Rreziku që i kanosej vendit nga rritja e borxhit në këndvështrimin e autoriteteve të financave në vitet e para të demokracisë në Shqipëri
Sa herë që flitet për financat e një vendi treguesi i parë që përmendet është niveli i borxhit të jashtëm. Eshtë e thjeshtë të kuptohet se përse. Sot gjithnjë e më shpesh thuhet se atë që vendet e mëdha nuk e arritën dikur me armë e luftra, e kanë arritur sot me borxhet. Në këtë kuptim, niveli i borxhit të jashtëm, përveçse një tregues financiar, është edhe tregues i sigurisë kombëtare. Por, pa borxhe nuk mund të bëhet. Është një çështje ekuilibrash politiko- ekonomikë, ndaj dhe kujdesi për të është objektivi i parë i çdo qeverie të përgjegjshme. Për fat të keq ky nuk ka qenë rasti i Shqipërisë.
Borxhi sot
Dy vitet e fundit rritja e borxhit të jashtëm ka qenë jashtë çdo premtimi dhe parashikimi. Duke ju referuar shifrave, raportimi më i fundit i Bankës së Shqipërisë, tregon se zyrtarisht vendi e ka mbyllur 2015 me një borxhi i jashtëm bruto mbi 7.5 miliardë euro. Rritja vjetore e tij ka qenë mbi 8 për qind. Në harkun kohor të një viti borxhi ndaj të huajve është rritur me 569.4 milionë euro, ose 3.3 për qind të PBB-së. Në total borxhi i jashtëm është në nivelin e 73.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Vlen të detajohet se mbajtësit kryesorë të borxhit të jashtëm janë: së pari qeveria e pastaj bankat dhe investitorët. Problemi i madh është borxhi i qeverisë, e cila huatë i merr në kurriz të pasardhësve, qofshin qeveri të tjera apo qytetarë. Aktualisht qeveritë kanë marrë mbi 3 miliard euro huara, që është sa 41 për qind e borxhit total.
Banka e Shqipërisë thotë se në harkun kohor të një viti “pesha e borxhit të qeverisë qendrore shënoi një rritje me rreth 3.2 pikë përqindjeje”. Ka dhe një tregues tjetër për borxhin. Eshte ai që quhet barra e borxhit dhe që është raporti i borxhit me të ardhurat fiskale dhe me të ardhurat nga eksportet. Sipas BSH, borxhi i jashtëm bruto është aktualisht 2.1 herë më i lartë se sa të ardhurat totale vjetore të vendit nga eksporti dhe 2.9 herë më i lartë se sa të ardhurat fiskale të qeverisë. Komentet nuk kanë vlerë po të themi se vetëm 7 vjet më parë, në vitin 2008, borxhi i jashtëm ka qenë 1.3 herë më i madh se eksportet dhe 1.4 herë më i lartë se të ardhurat vjetore fiskale.
Sa larg duket 1994
Mendoni tani të hedhim vështrimin në vitin 1994. Shifat e mëposhtëme janë marrë nga një interpelancë e thirrur nga deputeti Gramoz Pashko në Kuvendin e Shqipërisë dhe ku raportonte Guvernatori i BSH, i asaj kohe Dylber Vrioni. Ja çfarë shifrash sjell Vrioni: Në prill të vitit ‘92 borxhi total i jashtëm ka qenë 405 milionë dollarë, në dhjetor të vitit ’93, ka shkuar 475 milionë dollarë, kurse në shkurt të ‘94 mbërrin në 480 milionë dollarë. Në prill të vitit ‘92 borxhi total i qeverisë ka qenë 352.5 milionë dollarë. Në shkurt të vitit ‘94 borxhi i qeverisë ka shkuar në 384 milionë dollarë. Është interesante të thuhet se shqetësimi për borxhin edhe në atë kohë ka qenë shumë i lartë. Por mungesa e përvojës bënte që ai të trajtohej me negociatorë të huaj. Janë vitet kur Nikolla Arsidi merrte me mashtrim 1,6 milionë dollarë, ndonëse nuk nisi asgjë në negocimin e borxhit shqiptar. Pas tij të tjera kompani do të hynin në lojë.
