpushimit Vehib Pasha e mësoi me 14 dhjetor. Për këtë ai vuri në dijeni forcat osmane, të cilat i motivoi për ta vazhduar qëndresën.
Sipas tij, suksesi dhe fitorja ishin shumë afër. Por nga ana tjetër, ai nuk hezitoi të paralajmëronte dezertorët se një veprim i tillë dënohej me vdekje. Për Esad dhe Vehib Pashën dezertimi nga fronti mbeti një nga problemet kryesore gjatë gjith luftës. Kjo u vu re gjatë dislokimit, kur ushtarët shqiptarë, filluan të largoheshin grupe grupe në arat dhe malet përrreth. Për të parandaluar këtë rrezik, shtabi i ushtrisë osmane, caktoi një kompani kalorësish, për disiplinimin dhe rikthimin e tyre në pozicionet luftarake. Por misioni i kësaj kompanie dështoi nga kërcënimi me armë i ushtarëve shqiptarë që donin të braktisnin llogoret.
Kjo rrethanë u lehtësua edhe për shkak të Esad Pashës, i cili nuk dëshironte që ndërmjet ushtarëve të derdhej gjak. Ai i urdhëroi ata, që të tërhiqeshin dhe të shmangnin çdo lloj konfrontimi. Nga ana tjetër, për të bllokuar hyrjen e dezertorëve në qytet, Esad Pasha, lajmëroi komandantin e kalasë, Vehib Pashën, që të bllokonte rrugët me mitralozë. Esad Pasha nuk hezitoi që t`u tërhiqte vëmendjen disa herë. Madje, për t`i prekur në sedër, shfaqi hapur origjinën e tij shqiptare.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë e shtoi akoma dhe më shumë dezertimin e ushtarëve shqiptarë. Një autor shkruan se numri i tyre ishte deri në 10.000 veta.
Nga 1 dhjetori 1912 ushtarëve dhe oficerëve osmanë u ishte ndërprerë rroga, çdo ditë numri i të prekurve nga tifo, dizanteria dhe të ftohtët vdisnin pa pushim. Temperatura kishte arritur në -10º, duke shkaktuar ngrirjen e 360 ushtarëve brenda natës.
Uria bënte kërdinë. Ushtarët kishin javë që ushqeheshin vetëm me 250 gr buk misri në ditë. Kjo i kishte detyruar disa prej tyre të hanin barishte, të cilat i kishin shkaktuar dhimbje të forta barku dhe helmim me pasojë vdekjen. Në spitalet e improvizuar me çadra dergjeshin 6000 të plagosur, shumica e tyre vdiste nga mungesa e ilaçeve dhe mjekimit.
Gruaja e konsullit francez të Janinës, Guy Chantepleure, i përshkruan forcat shqiptare si të pabindura ndaj çdo lloj disipline, kryengritëse dhe guximhumbura. Ata përhapeshin nëpër fshatra duke djegur dhe plaçkitur. (7.11.1912) Në mesin e ushtarëve shqiptarë mungesa e disiplinës dhe dezertimi erdhi duke u shtuar. (14.11.1912) Në fakt, me krijimin e qeverisë së përkohshme të Vlorës, mjaft nacionalistë shqiptarë mendonin se nuk ishte e nevojshme qëndresa kundër pushtimit grek, sepse, sipas tyre, Shqipëria ishte një shtet i lirë dhe i pavarur, i cili dëshironte të jetonte në paqe me të gjithë fqinjët, e në radhë të parë me grekët.
Sipas Eqrem bej Vlorës, ata niseshin nga bindja e dyshimtë se shqiptarët mjaftonte të qëndronin asnjanës përballë marshimit të popujve të tjerë të Ballkanit, dhe do të fitonin miqësinë e armiqve të Perandorisë Osmane e kështu mund të siguronin ekzistencën e Shqipërisë. Duke qenë vërtet një masë paraprake e detyruar nga rrethanat në të cilat ndodhej qeveria e përkohshme e Vlorës, kjo ishte në të njëjtën kohë edhe një propagandë e volitshme që u shkonte për shtat armiqve, e që i solli dëme të mëdha Shqipërisë.
