KESH i drejtuar nga Ergys Verdho vazhdon të keqmenaxhojë burimet e energjisë elektrike dhe të thellojë krizën. Pak ditë më parë, kur vendi u mbyt nga reshjet e shumta, KESH e shiti energjinë me çmime të lira. Në ato ditë ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, tha se do të shitet energji dhe se rezerva ka mjaftueshëm.
Por, si gjithmonë, zyrtarët tanë e përdorin fatkeqësinë për të nxjerrë fitime për vete. Energjia është shitur me çmim shumë të ulët, në raport me vlerën që regjistronte bursa hungareze HUPX për vendet e rajonit. Le t’ia nisim në 10 ditët e fundit, pasi nga të dhënat e KESH-it më shumë energji është shitur nga 20 nëntor 2022 deri në 5 dhjetor 2022.
Sakaq, nga data 19 nëntor deri me datë 5 dhjetor 2020, çmimi më i lartë me të cilin ka shitur energji KESH është 233.13 Euro/MWh. Ndërsa në bursë, nga data 1 dhjetor deri me 5 dhjetor, çmimi i energjisë ka arritur pikun me vlerën 474 Euro/MWh. Pra, ne kemi shitur energji 240 Euro më lirë. Kjo diferencë ka ndodhur pikërisht në datën 2 dhjetor kur çmimi i shitjes së energjisë ka arritur kulmin.
Çmimi në bursën hungareze
Shitjet nga KESH
Nëntori me humbje nga shitjet abuzive të energjisë
Ndërkohë, në të dhënat e siguruara nga Gijotina.com evidentohet se edhe në ditët e fundit të muajit nëntor, kur vendi në dy javë rresht po përballej me shira dhe përmbytje, KESH sërish shiste energjinë sa gjysma e çmimit në bursa. Në bursat e huaja nga data 22 nëntor deri me 26 nëntor 2022, kulmi i shitjeve të energjisë ka arritur në vlerën 316 Euro/MWh. Ndërsa KESH ka shitur energji me 147 Euro/ MWh, vlera maksimale e regjistruar.
Shifrat nga bursa hungareze:
Shitjet nga KESH
Kështu është vepruar edhe ditët e fundit të nëntorit, konkretisht datat 26 deri më 29 nëntor 2022, të cilat janë mbyllur me sasi të konsiderueshme energjie të shitur, por në çmim të ulët. Sipas të dhënave, në këto ditë Shqipëria ka shitur energji me çmimin maksimal rreth 285,75 Euro/ MWh. Ndërsa në bursat ndërkombëtare shit-blerja e energjisë elektrike shënonte vlerat 452 Euro/ MWh.
Shifrat nga bursa hungareze
Shitjet e KESH
Gjithë vitin Shqipëria bleu më shtrenjtë
Ndërsa tani shet çmim me energji të lirë dhe nuk ruan rezerva. Gjatë verës, KESH mbetet në krizë dhe blen energji me çmimin shumë më të lartë nga se regjistron bursa hungareze “HUPX”. Në muajt e verës ka patur një rritje drastike të çmimeve të energjisë në Bursën Hungareze HUPX, ku kulmi është arritur në datën 30 Gusht, me çmim mesatar ditor prej 748.97 Euro për 1 Megavat orë, çmim rreth 5-fish në shumë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm.
Në atë muaj KESH sh.a ka blerë 665,060 MWh Energji Elektrike me vlerë totale rreth 221,68 milionë Euro pa TVSH. Me Vendimin nr. 498, datë 29.07.2022 Qeveria i akordoi KESH fondin prej 8 miliardë Lekësh apo rreth 68 milionë Euro me qëllim mbulimin me likuiditet të veprimtarisë operacionale të shoqërisë.
Sipas të dhënave të përmbledhura nga Open Data Albania Çmimi mesatar i ponderuar i blerjes së energjisë në treg të hapur nga KESH sh.a për periudhën Janar-Gusht 2022 është 333.32 Euro për Megavat orë. Kryesisht çmimi me të cilin KESH ka blerë energji elektrike është më i lartë se çmimi mesatar bursës Hungareze HUPX.
Çmimi mesatar mujor më i lartë i energjisë së blerë vihet re në Muajin Gusht 2022 me 482.26 Euro/MWh. Ndërkohë, diferenca më e lartë në çmim vihet re në muajin Korrik. Ku 1 Megavat MWh është blerë nga KESH me çmimin 442.84, rreth 71.74 Euro/MWh më shumë krahasuar me Bursën HUPX.
Esmeralda Hida
Lexo edhe: “E ka alergji Shkodrën”, Berisha: Importuan energji me 230 euro