Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj disa vendeve në Venezuelë, duke përfshirë bazat ushtarake në vend. Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në orën 2 të mëngjesit sipas orës lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, dhe vende të tjera në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.
Aksioni ushtarak u urdhërua nga Presidenti Trump, cili në javët e fundit kishte ngritur mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës dhe kishte deklaruar se ditët e Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, ishin “të numëruara”, pasi vendosi një flotë anijesh luftarake në Karaibe.
Përmes një reagimi Trump tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit.
Qeveria venezueliane konfirmoi se sulmi – një “akt shumë serioz agresioni” – goditi Karakasin dhe disa zona të tjera të vendit dhe u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe shoqërore të aktivizojnë planet e mobilizimit. “Ne do të mbrohemi”, deklaroi qeveria në Karakas.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të vënë në dorë burimet e vendit tonë”, thuhet më tej në deklaratë.
Disa dëshmitarë të cituar nga agjencitë ndërkombëtare flasin për avionë ushtarakë që dëgjohen duke fluturuar në lartësi të ulët dhe për “të paktën shtatë shpërthime”.
“Po ndjek situatën me përfaqësinë tonë diplomatike në Karakas, me vëmendje të veçantë ndaj komunitetit italian”, komentoi Ministri i Jashtëm Antonio Tajani, duke specifikuar se Kryeministrja Giorgia Meloni është vazhdimisht e informuar.
Imazhet e zjarreve të mëdha me re tymi janë të dukshme në mediat sociale, shkruan AFP, por ende nuk është e mundur të përcaktohet vendi i saktë i këtyre shpërthimeve.
Sipas raporteve fillestare, u goditën bazat ushtarake, konkretisht Fort Tiuna, dhe baza ajrore La Carlota. Nga ana tjetër raportohet se u godit edhe porti i kryeqytetit.
Banorët e disa lagjeve dolën në rrugë; disa shpërthime ishin të dukshme në distancë nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Sipas CNN, disa lagje në kryeqytet mbetën pa energji elektrike.
Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe qeverive të Venezuelës kanë qenë të larta për javë të tëra dhe ditët e fundit ushtria amerikane ka shënjestruar anije që dyshohet se përdoren nga trafikantët e drogës. Presidenti Trump njoftoi të hënën se SHBA-të kishin shkatërruar një vend zbarkimi të përdorur nga anijet e akuzuara për pjesëmarrje në trafikun e drogës në Venezuelë – sulmi i parë tokësor i SHBA-së në tokën e Venezuelës.
Sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë të cituar nga CBS, Trump i kishte dhënë dritën jeshile planit për sulmin e sotëm ditë më parë. Mundësia e kryerjes së misionit ditën e Krishtlindjeve ishte marrë në konsideratë, por sulmet ajrore amerikane në Nigeri kundër objektivave të Shtetit Islamik kishin përparësi, thanë burimet.
Të premten, Venezuela tha se ishte e hapur për të negociuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të luftuar trafikun e drogës.
Megjithatë, Maduro tha në një intervistë të pararegjistruar të transmetuar të enjten se Shtetet e Bashkuara synojnë të detyrojnë një ndryshim qeverie në Venezuelë dhe të fitojnë akses në rezervat e saj të mëdha të naftës përmes një fushate presioni disamujore, e cila filloi me një vendosje masive ushtarake në Detin e Karaibeve gushtin e kaluar./Corriere della Sera










