Legjendat Flasin/ Nga rrugët e lagjes te stadiumet europiane, Alban Bushi vjen me një rrëfim pa filtra – – 27.al
  • Shqiperi
  • Opinion
  • Kosove Rajon
  • Gossip
  • Art Kulture
  • Sport
  • Bota
27.al
Nuk ka rezultat
View All Result
  • Shqiperi
  • Opinion
  • Kosove Rajon
  • Gossip
  • Art Kulture
  • Sport
  • Bota
27.al
Nuk ka rezultat
View All Result
27.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Legjendat Flasin/ Nga rrugët e lagjes te stadiumet europiane, Alban Bushi vjen me një rrëfim pa filtra –

12:19 | 07/02/2026
në Aktualitet, Kryesore
0

Read more

E rëndë në Vlorë/ 4-vjeçari dërgohet pa shenja jete në spital, mister rrethanat e humbjes së jetës –

Kushtetuesja pezulloi Ballukun, ‘shpërthen festa’ në burgun e Durrësit ku po qëndron Veliaj –

Bela, ty asgjë nuk të ndal! –

Kreu tradhti të lartë duke kapur flamurin e zi të Ramës –

Rubrika “Legjendat flasin” sjell këtë herë rrëfimin e Alban Bushit, një prej figurave më të njohura të futbollit shqiptar, i cili rikthehet në rrugët e fëmijërisë, aty ku nisi gjithçka. Nga lojërat pa orar në lagje te stadiumet e mbushura dhe fanella kuqezi, Bushi ndan historinë e një rrugëtimi të ndërtuar me pasion, sakrificë dhe dashuri të pakushtëzuar për futbollin.

Në këtë intervistë për FSHF.org, në kuadër të rubrikës “Legjendat Flasin”, ai flet për hapat e parë me Tiranën, debutimin e paharrueshëm me gol në derbi, përvojat në kampionate të forta europiane, por edhe për emocionet e veçanta që i ka dhuruar Kombëtarja.

Një rrëfim i sinqertë që ndërthur kujtimet personale me reflektimet profesionale, duke sjellë jo vetëm historinë e një karriere të gjatë, por edhe vizionin e një legjende që vijon t’i shërbejë futbollit shqiptar, tashmë në rolin e trajnerit të Kombëtares shqiptare U-21.

Fillimet & fëmijëria

– Jemi në rrugët ku je rritur dhe në lagjen ku je formësuar. Çfare kujtimesh të rikthen ky vend sot?

Më jep shumë emocion. Sapo erdha u ndjeva shumë i emocionuar sepse këtu kam banuar. Kjo është hyrja ime, aty është shtëpia. Këtu nuk ka qenë siç është sot, ka qenë park, lulishte. Luanim të gjithë ditën futboll. Sidomos fundjavave luanim nga mëngjesi e deri në darkë. Këtu kam hedhur hapat e parë dhe kam formuar karakterin tim si futbollist. Në ekipin ku luajta, te Tirana, bënim stërvitje 1, ose 1 orë e gjysmë në ditë kurse këtu luanim 6-7 ditë me shokët. Luanim 2 kundra 2 ose 1 kundra 1, që më ka bërë të koordinohem goxha, të isha sa më mirë në mënyrën se si shprehesha në ekipin ku luaja. Kanë qenë emocione shumë të bukura. Fëmijëria është gjëja më e bukur e jetës. Këtu kemi mësuar të mos dorëzohemi, të mos mërzitemi, të qeshim, të gëzojmë, të qajmë. Por duke i bërë gjërat me shpirt dhe me dashuri për lojën që luanim.

– Nga erdhi pasioni për futbollin? Kur e kuptove se ky sport nuk ishte thjesht lojë për ty?

Pikërisht këtu. Në moshën 10-11 vjeç kuptova që e doja shumë futbollin. Kuptova gëzimin e fitores, emocionin e golit dhe aty mendova që nuk është thjesht një aktivitet, por një pjesë e pandashme e jetës time, siç edhe ka qenë.

– Nëse nuk do ishe bërë futbollist, çfarë mendon se do ishe bërë?

Më pëlqen këngëtar, ose t’i bie kitarës. E di që jam shumë larg, por më pëlqen dhe mbase me punë mund t’ia arrija. Edhe me futbollin, duke u stërvitur fort, arrita aty ku mendoj që kam bërë mirë në karrierën time.

