Prokuroria e Posaçme ka njoftuar këtë të premte se ka arrestuar 3 persona dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerë, të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit kriminal prej 10 personash që trafikuan nga Kolumbia 485.5 kg kokainë të përzier me pleh kimik, si dhe grupit që trafikoi kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë përmes lëkurave të kafshë.
Klevent Gjolena, Aldi Zonja dhe Musa Gjikola janë arrestuar nga blutë pasi Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK lëshoi masën e sigurisë “arrest në burg”. Në kërkim janë shpallur Kevin (Arjan Margjoni) dhe Durim Keçi. Durim Keçi është emri më i njohur nga të dyshuarit e fundit, pasi ka lidhje me politikën. Ai konsiderohej vite më parë si një nga personat më të rrezikshëm të mafies shqiptare.
Sipas mediave italiane, në një nga seancat gjyqësore në shtetin fqinj, Durim Keçi ka kërcënuar prokurorët e Antimafias italiane. Duke iu drejtuar prokurorëve Francesca Nanni dhe Silvio Franz, ai ka deklaruar: “Ata të dy do t’i bëj të ma paguajnë shtrenjtë!”
Në vitin 2006 në Itali, ka qenë i pandehur në një proces gjyqësor, por lirohet nga qelia për një gabim burokratik dhe ndaj tij vendoset një masë më e zbutuar sigurie. Nga masa e arrestit më burg, lihet në detyrim paraqitje dhe kështu arratiset. Gjatë kësaj kohet Durim Keçi jetonte në Shqipëri.
Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovës në Itali, me vendimin nr. SIEP 294/2013, datë 21.02.2014, me 9 vjet, 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale: “Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”, “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Krime me armë kundër personit”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.
Për këtë rast, në qershor të vitit 2024 u dënuan me 89 vite burg nga Gjykata e Posaçme Nikolin Gjolena, Viktor Cervanaku, Enxhi Ferhati, Klajdi Kodra, Bledar Matoshi, Denilson Çervanaku, Zenel Çervanaku , Redion, Julian Malaj dhe Marildo Rona.
Nga hetimi për rastin e Frakullit, SPAK zbuloi edhe një tjetër grup të trafikut ndërkombëtarë drogës dispononte një laborator të përpunimit të kokainës në Qerekë të Krujës dhe 2 ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës. Nga hetimet rezulton se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikim, nëpërmjet kompanisë “Alb Lëkurë”. Ky subjekt kreu një pagesë më 11 maj të vitit 2024 me vlerë 23 mijë dollarë tek një firmë me vendndodhje në Republikën Domenikane, periudhë që u porosit edhe një sasi prej 24 ton lëkurë gjedhësh (me kripë).
Njoftimi i SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka zhvilluar veprime të mëtejshme hetimore në kuadër të procedimit penal nr/141/1.1 i vitit 2026 (pa autor) që lidhet me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Më datë 4.3.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 11, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 5 personave nën hetim dhe ka vendosur masën e sigurimit “arrest në burg”.
Më datë 5.3.2026, në zbatim të këtij vendimi, strukturat e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur ekzekutimin e masës së sigurimit për shtetasit K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për lokalizimin dhe arrestimin e tyre në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.
Procedimi penal nr. 141/1.1 të vitit 2026 rrjedh nga procedimet penale nr. 141 të vitit 2022 dhe nr. 141/1 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme.
Më herët, më datë 13.1.2026, Prokuroria e Posaçme ka vendosur ndarjen e akteve të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 dhe regjistrimin e tyre si procedim penal nr. 141/1.1 të vitit 2026, duke vijuar hetimet për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a, 283/2, 28/4, 333/a dhe 334/1 të Kodit Penal.
Ky procedim penal lidhet me hetimet për trafikimin gjatë vitit 2022 të një sasie prej 485.5 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e importuar nga Kolumbia dhe e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e cila është sekuestruar më datë 24.11.2022 në Frakull të Madhe, Fier.
Për këtë episod trafikimi janë dënuar tashmë 10 shtetas shqiptarë: N. Gj., V. Ç., D. Ç., K. V. (alias K.), Z. Ç., E. F., R. M., J. M., B. M. dhe M. R., ndërsa vijon gjykimi ndaj një shtetasi kolumbian, S. R. R.
Në vijim të hetimeve është bërë e mundur identifikimi i pesë bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar në këtë aktivitet kriminal. Për rrjedhojë, më datë 19.02.2026, është urdhëruar regjistrimi në procedimin penal i shtetasve K. (alias A.) M., M. Gj., D. K., A. Z. dhe K. Gj., ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, për kryerjen e veprave penale të sipërcituara.
Në kuadër të hetimeve dhe me autorizim të Gjykatës së Posaçme janë kryer edhe disa kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë. Si rezultat janë sekuestruar:
1 automjet Land Rover Range Rover Sport, viti i prodhimit 2018;
1 automjet Land Rover Range Rover Evoque, viti i prodhimit 2012;
1 automjet Land Rover Discovery, viti i prodhimit 2012;
1 automjet Land Rover Range Rover Velar, viti i prodhimit 2017;
2 aparate celularë.
Hetimet vijojnë për administrimin e provave të tjera dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.










