Ata njihen sot si vëllezërit e famshëm shqiptarë të “America’s Got Talent”. Bënë bujë të madhe me akrobacitë e tyre disa ditë më parë dhe pushtuan rrjetet sociale.
Artani 20 vjeç dhe Arnoldi 25 vjeç, janë shprehur se profesionet e tyre nga shkolla janë të ndryshme nga akrobacia. Artani studion për drejtësi ndërsa Arnoldi punon si “interior designer” në SHBA ku janë zhvendosur prej disa vitesh. Artani tregoi se të dy kanë një angazhim prej 14 vitesh akrobaci.
Të rinjtë, ose siç e quajnë vetën ata “Balla brothers” përdorin çdo mjet të mundshëm për të vendosur në funksion artin e tyre.
“Cirku nisi nga unë në moshën 6-vjeçare e cila erdhi si një dhuratë nga zoti mund ta quaj sepse askush nga familjarët e mi nuk ishte marrë me fushën e sportit. Unë nisa rastësisht duke parë shfaqjet dhe nisën të më pëlqenin. Ndryshe nga të gjithë fëmijët e tjerë dëshira ime për vitin e ri ishte që të futesha në kurs për këtë drejtim”.
Më tej 20-vjecari shpjegon se prindërit, jo vetëm ja plotësuan këtë dëshirë, por i kanë pasur për 13 vjet mbështetjen e madhe dhe të vetme në Shqipëri.
Artani tregon se vitin e parë në cirk shkonte me gjyshen sepse prindërit ishin në punë, por më pas gjyshja ndërroi jetë dhe kështu në cirk e shoqëronte Arnoldi, aso kohe 14 vjeç.
“Arnoldi u fut në cirk bashkë me mua, por ishte në moshën 14-vjeçare dhe askush nga profesorët e cirkut nuk i jepte shpresë se do ecte në këtë drejtim. Ata thonin që e kishte filluar në moshë shumë të madhe cirkun”.
Mes ëndrrash dhe dëshirës për të arritur më shumë e më shumë, të dy vëllezërit kanë dhënë shfaqje prej 10 vitesh. Shkonin çdo të shtunë dhe të dielë në cirkun kombëtar në Shqipëri, pa pagesë. Kjo për shkak të formatit të cirkut.
“Ne kemi ndërmarrë hapa për vijimin e karrierës dhe në Shqipëri e Europë. Kemi pasur klasat tona ku jepnim mësime, kemi bërë shfaqje. Por duam të kalojmë në një nivel tjetër. Duam të kemi cirkun tonë, të kemi artist të rinj që t’i punësojmë. Të krijojmë një gjë nga fillimi ashtu si cirku i diellit që nisi me 10 persona.”
Por mes sukseseve të mëdha ka edhe vështirësi. Duke treguar për karrierën e tyre, 20-vjeçari shpjegon se ka pasur edhe momente kur kanë dashur ta lënë cirkun. Kjo për faktin se cirku nuk po prodhonte para, nuk kishin mbështetje financiare. Gjithashtu kanë menduar ta linin cirkun kur Artani ka thyer dorën.
Ai tregon se këto ishin gjëra që i bënin të rinjtë të mendonin për të mos qenë pjesë e cirkut, por siç thotë edhe Artani, ka qenë thjesht një moment për t’u bërë më të fortë e për të vazhduar karrierën e tyre.
Lidhur me emisionin “America Got Talent’s”, Artani shpjegon se ata i kanë ftuar në këtë event dhe i kanë trajtuar si artistë ndërkombëtar.
“America Got Talent’s është ëndrra e çdo personi në tokë për të shfaqur talentin, sepse është dritarja më e madhe për promovimin e talenteve. Ajo erdhi si një dhuratë dhe jemi shumë mirënjohës shtetit amerikan, që vlerësojnë talentet ndryshe nga çfarë bëhet në Shqipëri”.
Nga ky event të rinjtë tregojnë se kanë marrë shumë kontrata pune, por që po presin oferta dhe do vendosin se kush është më e mira për ta. Më tej, Artani u shpreh se as në një të ardhme të largët nuk e mendojnë rikthimin në Shqipëri sepse do ishte një hap pas.