Për Ilirjan Celibashin zgjedhjet janë një rast i jashtëzakonshëm për të bërë tendera sekret dhe për t’ia dhënë paratë miqve të tij. Një fond rreth 650 milionë lekë i është dhënë biznesmenit Lulëzim Basha (jo politikanit të opozitës) me një procedurë të quajtur “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”.
Objekti i kontratës së bërë me nxitim është “Krijimi i moduleve të reja, moduli i hartave të qendrave të votimit dhe facilitetet e tjera, moduli e-administrata, moduli erp-software për menaxhimin e proceseve”.
Tenderi që është regjistruar në 15 shkurt 2025, mban numrin e referencës së procedurës “REF-38141-02-15-2025” dhe fituesi është shpallur 24 shkurt 2025.
Fondi limit i caktuar nga KQZ për këtë shërbim është 58,064,941.67 lekë ta TVSH, por në kontratën e lidhur më 3 Mars 2025, pas përllogaritjes së TVSH, vlera totale përfundimtare (përfshirë Lotet, opsionet dhe nënkontraktimin) ka shkuar në 64,800,000 lekë.
Një tender pa shpallje, për një punë që nuk është urgjente
Këto lekë i shkojnë kompanisë “DATECH”, të regjistruar në pronësi të Lulëzim Bashës, e cila duhet të bëjë hartën dixhitale të qendrave të votimit dhe një modul për administratën e KQZ-së. Emri i bashës ështӕ i njohur, sepse është favorizuar haptazi nga Erion Veliaj në tenderat për mirëmbajtjen e platformës së drejtorisë së taksave.
Pa e vënë dyshim se puna e firmës së konktraktuar nga KQZ është e rëndësishme dhe me vlerë për procesin zgjedhor, duhet të themi se zhvillimi i këtij tenderi nuk duhej bërë me urgjencë. Shërbimi kryesor i kërkuar, harta e qendrave të votimit, ekziston dhe është funksional edhe në e-Albania. Pra, nuk është një punë e panjohur që duhet bërë nga e para, as urgjente. Po ashtu moduli e-administrata nuk kishte të lihej për momentin e fundit, sepse mund të bëhej qysh kohë më parë dhe nga shumë kompani që disponojnë ekspertizën për të tilla softe.
Nga ana tjetër na bën përshtypje se Komisioni i Celibashit ka aktivizuar nenin e “nevojës ektreme” të parashikuar në Ligjin mbi Prokurimet.
Si referencë në vendimin e KQZ për këtë lloj tenderi, citohet neni 46 pika 1/c. Sipas kësaj dispozite, “Procedurë me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” zhvillohet “kur për arsye të nevojës ekstreme, të shkaktuar nga ngjarje të paparashikueshme nga autoriteti ose enti kontraktor, afatet kohore për procedurat e hapura, procedurat e hapura të thjeshtuara, procedurat e kufizuara, shërbimet e konsulencës, procedurat konkurruese me negocim ose procedurat me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit, nuk mund të respektohen”.
Po a janë zgjedhjet një ngjarje e paparashikueshme? Sigurisht që asgjë të beftë nuk ka tek këto zgjedhje, që janë dekretuar në kohë nga presidenti, sipas Kushtetutës. Edhe buxheti i KQZ-së është miratuar në Kuvend qysh në muajin dhjetor 2024, madje me shtesat që kërkoi Ilirjan Celiabshi për organizmin e zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Ligjvënësi e ka parashikuar edhe keqpërdorimin e këtij neni nga zyrtarët e tenderave. “Rrethanat e përmendura për të justifikuar nevojën ekstreme nuk duhet të shkaktohen në asnjë rast nga autoriteti ose enti kontraktor”, shkruhet në pjesën e fundit të këtij neni të ligjit në fuqi mbi prokurimet.
E vetmja ‘nevojë ekstreme’ që kuptohet në prokurimin e KQZ-së, është shfrytëzimi i zgjedhjeve për përfitime personale duke favorizuar një kompani pa bërë tender të hapur.
Kaosi i tenderave të KQZ-së
Nga ana tjetër, abuzimet me tenderat përmes manipulimit të kritereve, apo “gabimeve”, ka çuar në lumë ankesash të bizneseve në KPP, që ka sjellë vonesa dhe anulime. Kështu është anuluar tenderi i prodhimit të fletëve të votimit për zgjedhjet 11 majit 2025, për shkak të gabimeve nga KQZ. Prodhimi i fletëve të votimit duhet të nisë më 25 mars, ku një pjesë jo e vogël e tyre do të dërgohen me postë nëpër banesat e shqiptarëve, që do të votojnë nga jashtë vendit. E ndërsa emrat e kandidatëve për deputetë duhej dorëzuar në KQZ brenda 12 marsit 2025, KQZ më 6 mars ka njoftuar anulimin e tenderit.
Bëhet fjalë për tenderin e hapur më 2 shkurt 2025 me objektin “Prodhimi i fletëve të votimit dhe maskave për leximin e fletëve të votimit”.
KQZ ka ndarë 85,070,875 (tetëdhjetë e pesë milionë e shtatëdhjetë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e pesë) lekë pa TVSH. Po nëse shtojmë TVSH, kjo kontratë pritet të shkojë në mbi 102 milionë lekë (të reja).
