Alarmi i Bashkimit Europian për largimin e menjëhershëm nga tregu të qumështit Aptamil, i cili ka rezultuar i kontaminuar me toksinën cereulide, ka zbuluar një skandal të përmasave të mëdha në vendin tonë. Ky produkt është importuar nga ‘Life Care Nannys’, me administrator shtetasin Sotirios Baliouskas
Në datën 18.3.2026, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se qumështi Aptamil u tërhoq nga tregu dhe do të asgjësohet, pasi paraqet rrezik për shëndetin e foshnjave.
Sipas AKU, sasia e importuar e qumështit është 1.008 kuti, nga të cilat 642 copë janë shitur dhe janë bllokuar vetëm 366 kuti.
AKU ka njoftuar prindërit në datën 18.3.2026 se qumështi që ka dalë me probleme duhet të kthehet te pikat ku e kanë blerë, ndërkohë në mënyrë paradoksale sipas përgjigjes zyratre te AKU rezulton se ky qumësht është asgjësuar që në datën 13 mars, pra pesë ditë para se të publikohej njoftimi.
Si është e mundur që një produkt i shpallur me rrezik për shëndetin e foshnjave të jetë asgjësuar përpara njoftimit të publikut?
Nëse kjo të dhënë merret e mirëqenë, atëherë ngrihet një tjetër dyshim serioz: institucioni ka pasur dijeni që femijët po ushqeheshin me qumështin e rrezikshëm dhe i ka njoftuar prindërit shume ditë me vonë që të nderpresin perdorimin e tij.
Nderkaq, sipas Oranews TV, AKU refuzon të na vërë në dispozicion një informacion publik, duke ngritur dyshime për procesin e asgjësimit, ndërkohë që bëhet “mburojë” e një subjekti privat duke deklaruar se subjekti nuk ka dhënë pëlqimin për dhënien e informacionit të kërkuar nga ana juaj.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar meheret tërheqjen nga tregu të qumështit për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA”, pasi është konstatuar prania e një bakteri të rrezikshëm, Bacillus cereus, në formulën për bebe.
Sipas njoftimit zyrtar, sinjalizimi ka ardhur nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin (RASFF), me referencë 2026.0663, pas kontrolleve të kryera në Gjermani. Aty është zbuluar prania e cereulide, një toksinë e prodhuar nga Bacillus cereus, e rrezikshme sidomos për shëndetin e foshnjave.
Produkti i prekur është:
•APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED
•Nr. artikulli: 172911
•Skadenca: 10/11/2026
AKU njofton se inspektorët janë angazhuar për tërheqjen e produktit nga tregu dhe u bën thirrje qytetarëve që, nëse e kanë blerë, ta mos e përdorin dhe ta kthejnë në pikat e shitjes.
Por problemi kryesor mbetet reagimi me vonesë.
Sa kohë ka qenë ky produkt në treg?
Sa foshnja e kanë konsumuar?
Pse prindërit informohen vetëm pasi alarmi vjen nga jashtë dhe jo nga kontrollet e vetë AKU-së?
Flitet për një produkt jetik për foshnjat, ndërsa kontrolli real duket se bëhet vetëm kur institucionet europiane ngrenë alarmin. Ndërkohë, prindërit mbeten të pasigurt dhe të painformuar në kohë.
AKU duhet të japë sqarime të plota dhe transparente, sepse siguria ushqimore nuk mund të funksionojë me parimin “më mirë vonë se kurrë”, sidomos kur në lojë është shëndeti i fëmijëve.