Janë vitet që pasonin një ngushtësi të madhe ekonomike e ku sië do të dilte më vonë vetëm nga kambizmi Bankës Qendrore do t’i iknin 500 milionë dollarë. Por kjo shifër nuk u bë asnjëherë publike zyrtarisht. Në gusht 1993 Qeveria shqiptare do të caktonte staf të vetin për negocimin e borxhit. Në lojë do të futej gradualisht edhe ndërmjetësimi i FMN. Ish Guvernatori që drejtonte grupin e negocimit do të deklaronte në Kuvend: “Mbas një ndërprerje prej 2 vjetësh, mendoj se së shpejti do të fillojmë negociatat për borxhin”. Por ishte edhe koha e paqëndrueshmërive të mëdha. Pak muaj më vonë Dylber Vrioni do ja linte postin e tij Kristaq Lunikut, e do bëhej ministër në qeverinë Meksi, në vend të Genc Rulit.
Paralajmërimet e Gramoz Pashkos
Ai ishte njeriu më me vizion në atë kohë. Më i artikuluari sa i takon ekonomisë dhe financave. Sinjalet e rrezikut i shihte qartë që në atë kohë. Ja deklaratat e Gramoz Pashkos, pas fjalëve të Guvernatorit Vrioni: “Sipas të dhënave të fundit që kemi, vetëm në 3 vjetët e fundit kemi marrë kredi shtetërore që shkojnë në shumën 638 milionë dollarë, kredi afatmesme e afatshkurtra, por që nuk janë dhurata, se do të fillojnë një ditë të paguhen…Nëse ne nuk e kuptojmë këtë gjë sot, nesër, mbas 10-20 vjetësh, do ta kuptojnë se sa e rëndësishme është….Ne ia kemi frikën se mos mbas disa vjetësh rritja e këtyre interesave do të jetë shumë e madhe, si për shembull, mbas 10 vjetësh do të jenë vetëm interesa rreth 800 milionë”. Pashko përllogariste në atë kohë se borxhi ishte rreth 300 dollarë për frymë dhe ndizte sinjalet e rrezikut: “Kjo është pothuajse e barabartë me prodhimin kombëtar bruto për frymë të këtij viti, që është 375 dollarë. Çdo person që e ka pak idenë nga ekonomia, po të dëgjojë raportimin e këtyre dy shifrave, se sa dollarë është për frymë dhe sa është në total, atëherë kupton se situata është me të vërtetë dramatike”.
Ekonomia zhvillohet sipas dinamikës së saj. Por nëse Pashko në atë kohë fliste për situatë dramatike, çfarë mund të themi sot?
Vitet e paqëndrueshmërisë: Nga janari 1991 deri në dhjetor 1994 në Shqipëri janë ndërruar 6 ministra finance (Qemal Disha, Anasatas Angjeli, Genc Ruli, Robert Çeku, Genc Ruli, Dylber Vrioni) si edhe 4 Guvernatorë të Bankës së Shqipërisë (Niko Gjyzari, Ilir Hoti, Dylber Vrioni, Kristaq Luniku).
Pjesë nga interpelanca me ish-Guvernatorin e BSH, Dylber Vrioni
Gramoz Pashko
Interesi ynë për çështjen e borxhit të jashtëm lidhet me faktin se ne kemi vërejtur që ka një mungesë transparence për këtë çështje. Domethënë, nuk jemi të informuar në radhë të parë për strukturën e borxhit të jashtëm, për strategjinë që po ndiqet, për zhvillimet e fundit të këtij procesi, i cili është një proces ku lidhen probleme esenciale të zhvillimit të ekonomisë, të investimeve, të privatizimit etj. Kështu, interpelancën tonë e kemi formuluar rreth disa çështjeve që kanë të bëjnë me volumin e këtij borxhi të ndarë me etapa.
