Të paktën 30 vetë kanë humbur jetën në qytetin sirian të Aleppos. Në mes tyre gjendeshin gra dhe fëmijë. Forcat rebele skaktuan bombardimet e fundit në zonat e kontrolluara nga qeveria.
Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut ngriti alarmin se ky ishte shpërthimi më vdekjeprurës i ditëve të fundit. Zona lindore e Aleppos ka qenë nën kontrollin e grupeve rebele nga korriku i vitit 2012, por këtë vit është rrethuar nga forcat qeveritare.
Në tentativë për ta thyer këtë rrethim, grupet rebele prej ditës së diele kanë nisur një ofensivë të ashpër ushtarake. Por bombardimet e ditës së martë ndër të tjerash i kushtuan jetën edhe Kusai Abtini, një nga aktorët më të rinj në moshë që po promovohej së fundmi në Siri.
Në vetëm 3 muajt e fundit luftime, të paktën 6000 persona janë të vrarë ose plagosur, shifra sipas Observatorit sirian për të Drejtat e Njeriut.
Ndërkaq 300 mijë persona mbeten të bllokuar në zonën lindore të Aleppos në pamundësi për t’u larguar nga luftimet. Po ashtu, 4 spitale janë bombarduar nga ajri.
Ndërsa korridoret humanitare të ndërtuara posaçërisht për shpëtimin e civilëve, thuajse nuk përdoren fare nga frika e bombardimeve. Vetëm 169 persona kanë guxuar të kalojnë në korridoret humanitare.