Aktori i emisionit veror “Bukë me vete” që transmetohet në Ora News, është goditur me tytën e pistoletës në nofull, nga një person i paidentifikuar.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në Ksamil, pasi grupi kishte përfunduar xhirimet në një prej lokaleve të zonës.
Aktori ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa pas konfliktit stafi i emisionit ka njoftuar policinë dhe kanë bërë denoncimin.
Si ndodhi ngjarja?
Një person ka dalë nga restoranti ku kishin përfunduar xhirimet dhe i ka dalë përpara mjetit ku udhëtonte aktori Enea Arapi dhe i ka kërkuar të ndalë makinën. Enea Arapi ka dalë nga makina dhe ka debatuar me personin, i cili mbante një pistoletë në brez.
Personi që e ka goditur me pistoletë i ka kërkuar aktorit të ulë shpejtësinë edhe pse makina nuk ka qenë me shpejtësi të lartë.
Stafi i emisionit në prononcimin për Ora News deklaron se pasi policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes, i kishte shoqëruar ata në një shkollë për të denoncuar ngjarjen.
Ata deklarojnë se kamerat e sigurisë të restorantit ku ka ndodhur ngjarja janë hequr dhe për këtë arsye nuk është bërë ende identifikimi i autorit.
/OraNews/