Pas shqyrtimit të plotë të dokumentacionit, IMT konstatoi se dokumentacioni është i rregullt në formë dhe përmbajtje, ekziston bazë e plotë ligjore për kryerjen e punimeve, ndërhyrja është realizuar në përputhje me lejen e ndërtimit, dhe se punimet janë në funksion të një projekti të miratuar me interes publik.
Prokuroria e Tiranës njoftoi të martën më 31 mars pezullimin nga detyra të kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, IMT pranë Bashkisë Tiranë, Rigers Sheqeri dhe juristit të këtij institucioni Erlion Papa, të akuzuar për “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, pasi lejuan ndërtime pa leje, duke penguar marrjen e masave të nevojshme ligjore. Po ashtu, ndërtuesi Pandeli Carapuli akuzohet për “ndërtim të paligjshëm” dhe ndaj tij janë caktuar masat e sigurimit personal, “ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitje”.
Hetimi ndaj tre të proceduarve ka fillur bazuar në kallëzimin e administratorit të një shoqërie, i cili ka pretendur se në pronën e saj janë kryer punime pa leje ndërtimi që kanë sjellë dëmtime. Sipas prokurorisë, punimet janë kryer pa leje në territorin e njësisë administrative Farkë nga shoqëria “Eurocol” sh.p.k., megjithëse ka qenë e nevojshme pajisja me leje ndërtimi.
Po ashtu, ka rezultuar se punonjësit e IMT pranë Bashkisë Tiranë, fillimisht kanë mbajtur proces-verbal për konstatimin e kundërvatjes nga ana e shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në fund të dhjetorit të vitit të kaluar. Por, më vonë, kryeinspektori Sheqeri, duke u bazuar në relacion të përgatitur nga juristi Papa, ka vendosur mbylljen e procedurës. Sipas prokurorisë, mbyllja e procedurës është kryer në kundërshtim me ligjin, pa marrë ndaj subjektit ndërtues asnjë nga masat administrative të parashikuara në ligjin “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”.
“Në rast konstatimi të një ndërtimi pa leje, inspektorët e terrenit evidentojnë shkeljen dhe hartojnë procesverbalin përkatës, praktika i kalon sektorit juridik për verifikim dhe përgatitje të relacionit dhe projektvendimit, ndërsa kryeinspektori, si autoritet vendimmarrës, shqyrton praktikën dhe merr vendimin përfundimtar, duke vendosur masat administrative të detyrueshme, konkretisht pezullimin e punimeve, vendosjen e gjobës dhe prishjen e ndërtimit, veprime që nuk janë kryer nga shtetasit e mësipërm”, argumenton prokurori dhe shton se, në këtë rast, zyrtarët e hetuar e kanë kryer shpërdorimin e detyrës në bashkëpunim.
Në njoftim bëhet me dije se shoqëria “Eurocol” sh.p.k. ka ndërtuar mur – betonarme, ndërkohë që ka pasur leje punimesh për ndërhyrje në infrastrukturë dhe për vendosjen e barrierave ndaj zhurmave, që nuk përkon me objektin në fjalë.
gijotina.com/










