Florenc Farruku ishte surpriza e Sylvinhos në këtë grumbullim ku kombëtarja shqiptare e futbollit po stërvitet intensivisht për ndeshjen me Poloninë. Shtatlarti i fazës ofensive të Dinamos u pa dje në fushë, duke befasuar jo pak opinionin sportiv.
Edhe pse nuk është pjesë e listës për ndeshjen me polakët, trajneri brazilian ka zgjedhur ta ketë në gatishmëri në rast të ndonjë surprize të hidhur gjatë këtyre seancave stërvitore. Një vlerësim i madh për sulmuesin, që prej shumë ndeshjes e ka parë veten të jetë në stol me trajnerin Ilir Daja.
Në merkaton e verës u afrua në skuadër si një nga lojtarët që do të bënte diferencën, por për trajnerin kryeqytetas nuk ka qenë zgjedhje e parë. E megjithatë tanimë, prania në seancat stërvitore të kuqezinjve, padyshim që i jep një tjetër hov karrierës së tij futbollistike.
Kujtojmë që në këtë edicion futbollistik, ai është aktivizuar në 17 ndeshje, duke arritur të japë edhe dy asiste. Edhe pse për Dajën nuk është zgjedhje e parë, siç duket për Sylvinhon dhe stafin e vet do të ishte zgjidhje e mirë në rast të dëmtimit të ndonjërit prej lojtarëve të fazës ofensive të grumbulluar për përballjen me polakët.







