Radha kilometrike vijon edhe sot në pikën kufitare të Kakavijës, ku emigrantët shqiptarë po kthehen drejt vendeve të tyre të punës pas festave.
Kolonat e automjeteve arrijnë deri në 7 kilometra, ndërsa pritja në doganë shkon mbi 3 orë.
Situata e rënduar është shkaktuar kryesisht nga pala greke, e cila po punon vetëm me dy sportele, ndërkohë që pala shqiptare ka në funksion katër sportele, në përpjekje për të përballuar fluksin e lartë.
Emigrantët shprehen të revoltuar pasi shumë prej tyre jetojnë në ishuj dhe nesër duhet ti kthehen punës.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar kufirin mbi 9 mijë shtetas, shumica emigrantë që rikthehen në Greqi për të rifilluar punën.
Fluksi i lartë ka sjellë lodhje dhe shqetësim te udhëtarët, të cilët presin për orë të tëra në kushte të vështira.