Problemi i dytë që dëshironim të sqaronim dhe e kemi paraqitur me shkrim është: pse janë krijuar diferenca në kohësi në periudhën para ’92, pas ‘92 etj.? Ne duam të dimë se çfarë është bërë me negocimin e borxhit nga drejtuesit e sotëm të Bankës së Shqipërisë dhe nga drejtuesit paraardhës të saj.
Së fundi, cila është strategjia që lidhet me efektet ekonomike, që unë përmenda pak më parë? Për këto duam të na japë një sqarim Guvernatori i Bankës dhe pastaj na lind e drejta të shprehim mendimet tona.
Dylber Vrioni
Të nderuar zotërinj deputetë,
Mua më kanë ardhur këto pyetje nga zoti Imami e Pashko:
Sa është borxhi i jashtëm i Shqipërisë prej vitit ’92?
Sa është borxhi i jashtëm sot?
Sa është diferenca e tyre?
Si është krijuar?
Cila është struktura e bordit?
Cila ka qenë gjendja e bordit në kohën e emërimit tuaj?
Ç’punë është kryer nga paraardhësit tuaj për negocimin e bordit?
Cila është strategjia që keni vendosur për këtë problem?
Duke grupuar 3 pyetje, të cilat janë të ngjashme, unë mund t’ju informoj:
Në prill të vitit ‘92 borxhi total ka qenë 352 milionë e 500 mijë dollarë. Në shkurt të vitit ‘94 gjendja e borxhit ka qenë 384 milionë dollarë. Diferenca vjen nga fakti i verifikimit të shifrave. Në shtator të vitit ’93, kur unë jam emëruar guvernator, borxhi ka qenë 386 milionë dollarë. Ndryshimet e vogla janë efekt i ndryshimeve, sepse borxhi është jo vetëm në dollarë, por edhe në marka gjermane, franga e në dollarë amerikanë. Diferenca në kurs ka bërë që këto të kenë ndryshime, kurse vlera e përgjithshme e borxhit, duke marrë parasysh edhe interesat, ka qenë si vijon:
Në prill të vitit ‘92 ka qenë 405 milionë dollarë, në dhjetor të vitit ’93, kur unë jam emëruar guvernator, ka qenë 475 milionë dollarë, kurse në shkurt të ‘94 ka qenë 480 milionë dollarë. Diferencat janë për shkak të interesave. Këtu duhet sqaruar se ky është borxhi i përgjithshëm i Shqipërisë, pra borxhi publik dhe borxhi që u ka shteteve. Borxhi publik që Shqipëria u detyrohet vendeve të tjera që vjen si rezultat i konfirmimit ndaj instituteve të sigurimit të këtyre vendeve, pra të kredive që i janë dhënë në vitet ‘88, ’89 e ’91, është rreth 50 milionë dollarë. Kjo është në të tria llojet e borxheve afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë dhe kur flasim për borxhet afatmesme e afatgjata kemi parasysh vonesat e krijuara në pagim.
Si është krijuar borxhi?
Gjatë viteve ’88, ’89,’90 e ’91, Shqipëria hyri në një krizë të thellë ekonomike. Krizë e cila, për faktin e ndryshimeve politike që ndodhën në vendet ish-komuniste, e bëri akoma më të rëndë gjendjen në Shqipëri dhe Qeveria e pushteti i atëhershëm u mundua të jepte para opinionit publik shqiptar përshtypjen sikur në Shqipëri nuk do të ndodhnin këto procese. Kështu që borxhi është krijuar në radhë të parë si rezultat i faktit që ai pushtet kërkonte të krijonte përshtypjen te njerëzit sikur gjithçka po shkonte në rregull. Duke iu referuar strukturës del se rreth 70% e borxhit është transaksion kambizmi. U hapën linja krediti nga privatët dhe këto linja krediti në vend që të përdoreshin thjesht si transaksione kambizmi u përdorën në një masë të madhe për të blerë ushqime e lëndë të parë, për të krijuar përshtypjen sikur gjithçka shkonte në rregull.