Ismail Qemali, i cili e kishte kuptuar rrezikun që i kanosej vendit nga ushtritë greke dhe synimet ekspansioniste të Athinës, i shkruante komandantit osman se: “Mbrojtja dhe disiplina e armatës së Janinës do të thotë, t`i vihet pritë aspiratave greke që duan të na shtypin, e prandaj presim se si duhet të përpiqemi e ç`këshilla e komunikime duhet të bëjmë. Këtë formë qeverimi duhet ta mbajmë, se kështu e do interesi politik derisa të mblidhet Konferenca (ndërkohë ajo ishte mbledhur-H.B.) dhe Europa të marrë një vendim të prerë mbi sovranitetin osman në Shqipëri e mbi shtetin shqiptar. I lutemi Shkëlqesis s`uaj të pranoni këtë realitet dhe t`i çmoni rastet e padëshiruara të lindura nga një mendim i kundërt”.
Dezertimi i shqiptarëve nga fronti i Janinёs, pёr shkak edhe tё diversionit tё agjenturёs greke, se gjoja tashmё shqiptarёt kishin krijuar shtetin e tyre kombëtar dhe s’kishin mё punё me osmanët, kishte krijuar njё situatё tej mase tё komplikuar.
Kjo, e detyroi qeverinё e Vlorёs t’u drejtohej me njё qarkore tё gjitha krahinave, ku shprehte hidhёrimin e saj, për dezertimin e ushtarёve rezervistё shqiptarë. Pasi vinte nё dukje, se tё gjithё shqiptarёt ishin tё obliguar tё ruanin tokat e tyre, duke mos kursyer as gjёnё e as gjakun deri sa tё shpёtonin Shqipёrinё nga armiku qё e kishte invaduar Ismail Qemali, urdhёronte se: “pa humbur kohё, gjithё patriotёt shqiptarё tё rrokin armёt dhe tё venё nё ndihmё tё Janinёs. Kjo detyrё bie mё parё mbi parinё, e cila duhet tё bёjё ta kuptojё populli, dhe vetё ajo ta udhёheqё.
Sidoqoftё ju porosisim dhe ju lutemi qё t’ua njoftoni me njё ton prekёs, nё mёnyrё qё i gjithё populli tё jetё gati dhe tё vrapojё pёr mbrojtjen e atdheut”. Ismail Qemali urdhëroi prefekturën e Gjirokastrës dhe nënprefekturat e Tepelenës, Përmetit dhe Leskovikut se nëse kishte ushtar që kishin dezertuar të kapeshin si masë shembullore dhe të ktheheshin në garnizonet e veta. Këta ushtarë së bashku me familjet e tyre duhet të porositeshin në mënyrë që të mos dezertonin sepse kjo ishte një turp për ta dhe një rrezik i madh për atdheun.
Në kuadër të këtyre masave, më 8 dhjetor, prefekti i Gjirokastrës, Fehmi Beu organizoi një grup prej 7 personash të zgjedhur nga komisioni për mbrojtjen kombëtare dhe, i shoqëruar me njerëz të armatosur, u nis nëpër fshatrat përreth për të kapur ushtarët që kishin dezertuar për t`i rikthyer ata në Janinë. Një grup patriotësh i kryesuar nga Aziz Pashë Vrioni i shkruanin Ismail Qemalit se, nëse binte Janina rrezikohej pavarësia kombëtare.
Rreziku nuk vinte më shumë si pasojë e mungesës së fuqisë ushtarake, por nga që nuk po i sigurohej siç duhej ushqimi ushtrisë osmane dhe kjo gjë, sipas tyre, do të shkaktonte zhdukjen e përjetshme të Shqipërisë së Jugut. Në mungesë të informacionit, ata besonin se Konferenca e Londrës, e kishte lënë Janinën brenda hartës së Shqipërisë. Kështu sulmin ndaj saj e konsideronin si një goditje ndaj pavarësisë dhe ekzistencës kombëtare.
Sipas tyre, shqiptarët duhej të mbronin nderin dhe të drejtat e veta duke u bashkuar me vëllezërit osmanë të cilët përbëheshin nga 80.000 forca. Mbrojtjen e Janinës këta patriotë e konsideronin si çështje jetë a vdekje për Shqipërinë. Ata i luteshin Ismail Qemalit që t`i jepte urdhër Bektash Cakranit, Musa Hamit Agait, Bektash aga Çorrushit,Veli bej Këlcyrës, Dervish bej Biçakut dhe Qamil Beut që ndodheshin në Vlorë të niseshin sa më shpejt për të nxitur popullin e krahinave të tyre në Mallakastër, Përmet, Lushnjë dhe Elbasan për të mbledhur vullnetarë dhe rezerva ushqimore.
