Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk arriti as këtë të hënë të zhvillonte një seancë dëgjimore me gjyqtaren e Gjykatës së Elbasanit Enkeleda Kapedani. Kapedani, që ishte ftuar në seancën e tretë dëgjimore që prej nëntorit 2021, i kishte dërguar KPK një raport shëndetësor që tregonte pamundësi të paraqitej në seancë.
Trupa e kryesuar nga Genta Tafa Bungo me anëtare Pamela Qirko dhe relatore Brunilda Bekteshi, njoftoi se kishte pranuar kërkesën për të shtyrë seancën, ndërsa ishte marrë vendim që Kapedanit t’i kërkohej të siguronte që të ishte e pranishme ose të përfaqësohej me avokat në seancën e rradhës në datë 16 maj.
Kjo është seanca e tretë dëgjimore ndaj Kapedanit, hetimi ndaj të cilës është rihapur dy herë. Pas dy seancave të para në nëntor 2021 dhe janar 2022, hetimet u hapën sërish pas një gjetje nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Pas përfundimit të hetimit KPK njoftoi Kapedanin për seancën e tretë dëgjimore mbi gjetjet e reja, por seanca e lënë në 5 maj dhe ajo e të hënës u shtynë për shkak të raporteve mjekësore nga gjyqtarja.
Kapedani është hetuar në të tri kriteret, ndërsa i janë kërkuar shpjegime për disa transaksione. Prej janarit të këtij viti gjyqtarja është e pezulluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas publikimit të disa videove të saj në rrejtin social Tik-Tok që u konsideruan jo etike.
Pretendimet për kamionin
Gjatë seancës së parë, anëtarët e Komisionit dhe përfaqësuesi i ONM u ndalën gjatë me pyetje lidhur me transaksionet e kryera nga bashkëjetuesi i subjektit në blerjen dhe shitjen e një kamioni. Relatorja Bekteshi sqaroi atëherë se bashkëjtuesi i Kapedanit e kishte blerë kamionin për 950 mijë lekë në vitin 2016 dhe e kishte shitur disa muaj më vonë në vlerën 32 mijë euro.
Ndërkohë, në fillim të vitit 2017 është nënshkruar një kontratë huadhënie nga bashkëjetuesi në favor të shitësit të kamionit L.L., në shumën 28 mijë euro. Kapedani ka deklaruar se huaja është dhënë në vitin 2016 dhe si burim ka qenë vlera e përfituar nga shitja e kamionit.
KPK ngriti dyshime për transaksionet për shkak të diferencës së madhe mes çmimit të blerjes me atë atë shitjes së kamionit.
Për shkak se nuk është vërtetuar pagesa e tatimit në kohë reale, KPK nuk e ka përfshirë në analizën financiare për dhënien e huasë vlerën e përfituar nga shitja e kamionit, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare.
Kapedani theksoi në seancën e të mërkurës se u kishte kërkuar tatimeve informacion se kur i kishte paguar bashkëjetuesi detyrimet tatimore për të ardhurat e siguruara nga ky transaksion, prej nga kishte rezultuar se ishte kryer në maj të vitit 2021.
“Por kam pasur dhe kam bindjen se për këto të ardhura nuk paguhet tatim. Bashkëjetuesi e ka paguar tatimin me iniciativën e tij, pa më pyetur mua, duke menduar se mund të më dëmtonte në këtë process,” deklaroi Kapedani dhe vijoi se nëse do të kishte pasur dijeni për pagesën që do kryente bashkëjetuesi, do t’i kishte kërkuar ta bënte më parë, që ta përdorte për të kundërshtuar gjetjet e hetimit administrativ.
Për të mbrojtur qëndrimin e saj, Kapedani solli në vëmendje një vendim të KPA-së, ku sipas saj ishte konstatuar se për vlerat e dhuruara nuk paguhej tatim. Ajo këmbënguli se dhe në këtë rast, megjithëse bëhej fjalë për të ardhura nga shitja e mjetit, tatimet kishin konfirmuar për bashkëjetuesin nëpërmjet një pergjigje me shkrim, se këto lloj të ardhurash janë të patatueshme.
Kryesuesja Genta Tafa Bungo vërejti se nuk bëhet fjalë për të njëjtën situatë, pasi në rastin e vlerave të dhuruara konsiderohet se detyrimet tatimore janë shlyer prej dhuruesve. Por sipas subjektit, ndryshimet ligjore të vitit 2008 e kishin hequr detyrimin për pagimin e tatimit për të ardhurat e siguruara nga shitja e pasurive të luajtshme.