Me ngjarjet që ndodhën në Shqipëri në fillim të viteve ’90 me ambasadat u kuptua se në Shqipëri po ndodhte diçka shumë e rëndësishme dhe u ndërprenë marrëdhëniet financiare me Shqipërinë dhe rezultoi ky borxh që ne dimë sot.
Rreth 30% e borxhit privat është borxh i karakterit të linjave të financimit dhe linjës së kreditit të papaguar. Të gjitha këto janë afatshkurtra.
Pra, kjo është mënyra se si është krijuar borxhi shqiptar. Kjo është pak a shumë edhe struktura. Pra, rreth 50 milionë dollarë janë borxhe publike të papaguara deri tani, kurse pjesa tjetër është borxh privat, i cili ka këtë strukturë: kambizëm, linjë krediti e linjë financimi.
Cila ka qenë gjendja e borxhit në kohën e emërimit tuaj dhe çfarë pune është bërë nga ana juaj për shlyerjen e borxhit?
Në lidhje me borxhin në kohën e paraardhësit tim, ka qenë ndofta një kompleks inferioriteti dhe është menduar që borxhi të trajtohej nëpërmjet pajtimit të negociatorëve të huaj. Tani opinioni shqiptar e di fare mirë që njëri prej negociatorëve ka qenë Nikolla Arsidi, i cili mori 1,6 milionë dollarë dhe nuk mori mundimin ta fillojë fare negocimin e borxhit. Më vonë u bënë tentativa po në këtë linjë, të pajtimit të negociatorëve të huaj, dhe kjo është një praktikë që përdoret. Përfundimisht u zgjodh një kompani e panjohur me kryetar Piter Eren, i cili, për hir të së vërtetës, arriti të bëjë një punë të mirë, por në momentet finale dështoi, sepse mbajti një linjë shumë të ashpër me ta. Gjithashtu, ai kërkonte një shpërblim shumë të madh nga pala shqiptare. Konkretisht në një letër, sepse unë, për fat të keq, nuk gjeta as kontratë dhe u ndodha në një vështirësi shumë të madhe, ai kishte propozuar, që në rast të zgjidhjes së borxhit të merrte 5% të parave që do të kursente nga masa e borxhit. Përgjigjja nga aparati ishte se ai do të paguhej jo 5%, por 10%. Më vonë, gjatë vitit të kaluar, në mungesë të një kontrate, iu vu kondita që ai do të paguhej 3%, që ishte shumë e lartë në praktikën e zgjidhjes së borxhit. Përfundimisht, në korrik të vitit të kaluar kjo kompani mori një letër nga paraardhësi i Bankës së Shqipërisë, ku e konsideronte të mbyllur marrëveshjen me të.
Në gusht të vitit të kaluar, Qeveria shqiptare mori një vendim, për mendimin tim shumë logjik, që Shqipëria duhet ta bënte vetë, me një staf të vetin, negocimin e borxhit privat. Faktikisht mori vendimin për krijimin e Komitetit të Borxhit Shqiptar dhe këtë detyrë ma la mua. Mbas disa takimesh pune me Bankën Botërore dhe Fondin Ndërkombëtar e mbas studimit të praktikës së deriatëhershme, si dhe një periudhe gati njëvjeçare të ndërprerjes së negociatave të borxhit me bankat private, duke pasur vështirësi në borxhin publik, ku ky i fundit paraqiste një precedent, sepse ishte me një vlerë absolute të vogël dhe si rezultat i një shteti që nuk arrinte të realizonte detyrimet afatshkurtra publike për borxhet, u krijua një organizëm nga vendet kreditore. Pa miratimin e tij nuk mund të filloheshin dot negociatat dypalëshe, pasi nuk merrej fare në konsideratë kërkesa e Shqipërisë për negocim për borxhin publik. Në mbledhjen e bërë me Fondin Ndërkombëtar të Bankës Botërore, ndër të tjera, me shumë përpjekje, arritëm të bëjmë një takim me një nga drejtuesit e Thesarit Francez, nga i cili morëm premtimin se do të kujdesej që kërkesa e Shqipërisë do të merrej në konsideratë nga Thesari i Parisit. Në të njëjtën kohë, unë i bëra një letër Bordit të Parisit dhe këtë letër e bëra së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Reagimi ishte shumë i fortë dhe madje sekretari i Bordit të Parisit me insistim kërkonte nga unë që të tërhiqja letrën, por unë nuk e tërhoqa letrën, sepse mendova që na u dha një rast për të thyer akullin. Pastaj me mbështetjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar u detyruan ta merrnin letrën tonë dhe më 20 dhjetor të vitit të kaluar ne morëm përgjigjen ku Bordi i Parisit pranonte që Shqipëria të ristrukturonte pjesën më të vështirë të borxhit të saj, borxhit afatshkurtër, me një periudhë 7-vjeçare për zgjidhjen e këtij borxhi. Pra, për 3 vjet nuk paguan dhe për 4 vjet shlyem borxhin. Unë mendoj se me këto afate mund ta përballojmë.
