Policia e Tiranës ka njoftuar masat e rendit dhe ndryshimet në qarkullimin rrugor për protestën e paralajmëruar nga Adriatik Lapaj, kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, e cila do të zhvillohet sot, në orën 12:00, përpara Kryeministrisë.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 11:00 dhe deri në përfundim të protestës, do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, konkretisht në segmentin që nis nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali”.
Policia bën me dije se do të jetë e pranishme me forca të shtuara për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e qarkullimit rrugor në zonat përreth. Drejtuesve të mjeteve u kërkohet të shmangin këto akse dhe të përdorin rrugë alternative gjatë orarit të protestës.
Autoritetet apelojnë për respektimin e udhëzimeve të policisë dhe për zhvillimin paqësor të protestës.










