4 punonjës policie kanë përfundur në pranga dhe 6 të tjerë janë pezulluar nga detyra pasi akuzohen se kanë shkelur ligjin duke futur mallra dhe makina kontrabandë në Shqipëri pa respektuar asnjë nga rregullat e zhdoganimit.
Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj tha se ky kontrabandim është sinjalizuar edhe nga autoritetet franceze dhe më pas edhe me bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare, është bërë e mundur dokumentimi i plotë i një sërë rastesh abuzive.
“Prokurori ka kryer hetime intensive për kontrabandën edhe për shpërdorimin e detyrës. Pjesë e kësaj veprimtaria janë edhe Punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë shpërdoruar detyrën apo duke u bërë pjesë e veprimtarive”-tha Imeraj.
Sipas prokurores së çështjes, Mirela Cano personi i cili dyshohet të këtë futur disa makina kontrabandë duke shmangur detyrimet doganore është shtetasi Arben Grabovari. Ky shtetas e ka kryer këtë veprimtari në pika të ndryshme si në Kapshticë, Qafë Botë dhe në Morinë.