Unë mendoj se më vështirë është shlyerja e borxhit privat. Mendoj se kjo është e vështirë për shumë arsye, sepse është e para herë në historinë e borxheve private që një shtet detyrohet në shifra kaq të mëdha, me detyrime që lindin nga marrëdhënie kambizmi dhe kjo ka bërë që qëndrimi i bankave të jetë jo i njëjtë dhe shpeshherë tepër i vështirë. Mjafton të përmend faktin se me një bankë franceze Shqipëria është në gjyq prej 2 vjetësh. Pavarësish nga fakti që ne i kemi ofruar negocimin, ata na kanë hedhur në gjyq dhe si rezultat i këtij gjyqi arritën të na bllokojnë 3 llogari. Me përpjekjet tona arritëm të zhbllokojmë llogaritë në dy banka dhe na mbetet e bllokuar vetëm një llogari në një bankë. Unë u bëra një letër 50 bankave të botës, ku i informoja që Shqipëria ka krijuar një Komitet të Borxhit të Jashtëm dhe mbas kësaj kohe ata ishin të detyruar të kontaktonin. Bankës Franceze u mundova, me anë të një letre, t’i shpjegoj se vështirësitë mund të zgjidhen më mirë midis dy vendeve sesa ndërmjet palëve të tjera. Letra që unë u bëra pati rezultat, sepse ato e shtynë gjyqin e datës 30 nëntor të vitit ’93 deri më 6 janar ‘94 dhe bëmë një takim në Paris në lidhje me problemin në fjalë. Ky takim ishte shumë i vështirë, sepse janë banka private. Ne u munduam t’i sqarojmë bankës së Parisit se qëndrimi i tyre na pengonte shumë në procesin e negociatave të borxhit privat dhe një shembull të tillë mund ta bënin edhe bankat e tjera. Theksuam faktin se rëndësia dhe përmasat e problemit për Shqipërinë ishin shumë të rënda, sepse kishin të bënin me fatin e vendit në një gjendje shumë të vështirë ekonomike. Pra, i shpjeguam vështirësitë tona dhe faktin që Shqipëria deri në vitet ’91, në fushën legjislative e konkretisht në Kushtetutën e saj, nuk pranonte të kishte detyrime e borxhe. E pranuan se ishim një shtet, i cili kërkon të hyjë në mënyrë serioze në të gjitha fushat e tjera të marrëdhënieve financiare e bankare dhe vendosën t’i shpejtonin interesat, përderisa ne ishim të gatshëm të uleshim në biseda. Bankat e vlerësuan qëndrimin tonë dhe vlerësuan arritjet e Shqipërisë dhe arritjen e reformës, ndaj na thanë se do të mendoheshin për këtë problem. Unë vura re se mund të bëheshin keqtrajtime nga bankat dhe i sqarova se Shqipëria është një vend sovran, Banka shqiptare është sovrane dhe kishim dëshirë për të negociuar. Kur i gjithë Komiteti i Bankave nuk ishte dakord me qëndrimin e Bankës së Parisit, ato do të uleshin në tryezën e bisedimeve. Ndërkohë, ne patëm disa reagime nga bankat e tjera, të cilat ishin dhe kreditorët më të mëdhenj të borxhit tonë privat. Ne patëm një takim me ta në Tiranë dhe filluam të bisedojmë për mënyrën se si mund të zgjidhet borxhi privat.