Hapat e parë & futbolli shqiptar

– Tirana dhe debutimi me skuadrën me gol në derbin kundër Dinamos

Pjesë e Tiranës u bëra nëpërmjet shkollës. Këtu ka qenë shkolla “Shyqyri Peza”, ku unë kam bërë 8-vjeçare. Ka qenë klasë sportive. Faktikisht nguli këmbë shumë mami për të shkuar në një klasë sportive sepse ishte e vështirë. Ata zgjidhnin vetëm 10 çuna, por me disa njohje të mamit, u bëra pjesë e klasës sportive. Sot ia di për faleminderit dhe i jam mirënjohës Fusha ku jemi aktualisht sot, që ka qenë një fushë futbolli, përpara ka qenë fushë e zezë dhe ne stërviteshim 2 orë në ditë paradite. Në moshën 15-16 vjeçare kalonim më pas te pionierët e Tiranës me profesorë Maks Ndroqin dhe Bujar Lubanin. Pastaj te para të rinjtë, te të rinjtë dhe më pas tek ekipi i Tiranës. Tek ekipi i parë ka ngulur këmbë profesori i ndjerë Fatmir Frashëri, të cilit i jam mirënjohës dhe falënderues. Po ashtu edhe profesor Sulejman Memës dhe Millan Baçit sepse në një moshë shumë të re, 17 vjeç e 2-3 muaj më morën tek ekipi i parë. Ishte derbi Tirana – Dinamo, një nga ndeshjet më të mëdha të asaj kohe, me një stadium të mbushur plot e përplot. Ishte një nder shumë i madh për mua të isha në stërvitje me ta, me Agustin Kolën, me Arben Mingën etj. E shihja si të pamundur, ëndrra ime ishte e madhe për të luajtur me ta. Dhe vjen një moment, minuta 75’, ndeshja ishte 1-0 për Tiranën dhe profesor Fatmiri më thotë çohu dhe futu në ndeshje. Sa u futa në ndeshje, ka krosuar Flor Riza nga e djathta dhe unë i shënova gol Ilir Bozhiqit dhe barazuam ndeshjen. E mbaj mend si tani atë gol, ka qenë një moment shumë i bukur për mua. Unë e kisha ëndërr të rrija t’i shikoja ata, jo më të luaja dhe të shënoja gol për atë ekip. Pas golit, unë jam gëzuar shumë dhe kam vrapuar në fushë. Thjesht vrapoja nga gëzimi i golit, nuk isha në gjendje ta kuptova se çfarë kisha bërë.

Karriera jashtë vendit

– Ke luajtur në Hungari, Gjermani, Turqi, Bullgari dhe Greqi. Cila ka qene eksperienca më e veçantë dhe ku je ndjerë me i plotësuar si futbollist?

Transferimet e mia jashtë kanë qenë të vështira. Sidomos Hungaria dhe Gjermania. Ne shkuam për një miqësore që Tirana kishte me ekipin e Szeged në Hungari. Faktikisht, një i njohur i mirë i gjuhës hungareze që punonte në Ambasadën Hungareze, njihte këtë ekip dhe na çoi për të bërë një miqësore atje. Nuk ishte e lehtë që të bënim miqësore jashtë. Ikëm me autobus aty. ai i kishte sugjeruar ekipit të Szeged, Artur Maxhunin që ta blinin. Kam luajtur vetëm 20 minuta në atë ndeshje dhe kam dalë me karton të kuq. Pas ndeshjes Presidenti i tyre tha që dua atë lojtarin që doli me karton të kuq. Unë u habita në fakt sepse nuk isha përgatitur dhe nuk e besoja që do më kërkonin. Por presidenti më kishte pëlqyer për ato minuta që kisha luajtur. Ka qenë një moment shumë i vështirë dhe për mua, sepse ata ikën me autobus për në Tiranë ndërsa unë qëndrova aty. ishte një moment shumë i vështirë për mua. Kam qarë shumë sepse ishin vitet 90’, larg familjes, isha vetëm 18 vjeç. Pastaj aty nisa të ambientohesha, luajta goxha. Pothuajse një vit, por kishte momente edhe të vështira. Nga ana financiare, unë merrja një rrogë prej 200 dollarësh dhe nuk dilnin deri në fund të muajit. Është një sakrificë që mendoj se e kanë bërë të gjithë në atë kohë. Por me ëndrrën dhe qëllimin për t’u bërë një futbollist i mirë dhe për të luajtur një ditë me Kombëtaren. Nuk më ka munguar vetëbesimi, sepse më parë ne shqiptarëve na shikonin ndryshe, jo si tani. Pastaj kalova në Gjermani. Ne luajtëm përballë U-21 të Gjermanisë dhe më pas u arratisëm drejt Gjermanisë, me disa çuna të tjerë. Nuk ishte gjë e mirë nga mua sepse e lashë klubin tim në Hungari pa i lajmëruar ata, por ata nuk u ankuan. Në Gjermani u regjistrova në kapanone për azilantë dhe flinim 10-15 veta në dhomë. Ka qenë periudhë e vështirë sepse duhet ta filloja prapë nga e para. Për të kapur majat e futbollit gjerman, duhet të luaje me kategoritë më të ulëta. Unë zgjohesha shumë herët dhe stërvitesha dhe mendoja Altin Rrakllin, i cili luante në Bundesligën gjermane. Një nga lojtarët e parë shqiptarë që luante në këto nivele. Dhe thoja që derisa u bë ai që është shqiptar dhe është shoku im, pse mos të bëhem edhe unë.

