Dy persona janë arrestuar nga Policia në Tiranë dhe Krujë, pasi akuzohen për grabitje.
Në Tiranë është arrestuar 46-vjeçari E.M, pasi sipas policisë, dyshohet se ka kryer vjedhje në 2 muajit e fundit.
Dyshohet se ai vodhi pajisje me vlerë 6 mijë euro në një dyqan, si dhe sende me vlerë dhe shuma parash në një banesë.
Ndërkaq, në Krujë u arrestua një 20-vjeçar, pasi dyshohet se gjatë kësaj jave, ka tentuar të vjedhë kasafortën në supermarketin e një qendre tregtare, si dhe se ka vjedhur në 2 banesa.
“-në kuadër të operacionit “Tracking”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 vunë në pranga shtetasin E. M., 46 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur gjatë 2 muajve të fundit, pajisje (me vlerë 6000 euro) në një subjekt, 1 biçikletë, si dhe sende me vlerë dhe shuma parash në një banesë;
-në kuadër të operacionit “Midnight”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan shtetasin M. F., 20 vjeç, pasi dyshohet se gjatë kësaj jave, ka tentuar të vjedhë kasafortën në supermarketin e një qendre tregtare, si dhe se ka vjedhur në 2 banesa”,- thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.










