Eksperti i industrisë ushqimore, Kapllan Sulaj, ka ngritur shqetësimin për praninë e pesticideve në luleshtrydhe, duke theksuar se fëmijët janë grupi më i rrezikuar nga ekspozimi ndaj tyre.
I ftuar në emisionin “Dita Jonë”, Sulaj tha se nuk ka vend për panik, pasi bëhet fjalë për një situatë të izoluar.
“Jemi në një periudhë pranverore kur luleshtrydhet janë produkte të stinës dhe është konstatuar një parti me mbetje pesticidesh, çka ka sjellë bllokimin e saj,” u shpreh ai. Ai shtoi se kjo nuk do të thotë që të gjitha luleshtrydhet në treg janë të kontaminuara, por pranoi se në disa raste pesticidet janë përdorur “pa kriter”.
Eksperti theksoi se problemi lidhet edhe me presionin e fermerëve për të nxjerrë produktin sa më shpejt në treg. Sipas tij, kjo “garë për tregun” i shtyn ata të përdorin pesticide për të rritur prodhimin dhe për të shmangur dëmtuesit.
Duke folur për rrezikun tek konsumatorët, Sula nënvizoi se fëmijët janë më të ndjeshëm. Ai shpjegoi se për shkak të peshës më të vogël trupore dhe një sistemi imunitar ende në zhvillim, “edhe nivele të ulëta të pesticideve mund të kenë ndikim më të madh tek fëmijët sesa tek të rriturit”.
Në këtë kontekst, ai bëri thirrje për kujdes të shtuar në konsum, veçanërisht për këtë grupmoshë, duke rekomanduar që të minimizohet ekspozimi gjatë kësaj periudhe.
Nga ana tjetër, Sula theksoi rëndësinë e respektimit të rregullave nga fermerët dhe tregtarët. Ai kërkoi që përdorimi i pesticideve të bëhet sipas standardeve dhe që institucionet përgjegjëse, si Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe laboratorët përkatës, të rrisin kontrollet për të identifikuar llojet dhe nivelet e pesticideve në produkte.
Sa i përket mënyrës së pastrimit, eksperti sqaroi se larja e luleshtrydheve në ujë nuk është një zgjidhje efektive. “Qëndrimi në ujë mund të ulë disi nivelin e pesticideve, por nuk ka efekt të ndjeshëm,” tha ai, duke shtuar se kjo metodë nuk garanton eliminimin e mbetjeve kimike.
Në përfundim, Sula e cilësoi situatën si kalimtare, por nënvizoi se kërkohet më shumë ndërgjegjësim dhe kontroll për të garantuar sigurinë ushqimore.