Në fazën e parë, unë propozova që ne të jemi progresivë, konstruktivë në mënyrën e negociatave dhe si mund të gjendet mënyra më e mirë për këtë problem. Propozimi ishte që bankat kreditore të krijojnë një komitet prej 4-5 bankash dhe ky komitet të flasë në emër të 50 bankave kreditore. Na u duk i vlefshëm ky propozim dhe e pranuam. Në vazhdim, kur morëm përgjigje pozitive nga Banka e Parisit dhe hymë në fazën e zgjidhjes dypalëshe të borxhit publik, duke përfituar nga fakti që do të shkoja në Austri e Gjermani për të zgjidhur borxhin publik, unë mora kontakt me bankat austriake e gjermane, ku diskutuam për këtë problem. Megjithëse këto bisedime ishin tepër të vështira, pak a shumë ne i arritëm objektivat e ramë në një emërues të përbashkët, që rruga më e mirë për të vazhduar është negocimi ndërmjet një komiteti përfaqësues të vendeve kreditore.
Pyetja e fundit është se cila është strategjia që kemi vendosur të adaptojmë. Nga këto që thashë më sipër dhe duke u nisur nga fakti që vendimi i Qeverisë është që Komiteti i Borxhit të Jashtëm do vendosë të gjitha kontaktet, ne e kemi bërë këtë gjë. Strategjia që do të mendojë Komiteti i Bordit është një strategji që do t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave. Ne jemi akoma në fazën përgatitore të negociatave, mbas një ndërprerje prej 2 vjetësh dhe mendoj se së shpejti do të fillojmë negociatat. Pra, këtë strategji ne do t’ia ofrojmë Këshillit të Ministrave dhe do të marrim miratimin e tij.
Gramoz Pashko – E falënderoj Guvernatorin e Bankës dhe Kryetarin e Komitetit të Negocimit të Borxhit të Jashtëm për informacionin që na dha dhe nxitem nga fjalët që tha me të drejtë, që çështja e borxhit gjatë momentit që ai ka negociuar me të dyja bankat që na përmendi është e rëndësishme për ekonominë tonë, për të kuptuar faktin që borxhi i jashtëm është një nga arsyet që investitorët e huaj nuk afrohen në Shqipëri, sepse presin garanci nga një shtet ose një tjetër në mënyrë që të futen. Por nga informacioni i zotit Guvernator sigurohet një strukturë që e lë ende problemin të paqartë. Nga shifrat që dha zoti Guvernator, unë jam dakord me shifrën prej 384 milionë dollarësh, ku përfshihen borxhi i operacioneve në tregun e parasë, plus një pjesë e letërkredive afatshkurtra që kanë mbetur nga periudhat e mëparshme. Në fakt, në borxhin publik duhet të përfshihet edhe një borxh i ardhshëm që po vjen në Shqipëri. Sipas të dhënave të fundit që kemi, vetëm në 3 vjetët e fundit kemi marrë kredi shtetërore që shkojnë në shumën 638 milionë dollarë, kredi afatmesme e afatshkurtra, por që nuk janë dhurata, se do të fillojnë një ditë të paguhen dhe këto që ne i kalojmë në Kuvend janë kredi që do të paguhen një ditë. Pra, këto para janë para që Shqipëria i ka detyrim dhe në qoftë se ne nuk e kuptojmë këtë gjë sot, nesër, mbas 10-20 vjetësh, do ta kuptojnë se sa e rëndësishme është për ta dhe askush atëherë nuk do të diskutojë se e mori një qeveri komuniste apo një qeveri jokomuniste. Pra, zgjidhja e këtij problemi është esenciale, një detyrë bazë e Qeverisë. Na vjen keq që zoti Guvernator na tha që jemi ende në fazën e negocimeve dhe