Real Madridi ka marrë një lajm shumë pozitiv në prag të sfidës vendimtare ndaj Bayern Munich në Champions League.
Kylian Mbappé është rikthyer në stërvitje me skuadrën vetëm dy ditë para ndeshjes, duke larguar dyshimet për gjendjen e tij fizike.
Sulmuesi francez u stërvit normalisht me grupin, pas incidentit në ndeshjen ndaj Girona, ku pësoi një prerje në kokë pas një dueli ajror.
Pjesëmarrja e tij në seancën e fundit tregon se problemi është nën kontroll, me stafin mjekësor që vazhdon ta monitorojë, por pa kufizime serioze për aktivizimin e tij.
Ky zhvillim është një lehtësim i madh edhe për trajnerin Álvaro Arbeloa, i cili pritet ta përfshijë Mbappé në formacionin startues për ndeshjen vendimtare.
Kujtojmë se Real Madridi e ka humbur takimin e parë me rezultatin 1-2, ndaj i duhet një përmbysje në transfertë për të eliminuar gjigantin gjerman. Sfida e kthimit do të zhvillohet në “Allianz Arena”.
Përballja mes dy gjigantëve evropianë pritet të jetë spektakolare dhe do të luhet të mërkurën në orën 21:00.










