Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka përfunduar fjalimin e tij në parlamentin britanik me një thirrje ndaj deputetëve britanikë dhe botës për avionë luftarakë për Ukrainën. “Kërkojmë avionë luftarakë për Ukrainën. Krahë për liri”, tha ai.
Zelenskyy gjithashtu i falenderoi të gjithë për ndihmën.Komentet e tij u pritën me të qeshura dhe duartrokitje të forta nga salla. “Unë do të largohem nga Parlamenti sot, duke ju falënderuar të gjithëve paraprakisht për avionët e fuqishëm anglezë,” tha ai.
Presidenti Zelenskyy zhvilloi sot vizitën e tij të parë në Britaninë e Madhe, që nga pushtimi rus i Ukrainës vitin e kaluar. Kjo pason vizitën e tij në SHBA në dhjetor. Udhëheqësi ukrainas u prit me duartrokitje që vazhduan për disa minuta teksa qëndronte në podiumin e parlamentit britanik. Zelenskyy e nisi fjalimin e tij me optimizëm dhe shpresën për të fituar ndaj agresionit rus.
Ai tha se ukrainasit dhe britanikët mbrojtën lirinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai u bën thirrje deputetëve dhe botës për avionë luftarakë për Ukrainën. Edhe pse aleatët perëndimorë kanë shtuar furnizimet me armë të rënda, raketa me rreze të gjatë dhe tanke për Ukrainën në muajt e fundit, ata deri më tani kanë refuzuar të ofrojnë avionë luftarakë modernë. Zelenskyy theksoi rëndësinë e mbajtjes së një rendi botëror të bazuar në rregulla, të drejtat e njeriut dhe drejtësia.
Deputetët, kolegët, gazetarët, klerikët dhe personalitetet e ndryshme kanë qenë të gjithë të pranishëm për të dëgjuar fjalimin e Zelenskyyt në Westminster Hall. I pranishëm ishte gjithashtu edhe ish-kryeministri britanik Boris Johnson. Ai u prit me duartrokitje që vazhduan për disa minuta teksa qëndronte në skenë.