Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi ambasadorin e Bashkimi Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, se sillet si ambasador i Edi Ramës dhe se ka fyer shqiptarët me deklaratat për AKSHI-n. Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, Berisha tha se cilësimi i AKSHI-t si “problem kulturor” i shqiptarëve është një dezinformim dhe një fyerje e rëndë për vendin. Sipas tij, pengmarrja nuk është pjesë e kulturës shqiptare dhe problemi lidhet me qeverinë e Ramës.
Berisha shtoi se zgjidhja e vetme për krizën aktuale është opozita, ndërsa i bëri thirrje vendeve anëtare të BE-së dhe parlamenteve të tyre të dërgojnë misione faktmbledhëse në Shqipëri për të parë nga afër situatën.
“Në këto kushte, zgjidhja dhe alternativa e vetme e kësaj krize ekzistenciale për shqiptarët është opozita. Bashkimi Europian, Komisioni Europian, sigurisht nuk mund dhe nuk do të pajtohet me asgjësimin e sistemit të drejtësisë, por duhet të jemi realistë, nisma Rama-Vuçiç, nuk është se nuk ka mbështetje të pjesshme. Ka mbështetje të pjesshme sepse ka anëtarë të BE që mendojnë se Shqipëria kurrë nuk mund të jetë anëtare e BE. Prandaj, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç na dhanë një zgjidhje, nuk duam vetë dhe nuk merremi me ta. Ka edhe lobistë, ka edhe ekstremistë të majtë që janë të pandreqshëm në rrafshin ideologjik, ata bëjnë avokatinë e Ramës në çdo tryezë ku ndodhen. Çfarëdo që të bëjmë ne, ambasadori i BE në Tiranë, në Bruksel sillet në mënyrë absolute sikur të jetë ambasadori i Edi Ramës në Bruksel. Dhe unë, duke shprehur keqardhjen time më të thellë, u bëj thirrje vendeve anëtare të informohen direkt nga përfaqësitë e tyre, parlamenteve të vendeve anëtare të dërgojnë misione faktmbledhëse, sepse të shpallësh AKSHI-n problem kulturor të shqiptarëve në Bruksel, siç ka bërë zoti Gonzato, ky është shërbimi më i keq që u bën shqiptarëve dhe unë i them atij zotërie se pengmarrje nuk është kulturë e shqiptarëve.
Dhe është një fyerje e rëndë që u bëhet shqiptarëve. Se ky vend dhe ky komb edhe kur nuk kanë pasur shtet, kanë pasur një ligj për kontratat civile dhe kontratat e tjera, që e kanë respektuar pa pengmarrje. Dhe se AKSHI nuk është problem kulturor i shqiptarëve. AKSHI, shkëlqësia juaj, është problemi i baxhanakut të Edi Ramës, i bashkëshortes së Edi Ramës dhe vetë Edi Ramës. Sepse, shkëlqësi ambasador, Shqipëria ka me dhjetëra ndërmarrje të tjera, agjenci të tjera shtetërore dhe joshtetërore, problemi është se Rama nuk ka një kunat tjetër që të merret në fushën dixhitale përveç Armand Frangut. Dhe pikërisht se është Armando aty, kunati i Lindës, aty merren njerëzit peng dhe janë marrë peng. Dhe pengmarrja është kryekëput politike. Dhe unë e konsideroj një fyerje të rëndë që u bëni shqiptarëve ju me deklaratën tuaj jo vetëm dezinformim, por edhe fyerje, se qenka kulturë shqiptarë pengmarrja,’ tha Berisha.
Berisha gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kryesisë tha se, “Gonzato mashtron në mënyrë të turpshme për qëndrimet e PD-së për integrimin.
“Gënjeshtra e dytë e madhe e tij në komunitetin ndërkombëtar për PD-në është se axhenda jonë është MAGA.
Axhenda jonë, në qoftë se kishim vendosur të ishte MAGA, ne nuk fshihnim asgjë, axhenda jonë është integrimi i Shqipërisë në BE.
Kjo histori e turpshme mashtrimi filloi me një trillim të padëgjuar ndonjëherë se Donald Trump kur erdhi LaCivita ka ardhur me një cek 9 miliardë dollarë për të bllokuar integrimin e Shqipërisë në BE dhe ljo është qarkulluar në nivelet më të larta.
Turp më i madh…
Por ne pavarësisht nga kjo, kemi treguar durim, kemi bërë sqarime, kemi qenë të ndershëm në qëndrimet tona, kemi deklaruar se Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht përveç pozicionit gjeostrategjik të saj dhe u faktua kjo.
Nuk plotëson sepse ne e dinim se ç’po bën Edi Rama.
Edi Rama po ndërton narkoshtetin këtu.
Sigurisht ne kemi marrëdhënie pa diskutim me SHBA dhe ne kemi disa specifika, nuk e mohojmë atë. Kosova nuk do ishte e lirë pa SHBA, askush të mos mendojë se ne e harrojmë këtë. Jo.
Dhe tani për të ndihmuar Edi Rama, shtron prapë çështjen se disa kanë axhendë MAGA-n, nuk kanë axhendë integrimin evropian.
Unë mendoj se i shërben Edi Ramës me këto zotëria juaj dhe unë nuk kam dëshirë në mënyrë absolute as të të përgjigjem, por unë jam skandalizuar kur kam mësuar këto”, shtoi Berisha.