Në vijim, Kapedani u ndal në periudhën e pagesës së detyrimeve tatimore. Kapedani evidentoi se në disa vendime të mëparshme të KPK-së ishte pranuar se dhe në rastet kur detyrimet tatimore paguheshin me vonesë ato konsiderohen burime të ligjshme, pasi institucionet e tatimeve i kishin pranuar duke vendosur penalitet financiar.
“Nuk mund të penalizohet një qytetar se nuk pagoi një tatim që nuk është i detyruar ta paguajë,” argumentoi Kapedani.
Shitjen e kamionit në një vlerë disa herë më të lartë nga çmimi i blerjes ajo e konsideroi si një rast sporadik. “Mund të ndodhë një herë në jetë një rast i tillë,” deklaroi Kapedani dhe solli në vëmendje se këtë shprehje e kishte pohuar një prej vëzhguesve ndërkombëtarë gjatë një seance dëgjimore për një subjekt tjetër.
Sipas Kapedanit, vëzhguesi ndërkombëtar kishte shprehur qëndrimin e tij lidhur me tre raste të përsëritura kur subjekti tjetër i rivlerësimit kishte shitur tre makina më lirë nga sa i kishte blerë, duke deklaruar: “Mund të ndodhë një herë në jetë, por jo tre herë”.
Kundërshtimi i denoncimeve
Gjyqtarja Kapedani i quajti denoncimet e kryera ndaj saj dashakeqe dhe të pavërteta. Ajo deklaroi se në disa raste kishte komunikuar me denoncuesit dhe ata i kishin thënë se nuk ishte e vërtetë që kishin kryer denoncime, duke nënshkruar dhe deklarata noteriale, për të cilat subjekti pohoi se i ka dorëzuar si prova në KPK.
Anëtarja e trupës, Pamela Qirko e pyeti Kapedanin se si kishte komunikuar me denoncuesit dhe nëse kishte ushtruar presion që ata të ndryshonin qëndrim. Subjekti shpjegoi se kishte komunikuar nëpërmjet avokates së saj dhe se personat në emër të të cilëve ishin kryer disa prej denoncimeve, nuk ishin denoncuesit e vërtetë.
“Edhe ata u indinjuan kur e mësuan këtë gjë, pasi thanë se nuk kanë lidhje me këto denoncime dhe kanë nënshkruar deklarata noteriale që e vërtetojnë këtë fakt,” pohoi subjekti dhe shtoi se për të qartësuar më shumë Komisionin, kishte kërkuar që të thërriteshin si dëshmitarë në proces.
Lidhur me gjetjet e KPK-së bazuar në një prej denoncimeve, nga ka rezultuar se subjekti ka shqyrtuar një çështje gjatë periudhës së karantinës në prill të vitit 2020 duke disponuar me vendim pushimi të asaj çështje, Kapedani u mbrojt me aktin normativ. Sipas saj, akti normativ parashikonte se dhe gjatë periudhës së karantinës mund të zhvilloheshin gjykime nëse kërkohej nga i pandehuri, ashtu siç kishte ndodhur sipas saj në këtë rast.
Në një denoncim tjetër pretendohet se subjekti ka ndryshuar masën e sigurisë të vendosur nga Apeli për dy administratorët e një shoqërie, nga ‘ndalim për udhëtim jashtë shtetit’ në ‘detyrim paraqitje’. Kapedani sqaroi se shoqëria e ushtronte aktivitetin dhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe për këtë arsye, administratorët kishin kërkuar që të hiqej masa e sigurisë që i ndalonte të udhëtonin jashtë shtetit.
Sipas subjektit, kërkesën e parë e kishte rrëzuar, por pasi ata kishin dorëzuar prova të reja e kishte pranuar, duke vendosur masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje”, që sipas saj ishte më e rëndë nga ajo e caktuar prej Apelit.
Lidhur me pretendimin e prokurorisë se subjekti kishte shqyrtuar kërkesën e ndryshimit të masës së një prej këtyre të proceduarve jashtë kompetencës së saj, pasi çështja ishte dërguar për gjykim dhe duhej të trajtohej nga gjyqtari seancës paraprake, Kapedani u mbrojt duke pretenduar se legjislacioni ishte i paqartë për këto situata dhe sipas saj, gjykata të ndryshme kanë mbajtur qëndrime të ndryshme.
Për ndryshimin e masës së sigurisë së dhënë prej saj nga gjykata më e lartë, subjekti u shpreh se nuk mund ta ngarkohej me përgjegjësi përderisa nuk kishte të provuar një qëllim dhe nuk kishte sjellë pasoja për palët apo në interes të drejtësisë.
Ajo kundërshtoi dhe një denoncim ku ngrihen pretendime se subjekti dhe bashkëjetuesi i saj mund të jenë përfshirë në një aferë korruptive nëpërmjet një avokati për heqjen e masës së sekuestros së një firme. Denoncuesi ka dorëzuar në Komision një foto ku shfaqet bashkëjetuesi i Kapedanit me një avokat.