– Maja e karrierës tënde ishte ne Turqi, me Trabzonspor, por edhe me Adanaspor e Istanbulspor. Çfare e beri atë periudhë kaq të veçantë?

Përpara se të shkoja në Turqi, unë isha me Litex në Bullgari. Ekipi i Litexit më bleu në Greqi asokohe dhe transferoi 16 lojtarë nga disa vende të Ballkanit. Unë shkova bashkë me Altin Haxhin dhe për dy vjet dolëm kampionë të Bullgarisë. Dola dhe golashënues me këtë ekip, fitova dy tituj kampion dhe luajtëm edhe në Champions League. Më pas më shitën tek Adanaspor. Ishte një nivel tjetër futbolli në Turqi. Një kampionat më i organizuar, më profesionist. Më pas kalova tek Istanbulspori, ku shënova 10-15 gola në kampionat dhe pas kësaj më bleu Trabzonspor, që ishte niveli më i lartë ku unë kam luajtur futboll. Megjithëse nuk bëra mirë, sepse u dëmtova dhe nuk arrita të bëja performancën time më të mirë. Por, aty ndiheshe vërtetë futbollist sepse niveli i kampionatit turk ishte vërtetë shumë i mirë. Konkurrenca ka qenë shumë e madhe. Për të hyrë në formacion, kishte 4-5 sulmues të fortë dhe duhet t’i mposhtje ata për të pasur një vend në formacion. Futbolli do sakrificë, besim. Duhet të besosh që t’ia dalësh.

– Atletico Madrid dhe Borussia Dortmund janë dy ekipe që shpesh i përmend. Janë ekipet e zemrës për shkak se mbeti peng fakti që nuk luajte dot për to?

Këto dy ekipe kanë qenë të zemrës kur unë kam qenë në Gjermani. Shikoja Dortmundin dhe më pëlqente shumë. Më pëlqente të luaja me ata. Por u transferova në kampionat tjetër dhe ishte një gabim i menaxhimit tim në atë kohë. Në atë kohë vendosja vetë, nuk kisha njerëz që të më këshillonin. Dhe në një moshë të re, edhe mund të gabojë njeriu. Kurse Atletico Madrid më ka pëlqyer shumë tifozeria e tyre. Edhe te Borussia Dortmund e njëjta gjë.

Kthimi & mbyllja e karrierës

 – Në Shqipëri ke luajtur me Tiranën, Flamurtarin dhe Dinamon, por debutimin dhe mbylljen e karrierës i ke bërë me Tiranën. Sa domethënëse është kjo per ty?

 Tirana ishte, është dhe do të jetë në zemrën time gjithë jetën. Është ekipi ku unë u rrita dhe u bëra ky që jam sot. Po ashtu edhe te Flamurtari jam ndjerë shumë mirë, pavarësisht se luajta pak me këtë ekip. Edhe te Dinamo pak kohë. Por Tirana mbetet e veçantë. Aty ku e fillova doja edhe ta mbyllja faktikisht. Do t’i jem gjithë kohës mirënjohës Tiranës.

