Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se si subjekt politik ende nuk kanë marrë një ftesë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për konsultime, teksa shprehu gatishmërinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që t`i bashkohet LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës. Këto komente Haradinaj i bëri teksa ishte për homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Kamenicë.
“Ende jo si subjekt politik ende jo nuk kemi ftesë. Kjo është një ide e hershme edhe e jona dhe se kryetari i grupit parlamentar të AAK-së në këtë rast Ahmet Isufi, ka marrë udhëzimet edhe nga Këshilli Drejtues dhe Kryesia e partisë të Aleancës që t’i bashkohet një mocioni për shpërbërjen e Kuvendit”, tha ai.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se partia që ai drejton do të shkojë e vetme në zgjedhje, ndërsa e la të hapur mundësinë e një koalicioni për partinë Nisma, PSD-në dhe AKR-në.