Shtyhet seanca në GJKKO ndaj Erion Veliajt dhe 29 të pandehurve të tjerë në këtë dosje.
SPAK i ka kërkuar Gjykatës që avokati që ka zgjedhur Veliaj të përfaqësohet, nuk mund të ushtrojë këtë detyrë pasi është marrë në pyetje si person që ka dijeni për këtë dosje.
Bëhet fjalë për ish-deputetin e PS Plarent Ndreca, i cili është marrë nga Veliaj si avokat mbrojtës. Pas shqyrtimit të kërkesës Gjykata vendosi që Ndreca në këtë moment, nuk përbën problem që të mbrojë Veliaj.
Sakaq, gjykata vendosi që të shtyhet seanca për shkak se i pandehuri Meriman Palushi ishte pa mbrojte, ndërsa po ashtu ka pezulluar afatet e paraburgimit për Veliajn dhe të pandehurit që janë me masë arrest në shtëpi.
Pjesë nga diskutimet në sallë:
Gjykata: Duke qenë se janë shumë të pandehur dhe duke qenë se i janë vënë me dy shkresa materialet Erion Veliaj njëra prej të cilave Veliaj është vënë në dijeni me vendimin e gjykatës dhe në tjetrin përshkruhet gjithë ecuria e dorëzimit të akteve, rezulton që është refuzuar marrja e akteve nga i pandehuri Erion Veliaj dhe si përfundim Veliaj nuk pranoi ti marrë. Më pas oficeri i policisë gjyqësore përshkruan se fashikujt janë dorëzuar dhe janë lënë në administrim të IEVP Durrës dhe gjenden në një dhomë. Në rastin konkret akti është nënshkruar nga shefi i regjimit të brendshëm juristi i IEVP, dhe nga agjentët. Ndërkohë në e-mail që i është drejtuar gjykatës pretendohet e kundërta dhe se si është zbatuar vendimi i gjykatës
SPAK: Duke marrë në konsideratë rrethanat që ju parashtruat do veçoj se i pandehuri Erion Veliaj ka shprehur dëshirën të mos paraqitet në gjykim. Ai ka marrë dijeni dhe ka zgjedhur të mbrohet nga avokati Plarent Ndreca. Lidhur me legjitimimin e avokatit ai është pyetur gjatë fazës së hetimit paraprak dhe ka papajtueshmëri për ushtrimit të detyrës sepse është pyetur si person që ka dijeni për rrethanat.
Plarent Ndreca: E parashikoja këtë kërkesë nga prokuroria, dhe në vlerësim të këtij ligji them që nuk jemi në papajtueshmëri. Thëniet nuk përbëjnë provë në vetvete dhe thëniet nuk kanë lidhje fare me këtë proces. Jam pyetur për njohjen me Ajola Xoxën dhe rezulton që s’kam njohje, më është bërë pyetje mbi një foto që është gjetur në zyrat e shoqërisë së zonjës Xoxa, pra thëniet e bëra në prokurori nuk kanë asnjë lidhje dhe asnjë papajtueshmëri që cënojnë interesin e këtij gjykimi
SPAK: Është një rrethanë që duhet ta bënim prezent gjykatës. Është gjykata që vlerëson
Gjykata: Në lidhje me avokatin e zgjedhur nga Veliaj duke patur në vëmendje momentin procedurial ku ndodhet ky shqyrtim gjyqësor që jemi ende në fazën e kërkesave paraprake, vlerësojmë të legjitimojmë si mbrojtës Plarent Ndrecën. Nuk ka pengesë që Ndreca të jetë avokat i kryebashkiakut.
gijotina.com/








