Ndeshja çerekfinale e Kupës së Serbisë mes FK Novi Pazar dhe Crvena Zvezdas u zhvillua nën një atmosferë shumë të tensionuar, me incidente të shumta në tribuna dhe jashtë stadiumit.
Skuadra nga Beogradi arriti të fitojë me rezultatin 2-0, duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës së Serbisë. Megjithatë, vëmendja kryesore nuk ishte te loja në fushë, por te ngjarjet që ndodhën në tribuna gjatë ndeshjes.
Takimi u ndërpre që në sekondën e 50-të për rreth shtatë minuta, ndërsa gjatë ndeshjes pati edhe disa ndërprerje të tjera për shkak të tensioneve.
Situata eskaloi në përleshje mes tifozëve dhe forcave të policisë, duke krijuar një atmosferë kaotike në stadium.
Gjatë ndeshjes, tifogrupi i Zvezdës, i njohur si Delije, brohoriti emrin e kriminelit të luftës Ratko Mladić.
Në anën tjetër, tifozët vendas të Novi Pazarit u kundërpërgjigjën me thirrjet “Naser Orić” dhe “Kosova është shqiptare”, duke kënduar edhe këngë me përmbajtje politike, mes tyre vargjet: “Mbetët pa Kosovën, ishte serbe, tash është shqiptare… Kosova nuk do të kthehet”.
Pas incidenteve, nga qeveria e Serbisë është propozuar që Federata Serbe e Futbollit të marrë masa disiplinore, duke përfshirë mundësinë e ndalimit të tifozëve mysafirë në ndeshjet e futbollit.
Tifozët e Novi Pazarit njihen për rivalitetin e ashpër me shumë grupe tifozësh serbë dhe shpesh në stadium brohorasin në mbështetje të Kosovës, gjë që shkakton reagime të forta nga kundërshtarët e tyre.