 – Pas gati dy dekadash si futbollist, a ke pengje nga karriera jote?

Pengje kam. Do të doja ta kisha menaxhuar më mirë veten, të kisha pasur një menaxher për të më këshilluar, pasi kemi vendosur vetë. Po ashtu, më vjen keq më shumë sesa peng që u dëmtova në momentin tim më të mirë kur kalova te Trabzonspor. Më blenë për shumë para, u dëmtova dhe nuk lashë gjurmë te ky ekip. Nuk arrita të isha në formën time më të mirë.

Kombëtarja

– Për çdo futbollist, Kombëtarja është maja. Çfarë përfaqëson fanella kuqezi për Alban Bushin?

Në karrierë ka shumë fanella. Por me asnjë nuk te dridhet zemra përveç se me fanellën kuqezi. Fanella kuqezi për mua ka qenë shumë e veçantë. Edhe te klubet ku unë luaja, 1-2 muaj mbrapa unë stërvitesha dhe manifestoja se si do të bëja gol me Kombëtaren. Aq e shtrenjtë dhe e madhe ishte për mua Kombëtarja. Mendoj që për çdo futbollist, të veshësh fanellën e Kombëtares, të përmbush si futbollist. Jam krenar që e kam veshur dhe e kam jetuar.

– Ke thënë: “Le të luaj njëherë me Kombëtaren dhe le të vdes.” A tregon kjo rëndësine që ka pasur Kombëtarja për ty?

Ia kam thënë Indrit Fortuzit kur stërviteshim te Tirana. Nuk isha bërë ende pjesë e Kombëtares. Tani, si më i pjekur, mendoj se ka qenë një fjalë e dalë nga zemra. Doja të isha pjesë e Kombëtares, të jepja gjithçka. Siç kam luajtur, e kam vlerësuar shumë dhe mendoj se është maja. I gjithë qëllimi për një futbollist, mendoj se duhet të jetë Kombëtarja. Secili duhet t’i vendosë objektiv vetes që të luajë me Kombëtaren. Të stërvitet sa më shumë që të bëhet pjesë e Kombëtares, siç kemi bërë të gjithë.

– Si erdhi ftesa e parë nga Kombëtarja dhe si e përjetove atë moment?

Ftesa e parë ka ardhur nga profesor Neptun Bajko, të cilit gjithashtu i jam shumë falënderues. Në atë kohë luaja te Tirana, kam qenë shumë i ri. E prisja sepse shënoja gola në kampionatin shqiptar. Jam emocionuar dhe gëzuar shumë kur mora ftesën, por edhe më shumë kur arrita të bëja edhe gol, atëherë m’u duk e pabesueshme. Në debutim shënova golin e parë. Unë prisja ftesën dhe përveç se mora ftesën, shënova edhe gol. Mendoj që kur vesh bluzën e kombëtares, nuk përfaqëson vetëm veten tënde por të gjithë shqiptarët kudo që janë. Publiku e sheh ndeshjen nga jashtë dhe ne që kemi veshur apo këta që veshin fanellën, janë përgjegjës edhe për atë që e sheh ndeshjen nga tribuna apo televizori.

– Keni pasur një brez të artë me emra si Bushi, Skela, Lala, Aliaj, Tare, Strakosha. Pse mendon se nuk arritët kurrë një fazë finale europiane?

Ne kemi pasur një ekip shumë të mirë, ka qenë një brez jashtëzakonisht i mirë. Ne mezi e prisnim që të luanim me Kombëtaren dhe kemi bërë ndeshje goxha të mira. Mendoj që po ta krahasojmë kombëtaren tonë me atë që është tani, sot janë gjërat më të organizuara. Infrastruktura është më e mirë. Ne shkonim 50 minuta me autobus larg për të bërë stërvitje, nuk kishim shumë staf, vetëm trajnerin, trajnerin e dytë dhe trajnerin e portierëve. Nëse e krahasojmë me sot, stafi përbëhet nga 15 veta. Nuk kemi qenë shumë të organizuar nga ana profesionale, sepse ashtu ishte koha. Edhe trajnerët nuk kishin shumë informacion për të parë kundërshtarët. Kurse kundërshtarët e kishin informacionin për të marrë nga ne. Ne kemi bërë ndeshje shumë të mira me Kombëtaren, kundër Gjermanisë, Norvegjisë, Greqisë. Por nuk kemi qenë të disiplinuar nga ana taktike për ta marrë atë lloj rezultati. Por ne jepnim çdo gjë nga vetja në fushë dhe kundërshtarët e mëdhenj e kishin të vështirë me ne në fushë. Na ka mundur Gjermania 4 herë, por gjithmonë në minutat e fundit dhe loja ka qenë e balancuar

