Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e regjistruar mbrëmjen e kaluar në Lezhë, ku mbeti i plagosur,30-vjeçari Sokol Daci.
Ngjarja u regjistrua në vendin e njohur si “Kthesa e Rrilës”, ku persona ende të paidentifikuar hapën zjarr drejt një berberhane duke lënë të plagosur 30-vjeçarin, që rezulton dhe pronari i biznesit.
Daci ka marrë tre plumba në trup dhe është nisur drejt spitalit të Traumës për ndihmë mjekësore, ndërkohë 3 autorët dyshohet të jenë larguar në drejtim të paditur me një automet tip “Audi”.
Sakaq burime bëjnë me dije se bashkë me Dacin, në berberhane, ka qenë dhe një polic, i cili ka deklaruar se nuk i ka parë autorët të cilët kanë qëlluar me armë zjarri.
Gjithashtu, mësohet se i pranishëm ka qënë edhe një pjesëtar i fisit Nikulaj, i cili dyshohet se ka mbetur po ashtu i plagosur, por nuk është paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Identiteti i autorëve ende nuk dihet, ndërsa ka dyshime se Daci nuk ishte shënjestra e atentatit.
Çfarë njoftoi Policia për ngjarjen?
Rreth orës 21:00, salla operative e DVP Lezhë është njoftuar se në qendër të fshatit Rrilë, Lezhë, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore, ku ka rezultuar se ka mbetur i plagosur shtetasi S. D., 30 vjeç, banues në Rrilë. I plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se shtetasi S. D. ndodhej në biznesin e tij në momentin kur është qëlluar me armë zjarri.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë krehjen e zonës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.








