Nis sot procesi për përzgjedhjen e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, një nga postet më të rëndësishme në strukturën e sigurisë në vend, ku 14 kandidatë do të paraqiten para komisionit të posaçëm në Ministrinë e Brendshme për të shpalosur platformat e tyre dhe për të kaluar fazën e intervistimit. Seancat dëgjimore pritet të zhvillohen sipas një rendi të përcaktuar, ku çdo kandidat do të ketë në dispozicion 20 minuta për prezantim dhe më pas do t’i nënshtrohet pyetjeve nga anëtarët e komisionit, në një proces që synon të testojë aftësitë drejtuese dhe vizionin për drejtimin e Policisë së Shtetit.
Komisioni vlerësues përbëhet nga një zv.ministër i Brendshëm në rolin e kryetarit, sekretarja e përgjithshme e ministrisë dhe drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët do të japin vlerësimin mbi bazën e një sistemi pikëzimi prej 100 pikësh. Në këtë sistem, pesha më e madhe i takon aftësive organizative dhe drejtuese me 50 pikë, ndërsa vlerësimi profesional llogaritet deri në 30 pikë, integriteti dhe morali me 10 pikë, si dhe elementë shtesë si gjuhët e huaja apo kualifikimet akademike me 10 pikë të tjera.
Megjithatë, përtej këtij formati formal dhe të strukturuar, procesi shoqërohet edhe me dyshime dhe raportime jozyrtare. Bëhet me dije se gjatë verifikimeve të kryera nga institucionet ligjzbatuese, përfshirë SPAK, SHISH, AMP dhe struktura të tjera të sigurisë, disa prej kandidatëve kanë rezultuar me problematika në të kaluarën e tyre, çka hedh hije mbi filtrin e pastërtisë së figurës dhe ngre pikëpyetje mbi standardin e garës. Këto të dhëna nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por shtojnë interesin dhe vëmendjen mbi procesin.
Nga 16 aplikantë fillestarë, dy kandidatet Ejona Gurbardhi dhe Suela Sulkaj, u skualifikuan për mosplotësim të kritereve ligjore. Pas intervistave, kandidatët do të renditen sipas pikëve, por vendimi final i takon ministrit Besfort Lamallari.
Ky i fundit, brenda 48 orësh, do t’i propozojë Këshillit të Ministrave emrin e përzgjedhur, i cili nuk është e thënë të jetë domosdoshmërisht ai me pikët maksimale. Gara, e cila tërhoqi interes nga drejtues qarqesh dhe akademikë të sigurisë, synon të plotësojë vendin e lënë vakant nga dorëheqja e Ilir Prodës. Aktualisht, Policia e Shtetit drejtohet përkohësisht nga Sokol Bizhga.
Procesi po ndiqet nga afër edhe nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë misionet ICITAP dhe EU4LEA, si dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, në rolin e vëzhguesve, një element që synon të rrisë besueshmërinë dhe transparencën e procedurës.
Lista e plotë:
Afrim Tafa
Alfred Çepe
Arjanit Arapi
Elidon Çela
Gentian Berberi
Gentjan Shehaj
Idajet Faskaj
Lorenc Panganika
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Skënder Hita
Tonin Vocaj









