Të paktën 73 emigrantë janë zhdukur dhe supozohet se kanë vdekur pasi varka e tyre u mbyt në brigjet e Libisë, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) të OKB-së.
Vetëm shtatë persona i mbijetuan mbytjes së anijes të së martës, por ata janë në “kushte jashtëzakonisht të rënda” në spital.
Deri më tani 11 trupa janë nxjerrë nga Gjysmëhëna e Kuqe Libiane dhe policia, raportoi BBC-ja të mërkurën.
Anija po shkonte drejt Evropës në një rrugë që IOM e ka quajtur “kalimi detar migrator më vdekjeprurës në botë”.
Më shumë se 130 njerëz kanë vdekur tashmë këtë vit duke bërë udhëtimin e rrezikshëm mbi Detin Mesdhe.
IOM shtoi se më shumë se 1,450 vdekje u regjistruan nga Projekti i saj për Emigrantët e Zhdukur vitin e kaluar.
“Kjo situatë është e patolerueshme”, ka thënë Safa Msehli, një zëdhënës i grupit.
Zonja Msehli tha se nevojiteshin më shumë përpjekje për të “rritur kapacitetin e kërkimit dhe shpëtimit, krijimin e mekanizmave të qarta dhe të sigurta të zbarkimit, si dhe rrugë të sigurta dhe të rregullta drejt migrimit për të reduktuar udhëtimet e rrezikshme”.