– Fatkeqësisht, prindërit e tu sot nuk jetojnë më. Por kur kthehesh mbrapa, në kohën kur luaje me Kombëtaren, kush ishte më i lumtur nga ata të dy?

Po mos të kisha babin në stadium, nuk më luhej. Duhet të ishte ai, që ta shikoja dhe të luaja. Jam shumë krenar për ata sepse çdo gjë e kam bërë për ata. Që nga kontrata ime e parë e deri në moshën 37 vjeç kur jam tërhequr nga futbolli, kontratat ia kaloja prindërve. Së bashku me vëllain tim. Doja që ata të ishin të lumtur, sepse ata më bënë. Ata më kanë qëndruar pranë kur isha i vogël, ata më dhanë mundësinë për t’u bërë futbollist dhe isha shumë i gëzuar që ata të ishin të lumtur. Rrallë kanë munguar në ndeshje, më ndiqnin edhe në stërvitje edhe kur luaja jashtë vendit. Dhe për mua ishin një motiv edhe më i madh, për të luajtur për fanellën dhe prindërit e mi që fatkeqësisht sot nuk janë më, por për mua do të jenë gjithmonë në zemrën time.

– A ka një ndeshje apo një rast me Kombëtaren që e kujton ende sot dhe do të doje ta kishe ndryshuar?

Ka qenë ndeshja Norvegji – Shqipëri dhe ishim 2-0 për ne. Kishte ende edhe 10 minuta lojë. Na barazuan 2-2. Norvegjia ishte në momentin e vet më të mirë në atë kohë. Altin Lala shkaktoi një penallti, që nuk duhet ta bënte. Në atë vit ne mund të renditeshim në vendin e dytë sepse kemi mposhtur Greqinë 2-0, barazuam me Norvegjinë 2-2 në transfertë. Patëm rezultate të mira. Atë ndeshje do të doja ta përsërisja.

– Kush ka qenë ekipi apo kundërshtari më i vështirë për t’i shënuar?

Mendoj Anglia. Me Anglinë kam luajtur 2 herë. Në Tiranë ka qenë shumë i vështirë si ekip, pavarësisht se na kanë mposhtur me shumë vështirësi dhe me një gol të Rrakllit që nuk e ka quajtur arbitri. Kundërshtari më i vështirë ka qenë për mua Ashley Cole, lojtar i Chelsea-t asokohe. Një mbrojtës që unë e dribloja dhe ai më dilte prapë përpara. Ishte shumë i shpejtë.

Kombëtarja aktuale

– Si e sheh Kombëtaren aktuale dhe a ka ndonje lojtar tek i cili gjen ngjashmëri me veten tende si futbollist?

Kombëtarja më duket në ditën e vet më të mirë. Këtu është për t’u falënderuar e gjithë struktura e FSHF-së për punën që ka bërë që shqiptarët të ëndërrojnë. Sepse ti mendon që pse nuk jemi ne në Botëror apo Europian çdo vit, por është e vështirë. Unë kam qenë pjesë se si ka qenë federata dhe ku jemi ne tani. Dhe mund të flas shumë hapur, sinqerisht dhe konkretisht për ekipin kombëtar. Ekipi ynë sot nuk ka asgjë më pak se ekipi i Italisë. Si nga stafi teknik, infrastruktura, dietologu, psikologu, skautimi. Nga çdo gjë. Dhe mendoj se e meriton plotësisht të jetë aty ku është dhe në Botëror. Nuk jemi më Shqipëria e para 10 viteve, por jemi një Shqipëri tjetër që Europianin, ekipi ynë e ka detyrim që të shkojë. Pavarësisht kundërshtarëve, sepse lojtarët tanë luajnë në nivele shumë të larta. Shpresojmë që në ndeshjen me Poloninë, ne të marrim një rezultat pozitiv, që unë mendoj se do e marrim. Kemi luajtur me Poloninë, na kanë mposhtur aty por i kemi mposhtur këtu. Çdo gjë është e hapur, mendoj se me pak besim dhe me shumë përqëndrim dhe mbështetje nga tifozët, mund t’ia dalim.