nuk kemi ndërtuar akoma një strategji. Ju thatë që kemi filluar të mendojmë për një komitet nismëtar, gjë që është një histori e vjetër e dëgjuar edhe 2-3 vjet më parë. Gjithkush që e ka marrë përsipër këtë barrë, është nisur nga krijimi i një komiteti bankash, me të cilin të negociohej. Pra, çështja po mbetet si puna e atij arit që iku në Zvicër dhe u përpoq që gjendej, atëherë me Xhon Megoun etj. Ne ia kemi frikën se mos mbas disa vjetësh rritja e këtyre interesave do të jetë shumë e madhe, si për shembull, mbas 10 vjetësh do të jenë vetëm interesa rreth 800 milionë. Pra, çdo fëmijë që lind sot, mbas 15 vjetësh i bie të paguajë rreth 200 dollarë për frymë interesa dhe po t’u shtohet sasia e kamatave, do të thosha se ne jemi në një gjendje vërtet dramatike. Nga ato shifra që unë përmenda dhe po ta mbledhim të gjithë shumën e borxheve që ndahen në tri faza: borxhet në operacione plus letër-kreditë plus kreditë afatmesme e afatshkurtra kemi të bëjmë me rreth 300 dollarë për frymë. Kjo është pothuajse e barabartë me prodhimin kombëtar bruto për frymë të këtij viti, që është 375 dollarë. Çdo person që e ka pak idenë nga ekonomia, po të dëgjojë raportimin e këtyre dy shifrave, se sa dollarë është për frymë dhe sa është në total, atëherë kupton se situata është me të vërtetë dramatike. Në qoftë se themi se Shqipëria eksporton vetëm 105 milionë dollarë këtë vit, do të na duhen 20 vjet që të fillojmë të paguajmë interesat dhe atëherë rezultatet vijnë njëra pas tjetrës.
Unë po ju deklaroj se investitorët e huaj nuk do të afrohen, për sa kohë që bankat nuk do të kreditohen, për sa kohë që Shqipëria nuk do të fillojë të paguaj diçka. Ne pas një jave, kur do të diskutojmë buxhetin, do të shikojmë se si nga taksapaguesit shqiptarë do të heqin disa para për të paguar, gjë që është një strategji e drejtë. Kështu do të fillojë një ortek i zgjidhjes së problemit, pra nga 300 dollarë, që nuk janë asgjë, do të lindë një problem i madh.
Problemi shtrohet se deri tani është punuar me bankat e Parisit. Unë dua të di se çfarë është arritur me bankën e Londrës, e cila merret me bankat private? Ky informacion nuk na u tha. Gjithashtu, problem shqetësues është problemi i negociatorëve. Mua me pëlqeu që zoti Vrioni pohoi faktin se na qenka pajtuar edhe një negaciator tjetër. Zotërinjve deputetë mbase u kujtohet që këtë gjë ne kemi kërkuar ta pohonte zoti Hoti, i cili atëherë e mohoi faktin në mënyrë kategorike. Këto janë defekte të mëdha, zotërinj, që nesër apo pasnesër shndërrohen në probleme që bëhen tragjike. Domethënë, transparenca ndaj Kuvendit, si dhe transparenca ndaj popullit nuk prish asnjë punë. Mendoj se është për t’u vlerësuar qëndrimi i zotit Vrioni.
Si përfundim, unë dua që interesimi i Kuvendit të vazhdojë të mbetet në këtë çështje. Ne po kërkojmë të bëhen disa amendamente në ligjin e bankës, në kontrollin parlamentar, pra në Komisionin e Ekonomisë e Financës mbi këto çështje, sepse problemi mund të mos kalojë kaq lehtë, ai do të jetë gjithmonë një nga barrat më të rënda që do të këtë ekonomia jonë. Kur të vijë ky problem do të kërkoj edhe mbështetjen e deputetëve të tjerë.