Në seancën në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me atentatin ndaj ish-deputetit Arjan Ndoja te mbikalimi i Shkozetit, avokati i Amar Shkëmbit ka pretenduar se klienti i tij ka probleme të shëndetit mendor.
Adriatik Cami tha se kanë bërë kërkesë në disa institucione e spitale për vizita nga të cilat është konstatuar se Shkëmbi nuk është në gjendje të mirë të shëndetit mendor. Si rrjedhojë, ai thotë se s’mund të vijojë seanca në themel pa praninë e tij.
Ndërsa SPAK tha se s’ka kërkesë me shkrim për ekspertim dhe dokumentet mund të vlerësohen vetëm nga një grup ekspertësh. Kërkesa e avokatit nuk u mor në konsideratë nga gjykata për shkak se i pandehuri ka qenë i pranishëm seancën e kaluar.
Adriatik Cami, avokati i Amar Shkëmbit: Kam konstatuar që Amar Shkëmbi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Gjatë gjykimit paraprak unë kisha kërkuar informacion në spitalin e burgut dhe në spitalet e Tiranës ku ai kishte marrë trajtime dhe duke qenë se këto informacione kanë ardhur, jam i detyruar t’jua përcjell. Klienti im vuan nga probleme të shëndetit mendor që shfaqen në çdo rast. Kërkesën e kam të shoqëruar me informacionet mjekësore, kërkoj të verifikohet përgjegjshmëria e Amar Shkëmbit në lidhje me pjesëmarrjen ose jo të tij në këtë procedim, në lidhje me sëmundjet mendore, nëse kjo sëmundje e pengon ose jo për të vijuar pjesëmarrjen e tij në këtë çështje. Janë elementë që pa u verifikuar nuk mund të vijojë gjykimi. Në seancat paraprake nuk i kam pasur këto pretendime sepse nuk kisha informacionet nga institucionet përkatëse. Subjekti duhet të verifikohet nga ana e përgjegjshmërisë.
Prokurori Adnan Xholi: Nuk pashë që avokati të kishte një kërkesë specifike. Ne duhet të vazhdojmë gjykimin e themelit dhe nëse ka kërkesë respektive për kryerjen e një ekspertimi, është e drejtë e avokatit. Dokumentacioni që ka paraqitur nuk mund të vlerësohet nga ne si juristë, por duhet të shikohen nga ekspertë të mjekësisë ligjore. Nuk dëgjova a ka apo jo kërkesë nga avokati për ekspertim të shëndetit apo për zëvendësim mase. Nuk jemi ne kompetentë të shprehemi për dokumentet shëndetësore.
Në kërkesat paraprake që u paraqitën përpara gjykatës, avokati i Bledar Polovinës kërkoi që klienti i tij të gjykohet me procedurë të shkurtuar, ndërsa mbrojtësi ligjor i Amar Shkëmbit kërkoi papërdorshmëri të çdo procesverbali.
Prokurori: Të rrëzohet kërkesa për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri si e pabazuar në ligj dhe prova.
Avokati i Amar Shkëmbit kërkoi kohë të formalizojë kërkesat me shkrim, kërkesë që u pranua nga gjykata. Seanca e radhës do të zhvillohet në datë 2 prill, ora 09.00.
Çështja në themel do shqyrtohet nga Paulin Çera kryesues, me anëtarë Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka.
gijotina.com/