Arsyeja zyrtare e anulimit, sipas komisionit të tenderit të urdhëruar nga kryetari Ilirjan Celibashi, janë gabimet në përmbajtje. “Bazuar në Ligjin Nr. 162/2020, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik”, Neni 98, pika 1, germa c) konstaton se dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”, citojmë njoftimin e bërë në Agjencinë e Prokurimeve Publike.
Tenderi i fletëve të votimit nuk është i vetmi, edhe vulat janë bllokuar. Hartimi i kritereve nga komisionet e Celibashit, duke pasur në mendje fitues të paracaktuar, ka sjellë një kaos për shkak të ankesave dhe anulimeve.
Në mbledhjen e datës 4 mars 2025, mësohet se është marrë vendim të pranohet ankesa e firmës “Farma Net Albania” shpk. Biznesi ankohet se specifikimet e vendosura janë bërë për një prodhues të caktuar, prandaj duhen ndryshuar. Një pjesë e ndryshimeve të kërkuara është pranuar nga KQZ, por KPP kërkon të bëhet ndryshim thuajse i plotë i formulimit të specifikimeve teknike për vulat.
Bëhet fjalë për tenderin e hapur më 2 dhjetor 2025, me objekt: “Blerje vula-kode dhe etiketa sigurie për zgjedhje për në Kuvend 2025”, me fond limit 67,003,500.00 lekë pa TVSH. Prokurimi ishte parashikuar për t’u zhvilluar më datë 28.02.2025, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por tashmë ishte shtyrë për të shkak të ankesën në KPP.
Një tender i madh është edhe për blerjen e kancelarisë për zgjedhjet. Në datën 13 janar 2025 pranë Komisionit të Prokurimit Publik, është administruar ankimi i “Infosoft Office” SHPK, për procedurën e prokurimit me objekt: “Materiale kancelarie për institucionin dhe zgjedhjet 2025” me fond limit 19,925,158.00 lekë pa TVSH. Tenderi është zhvilluar në datën 24 dhjetor 2024, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa kompania ankimuese kundërshton skualifikimin. Por jo vetëm kaq. Kërkesa tjetër është që të shtohen arsyet e skualifikimit të një kompanie turke, pjesëmarrëse në tender.
Në datën 20 shkurt 2025 është publikuar në Sistemin e Prokurimeve Elektronike procedura e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar, me objekt “Blerje kuti për materialet zgjedhore dhe kuti votimi për zgjedhësit nga jashtë vendit me fond limit 19.260.000,00 Lekë pa TVSH. Nëse llogarisim edhe TVSH, atëherë vlera e kontratës pritet të arrijë në afro 250 milionë lekë. Por tenderi është i pezulluar për shkak të një ankese që ndodhet në status shqyrtimi nga KQZ.
Kriteret e përcaktuara ngushtojnë pjesëmarrjen dhe favorizojnë atë kompani që tashmë i ka porositur kutitë dhe i ka magazinuar në pritje të kontratës nga Celibashi.
Ankesa është bërë nga firma “Farma Net Albania”. Bëhet fjalë për 3000 kuti të materialeve zgjedhore që duhen dorëzuar në magazinat e KQ|Z-së deri në 31 mars 2025, po ashtu 250 kuti të votimit.
Celibashi me letra të hapura tek SPAK
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet ndaj kryetarit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve në lidhje me tenderin e pajisjeve elektronike për identifikimin e votuesve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, përmes një shkrese dërguar KQZ-së më 16 Gusht, i kërkon institucionit të drejtuar nga Ilirjan Celibashi dokumentacionin e plotë të këtij prokurimi publik.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për nevoja të hetimeve që po zhvillohen kërkon nga ana juaj dokumentacionin e plotë të praktikës së procedurës të prokurimit me nr.”REF-83073-12-23-2020″ me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikim e tyre paszgjedhor” dhe të praktikës së procedurës të prokurimit me nr. “REF-89113-03-04-2021”, me objekt “Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për votimin dhe numërimin e votave” – thuhet në kërkesë.
Tenderi është fituar nga kompania “Smartmatic International Holding B.V.” me vlerë të ofruar prej rreth 1.2 miliardë lekësh të vjetra me TVSH (19 mln dollarë). Vlera fituese është mjaft pranë me vlerën e fondit limit. Përkatësisht është sa 90.4% e tij. Kompania në fjalë ishte e vetmja pjesëmarrëse në tender, pasi 5 kompani të tjera u tërhoqën nga gara.
Lidhur me këto hetime, më 17 shtator 2024 C u shpreh se “Personalisht kam 0 shqetësim si për veten time, por edhe për këdo tjetër nga KQZ të angazhuar në këtë proces. Mendoj se nuk do të kishte dobi çfarëdo që të them unë, pasi në fund është dikush tjetër që jep vlerësimet edhe për këtë rast”.
E ndërsa hetimi duket se është shtyrë për shkak të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sfidon SPAK duke favorizuar miqtë me tendera “me negocim” për “nevoja ekstreme’ që paska KQZ!
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016