– Nëse sot do ishe trajneri në dhomat e zhveshjes përpara ndeshjes kundër Polonisë, çfarë do i thoje ekipit?

Çuna, ëndrra është afër. Shkoni dhe merreni!

 

Kombëtarja U-21 & finalet e Kampionatit Europian 2027 në Shqipëri

– Si trajner i ekipit U-21, si i vlerëson prurjet nga viti në vit të lojtarëve?

Mendoj që ka qenë një periudhë shumë e mirë e Kombëtares në këto le të them, 12 vitet e fundit. Nga të gjithë ekipet kombëtare, nga U-15 e deri tek U-21. Gjithashtu edhe nga skautët tanë në Europë. Kështu duhet të jetë dhe duhet të vazhdojë. Dhe ne jemi në atë rrugë, për të sjellë sa më shumë lojtarë cilësorë në ekipin A. Kemi një brez goxha të mirë në ekipin A, U-21 si edhe është një grup 2008-2009 shumë i mirë që po vjen.

– A është e vështirë t’i bindësh për të qenë pjesë e Shqipërise u-21?

Kemi hasur vështirësi sepse si Kosova, edhe Shqipëria do që t’i ketë lojtarët cilësorë pjesë të tyre. Por shumica na kanë përzgjedhur me zemër. Edhe ne kur flasim me ata i themi që zgjidhni me zemër. Si Shqipëria, si Kosova janë njësoj. Por mendoje se ku do të jetë më mirë për ty dhe na kanë zgjedhur ne. Dua t’i falënderoj të gjithë.

– Kombëtarja U-21 ka qenë një provë shumë e mirë për një numër të konsiderueshëm të lojtarëve të Kombëtares A. Cilin do të veçoje si kalimet më të suksesshme ndër vite?

Këta që janë aktualisht dhe që po mbajnë peshën. Ramadanin, Asllanin, Manajn, Shehun, Muçin, Brojën, Mitajn, Laçin apo Bare dhe Çekici që kanë qenë. Është një brez goxha i mirë, Shqipëria ka një brez goxha të mirë.

– Për herë të parë, Kombëtarja U-21 do të marrë pjesë në fazën finale të një Europiani, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi në vitin 2027. Me grupin aktual, sa larg mendoni se mund të shkoni?

Ne i kemi marrë ndeshjet tek e tek. Edhe këto ndeshjet miqësore që bëjmë, fokusi ynë është Europiani. Pavarësisht se përqëndrohemi te ndeshja e radhës. Kemi folur me lojtarët që ne nuk duhet të jemi kalimtarë në Europian. I kemi shumë të larta objektivat dhe mendoj që do t’ia arrijmë qëllimit. Për të kaluar grupin, e kemi detyrim sepse luajmë në vendin tonë dhe kemi mbështetjen e tifozëve. Kam shumë besim te lojtarët, te tifozët, te Shqipëria. I respektojmë kundërshtarët, por mendoj se do t’ia arrijmë.

– Franca, Anglia apo Spanja jane shembuj të organizimeve perfekte të aktiviteteve europiane apo botërore. Mendon se edhe ne do të arrijmë të realizojmë një organizim dinjitoz të këtij turneu historik?

Nuk e vë në dyshim. FSHF e ka rritur shumë nivelin. Nga ana profesionale është në nivelin më të lartë. Ka bërë aktivitete të mëdha, U-17 në 2025, që mori edhe shumë lëvdata nga UEFA. Nuk lamë asgjë më pak, mendoj se kemi bërë shumë mirë. Kemi bërë Conference League, perfekt nga çdo anë. Ne jemi një vend i vogël, modest, jo me financa të mëdha, por kur premtojmë diçka, ne e bëjmë mirë. UEFA ka parë edhe organizimet që janë bërë dhe na dhanë këtë mundësi. Besoj se do e organizojmë shumë mirë.