Qeveria e Vlorёs kishte dёrguar dhe njё delegacion nё Janinё, pёr t’i propozuar kryekomandantit me origjinë shqiptare, Esad Pashё Janinёs, tё ngrinte nё kёshtjellё flamurin shqiptar. Ndёrsa ajo nga ana e saj angazhohej tё pengonte dezertimin nё masё tё shqiptarёve.
Nё rast se qёndresa nё Janinё nuk kishte mundёsi tё vazhdonte, delegacioni shqiptar i kishte kёrkuar komandёs osmane qё ajo tё hynte nё bisedime me qeverinё greke, duke i propozuar si vijё demarkacioni lumin Kalama. Por, kryekomandanti i Janinёs për shkak edhe të dezertimit të shqiptarëve, nuk i kishte pranuar kёto propozime.
Kjo situatë e shtyu zëvendësvaliun e Janinës që t`i bënte thirrje Ismail Qemalit për të parandaluar dezertimin e ushtarëve shqiptarë. Ai e konsideronte mbrojtjen e Janinës si interes të përbashkët si për Perandorinë Osmane ashtu edhe për Shqipërinë.
Kryetari i komisionit të mbrojtjes kombëtare të Delvinës, Mehmed Ali Pasha, kërkoi nga Ismail Qemali që batalionet e rezervistëve shqiptarë të Beratit, Mallakastrës, Skraparit, Tepelenës, Përmetit, Leskovikut, Kolonjës dhe Gjirokastrës t`i bashkoheshin Armatës së Perëndimit me qëllim për të asgjesuar ushtrinë greke.
Arratisja e shqiptarëve nga fronti ishte kthyer në problem shqetësues. Përfaqësuesit e Beratit kërkonin nga Ismai Qemali që të dërgonte një komision të posaçëm, i cili t`i komunikonte atyre me një gjuhë të prerë dhe prekëse se detyra e shpëtimit të atdheut nga rreziku, mund të kryhej duke flijuar jetën e fëmijëve e duke i treguar gjoksin armikut. Në rast të kundërt, ata do të ishin shkaktarët kryesorë të humbjes së atdheut. Gjithashtu, të arratisurit duhet të thirreshin pa humbur kohë e të përcilleshin drejt frontit.
Në 25-26 dhjetor ushtria greke sulmoi pa pushim Kalanë. Esad Pasha dhe forcat osmane megjith humbjet e mëdha në njerëz, nuk u thyen. Një batalion vullnetarësh prej 2.033 ushtarësh të armatosur dezertoi.
Kur Fevzi Pasha iu drejtua një beu shqiptarë se ne do të mbrojmë dinjitetin e ushtarëve tanë, ndërsa ju nderin tuaj, ai iu përgjigj se “Europa tashmë i kishte përcaktuar kufinjtë tanë dhe ne nuk kemi gjak tepër për të derdhur”. Megjithatë nuk mungonin edhe shembuj pozitiv. Një rol të rëndësishëm luajtën forcat shqiptaro-osmane të garnizonit të Beratit dhe Gjirokastrës. Goditja që ato i bënë forcave greke në shpinë e dobësoi sulmin ndaj Janinës. Madje, në qytetin e Beratit u hap edhe një spital për nevojat e luftës. Ndërsa nga Vlora dhe Gjirokastra drejt Janinës u nisën sasi të konsiderueshme ushqimesh.
Më 5 janar 1913, një delegacion personalitetesh të njohur erdhi nga Vlora në Janinë me qëllim për t`i bindur ushtarët shqiptarë të mos braktisnin frontin dhe të vazhdonin qëndresën së bashku me forcat osmane. Por këshillat e tyre nuk patën ndikim afatgjatë.
Dezertimi i tyre pati efekt negativ edhe në moralin e oficerëve osmanë. Masat e marra nga Vehib Pasha duke i nxjerrë dezertorët para gjykatës ushtarake apo duke i rrahur, nuk patën asnjë ndikim.
Megjithatë, nuk munguan edhe raste shembullore siç ishte batalioni i Janinës, Fierit dhe Përmetit pjesë e të cilëve ishin 2000 rezervistë shqiptarë, prej të cilëve nuk dezertoi asnjë ushtarë. Më 8 janar 1913, anijet luftarake greke shkatërruan kabllin telegrafik që lidhte Vlorën me Otranton, e për rrjedhojë komunikimi i Janinës me Stambollin mori fund. Më 15 janar 1913, në spitalet e luftës në Janinë gjendeshin 4000 të plagosur.
/ABC/