Pas sulmit në koncertin e Ariana Grande, ku humbën jetën 22 persona, Manchesteri i tha jo terrorizmit dhe frikës.
Këngëtarja amerikane u rikthye në qytetin britanik mbrëmjen e së dielës, duke kryesuar një koncert bamirësie për 50 mijë fansa në “Old Trafford”, më pak se 3 km larg “Manchester Arena”-s.
Këtë herë, Grande nuk ishte vetëm, por e shoqëruar nga Miley Cyrus dhe “Black Eyed Peas”, Katy Perry, “Coldplay”, Robbie Williams, Liam Gallagher dhe Justin Bieber.
“Ju dua shumë dhe mendoj se kjo lloj dashurie e uniteti që po tregoni është ilaçi që i duhet botës”, tha Ariana Grande.
Organizatorët thanë se shfaqja kishte grumbulluar dy milionë paund për viktimat dhe familjarët përmes donacioneve “online”, duke e çuar totalin e fondit “Ne e duam Manchesterin” në më shumë se 10 milionë paund.