 

Të Lidhura

Vlorë, 78-vjeçari gjendet pa shenja jete në përrua –

E rëndë në Vlorë/ 4-vjeçari dërgohet pa shenja jete në spital, mister rrethanat e humbjes së jetës –

nga 27
13:59 | 07/02/2026
0

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur këtë të shtunë, në qytetin e Vlorës. Një fëmijë 4-vjeçar është dërguar...

Duhet t’a nisim nga vetja –

Kushtetuesja pezulloi Ballukun, ‘shpërthen festa’ në burgun e Durrësit ku po qëndron Veliaj –

nga 27
13:53 | 07/02/2026
0

Gjykata Kushtetuese vendosi mbrëmjen e djeshme mos pranimin e kërkesës së kryeministrit Edi Rama për shpalljen anti-kushtetuese të masës së...

Bela, ty asgjë nuk të ndal! –

Bela, ty asgjë nuk të ndal! –

nga 27
13:35 | 07/02/2026
0

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e qeverisë për të hequr pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Vendim i qartë, zyrtar...

Kreu tradhti të lartë duke kapur flamurin e zi të Ramës –

Kreu tradhti të lartë duke kapur flamurin e zi të Ramës –

nga 27
12:55 | 07/02/2026
0

Kryedemokrati Sali Berisha ka komentuar emërimin e Dashnor Sulës në postin e Kryeinspektorit të Përgjithshëm. Në një lidhje live në...

Para
SPAK duhet të hetojë Mirela Kumbaron për skandalin e mbetjeve të rrezikshme –

SPAK duhet të hetojë Mirela Kumbaron për skandalin e mbetjeve të rrezikshme -

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

 

                  Shkarkoni aplikacionin në celularin tuaj.

Të Fundit

Vlorë, 78-vjeçari gjendet pa shenja jete në përrua –

E rëndë në Vlorë/ 4-vjeçari dërgohet pa shenja jete në spital, mister rrethanat e humbjes së jetës –

13:59 | 07/02/2026
Duhet t’a nisim nga vetja –

Kushtetuesja pezulloi Ballukun, ‘shpërthen festa’ në burgun e Durrësit ku po qëndron Veliaj –

13:53 | 07/02/2026
Bela, ty asgjë nuk të ndal! –

Bela, ty asgjë nuk të ndal! –

13:35 | 07/02/2026
Kreu tradhti të lartë duke kapur flamurin e zi të Ramës –

Kreu tradhti të lartë duke kapur flamurin e zi të Ramës –

12:55 | 07/02/2026
Rama kërkoi të bënte’ grusht shteti’ me Ballukun, Kushtetuesja e hodhi në koshin e plehrave –

Rama kërkoi të bënte’ grusht shteti’ me Ballukun, Kushtetuesja e hodhi në koshin e plehrave –

12:45 | 07/02/2026

Më Të Lexuarat

  • E rëndë në Vlorë/ 4-vjeçari dërgohet pa shenja jete në spital, mister rrethanat e humbjes së jetës –
  • Kushtetuesja pezulloi Ballukun, ‘shpërthen festa’ në burgun e Durrësit ku po qëndron Veliaj –
  • Bela, ty asgjë nuk të ndal! –
  • Kreu tradhti të lartë duke kapur flamurin e zi të Ramës –
  • Rama kërkoi të bënte’ grusht shteti’ me Ballukun, Kushtetuesja e hodhi në koshin e plehrave –
  • SPAK duhet të hetojë Mirela Kumbaron për skandalin e mbetjeve të rrezikshme –

© Copyright 27.al © 2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara

RRETH NESH

  • TV27
  • VIDEO
  • VEÇ E JONA
  • FOTO DITE

Kategorite Kryesore

SHQIPËRI

OPINION

KOSOVE – RAJONI

GOSSIP

ART KULTURE

SPORT

BOTA

EDITORI

  • E rëndë në Vlorë/ 4-vjeçari dërgohet pa shenja jete në spital, mister rrethanat e humbjes së jetës –
  • Kushtetuesja pezulloi Ballukun, ‘shpërthen festa’ në burgun e Durrësit ku po qëndron Veliaj –

© 2025 27.al Dev by Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Shqiperi
  • Opinion
  • Kosove Rajon
  • Gossip
  • Art Kulture
  • Sport
  • Bota

© 2025 27.al Dev by Techzero1.com