“Denoncuesi është vetë avokat. E kam kontaktuar dhe ai e mohon të ketë bërë foton. Kam depozituar dhe deklaratën noteriale të nënshkruar prej tij për këtë fakt,” pohoi Kapedani dhe e quajti informacionin të rremë. Sipas subjektit, bashkëjetuesi i ka sqaruar se fotoja është realizuar ditën që janë publikuar videot e saj në Tik Tok dhe se ai kishte shkuar në gjykatë për mbështetje morale, ashtu si dhe kolegë të saj, prokurorë dhe avokatë.
Kapedani deklaroi se pasi bashkëjetuesi kishte dalë nga zyra e saj, disa avokatë e kanë takuar për t’i dhënë mbështetje morale. Ajo këmbënguli se takimi ka qenë për këtë arsye dhe se nuk ka zgjatur më shumë se një minutë. Subjekti dha shpjegime të zgjeruara dhe për dy çështje të tjera të denoncuara nga publiku pas seancës së parë dëgjimore.
Qëndrimi për videot e Tik Tok
Gjyqtarja Enkeleda Kapedani e cilësoi publikimin e videove në rrjetin social Tik Tok si një gjë të gjykuar nga KLGJ. “Inspektori i Lartë i drejtësisë nuk provoi se videot janë publikuar prej meje. I kam bërë unë, por nuk i kam publikuar. KLGJ dhe ILD kanë arritur në konkluzionin se nuk është cënuar besimi i publikut,” deklaroi Kapedani dhe ngriti dyshime se videot mund t’i jenë marrë kur e ka çuar telefonin për servis.
Ajo e quajti si sulm ndaj saj publikimin e videove dhe denoncimet. “E di shumë mirë kush i bën këto denoncime. E gjithë kjo pasi nuk bëj kompromis dhe nuk përdorem nga disa gjyqtarë e prokurorë të Elbasanit që vendosin gjoba,” tha ndër të tjera Kapedani dhe i kërkoi trupi gjykues dhe vëzhguesit ndërkombëtar të mos bien në grackën e tyre. Kryesuesja Bungo i tërhoqi disa herë vëmendjen subjektit, duke theksuar faktin se Komisioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar zotërojnë profesionalizmin e duhur që të mos ngrihen dyshime të tilla prej saj.
Kapedani i kërkoi Komisionit që të mos e vlerësojë situatën e videove, pasi sipas saj do të cënoheshin parimet kushtetuese të gjësë së gjykuar, si dhe do të cënohej besimi i publikut tek KLGJ, që tashmë ka marrë një vendim.
“Kërkoj drejtësi dhe shpifja e balta të mos ndikojnë. Thjesht kërkoj që mos të më hyni në hak,” deklaroi Kapedani.
Kryesuesja Genta Tafa Bungo evidentoi faktin se KLGJ kishte miratuar një marrëveshje dhe e pyeti subjektin nëse këtë vendimarrje e konsideronte si gjë të gjykuar dhe se cila ishte shkelja e paprovuar.
Kapedani këmbënguli se bëhet fjalë për një situatë të gjykuar dhe pohoi se shkelja e paprovuar ishte publikimi i videove. E pyetur nga vëzhguesi ndërkombëtar, Gerrit Sprenger, se kush e kishte mbyllur llogarinë e saj në Tik Tok një ditë pas publikimit të videove në media, subjekti tha se nuk e dinte.
Në vijim, Qirko dhe Bungo u ndalën në një mandat pagese në shumën 35 mijë lekë të depozituar si provë nga subjekti për të vërtetuar servisin e telefonit. Bungo evidentoi se duhej që në këtë rast të ishte pajisur me kupon tatimor ose më e pakta me mandat arkëtim, ndërsa shtoi se blloqet me fatura mandat pagese gjenden rëndom në pika shitje. “Kjo më lind dyshime ekstra,” pohoi Bungo, ndërsa Kapedani u mbrojt se çështja e Tik Tok nuk ka lidhje fare me këtë proces.
Bungo i kërkoi subjektit të sqaronte gjuhën e përdorur në parashtrime ku shprehej me fraza: “Mjaft më!”; “Stop!”; “Boll më!”, etj.
Kur Kapedani tha se u drejtohej të tretëve që sipas saj i kishin rënë më qafë këto tre muaj, Bungo u shpreh se deri në këto momente e kishte marrë për presion.
Në përfundim të seancës, gjyqtarja Enkeleda Kapedani kërkoi konfirmimin në detyrë. “Mendoj se e meritoj,” u shpreh ajo./ Reporter.al