Kryetari Fation Duro po e zbraz arkën e bashkisë Patos para zgjedhjeve. Tenderin e fundit e ka firmosur për biznesmenin Astrit Gjikondaj, i cili është në listën e të favorizuarve të “Rilindjes”. Duro për Gjikondajn ka bërë të pamundurën për t’i dhënë fondin 380 milionë lekë. “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, vlerëson këtë procedurë Open Data Albania.
Për shkeljet e bëra, tenderi ka marrë “Flamurin e kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Më konkretisht, Bashkia Patos ka organizuar prokurimin me “Rikonstruksion i kopshtit me drekë, Patos për vitet 2024 dhe 2025”. Projekti që financohet me të ardhurat e bashkisë e ka fondin limit 37 178 096,00 lekë pa llogaritur TVSH.
Kështu, 30 dhjetor 2024, në fund të vitit dhe jashtë limiteve për të përdorur buxhetin e vitit 2024, kryetari Duro ka njoftuar tenderin. Data e fundit për dorëzimin e dokumenteve është lënë për në 15 janar 2025 dhe po në të njëjtën ditë është mbajtur tenderi.
Megjithëse merrnin pjesë 16 operatorë ekonomik, komisioni i autorizuar nga Duro për vlerësimin e ofertave i ka shpallur të gjitha “të pavlefshme”, përveç propozimit të kompanisë së Astrit Gjikondit “ASI-2A CO” shpk.
Skualifikohen të gjitha ofertat më të ulëta
Kompania e Astrit Gjikondajt u shpërblye me këtë kontratë duke pasur ofertë më të lartë se të tjerët. “ASI-2A CO” shpk ofroi 30 000 000,00 lekë pa TVSH dhe u shpall fitues më 26 mars 2025.
Sipas kritereve të shpallura, duhet të fitojë oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në çmim. Por kriteri që përcakton është i pashkruar dhe varet nga pazaret poshtë tavolinës.
Siç mund ta vini re, në dokumentin e mësipërm kompania “2 N” sh.p.k ofron vlerën sipas preventivit 26,782,733 lekë pa TVSH.
Bashkimi i operatorëve ekonomik “EUROBETON” sh.p.k dhe “INA” sh.p.k ofron vlerën sipas preventivit 29,570,952 lekë pa TVSH. Ndërkohë firma “FLED” sh.p.k propozon ta bëjë ktë punë për vlerën 29,388,241.79 pa TVSH.
Po shihni, se ka edhe oferta më të ulëta. “KOMBEAS” sh.a ofron vlerën sipas preventivit 26,410,416 lekë pa TVSH. Bashkimi i firmave “MF INVEST GROUP” sh.p.k dhe “MANE/S” ofron vlerën sipas preventivit 27,748,579.4 lekë pa TVSH. Operatori ekonomik “MODESTE ” sh.p.k ka bërë ofertën 27,989,260.43 lekë pa TVSH. Ndërsa bashkimi i operatorëve “VELLEZERIT KUKA” sh.p.k dhe “Z D R A V A” sh.p.k ofron vlerën sipas preventivit 26,816,898.15 lekë pa TVSH.
Nga ana tjetër, ka pasur operator që janë paraqitur fiktivisht dhe kanë dhënë ofertë zero lekë. Kështu, kompania “FRONTIER CONSTRUCTION” sh.p.k ka
ofruar vlerën sipas preventivit 0 (zero) lekë pa TVSH.
Pse e la Duro kopshtin në këtë gjendje?
Kopshti megjithëse është ndërtesë e re është lënë pa mirëmbajtje nga bashkia. Nëse do të ishin kryer shërbimet rutinë, nuk do të kishte nevojë për këtë tender të fryrë. Objekti ndodhet në Lagjen “Naftëtari”, pranë rrugës “Koli Marku”. Kjo godinë ndodhet në krahun Verilndor të shkollës “Meleq Gosnishti” në qytetin e Patosit.
Aktualisht objekti ka kushte jo të mira dhe pjesërisht i amortizuar. Kopshti frekuentohet nga rreth 150 fëmijë të grupmoshave të ndryshme dhe kushtet në të cilat ato qëndrojnë nuk plotësojnë kërkesat për zhvillimin e mësimdhënies. Në pamje të parë vihet re fasada e amortizuar, mungesa e sistemimit të hapësirave dhe oborrit përreth, amortizimi i dyerve dhe dritareve të jashtme. Disa nga problematikat kryesore kanë të bëjnë me dëmtimin e suvatimeve të jashtme, mos shfrytëzimi i të gjitha ambienteve për shkak të amortizimit të tyre qoftë jashtë ose brenda. Gjithashtu vihet re mungesa e sistemit në ngrohje-ventilimit dhe mbrojtjes ndaj zjarrit. Këto konstatime që gjenden në dosjen e projektit duheshin bërë çdo vit dhe ndërtesa të mbahej në gjendje normale. Por mirëmbajtja nuk kushton, nuk ka tendera të majmë, prandaj lihen në mëshirë të fatit objektet sociale deri sa degradojnë.
KLSH: Gjikondaj mashtron me punime të pakryera
Jo vetëm që është i favorizuar nga zyrtarët e korruptuar të bashkive, por Gjikondaj e ka treguar se mashtron me faturat e punimeve.
Sipas KLSH kjo kompani nuk kryen punimet dhe manipulon situacionet. “Nga auditimi i situacioneve pjesore, projektit dhe preventivit bazë, preventivit të rishikuar, si dhe nga verifikimi në terren i punimeve në prezencë të mbikëqyrësit të punimeve, të dukshme, lidhur me volumet e punës të situacionuara si dhe atyre të kryera në fakt, rezultuan diferenca në volume apo punime të llogaritura jo në përputhje me projektin e zbatuar (vizatimet sipas faktit), me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit dhe shoqërisë në vlerën 372,350 lekë pa TVSH”, Verifikimi i grupit të KLSH u krye në rezervuarin e Bishqemit, ku projekti kishte autoritet kontraktor Ujësjellësin e Peqinit.
Nga vizita në terren u konstatua se disa zëra të punimeve nuk ishin kryer ose ishin të paplota. Kështu u konstatua, mungesa tek suvatimi, hidroizolimi, rrethimi i territorit, Gjithashtu për zërin “Mbushje me dhe” në situacionin përfundimtar pasqyrohet volum 200 m3 dhe i likuiduar. Nga vizita në terren u konstatua se mbushja me dhe rreth rezervuarit nuk ishte kryer, kështu që sipërmarrësi ka përfituar më tepër volumin e punimeve, raporton KLSH. Në këtë tender të vitit 2021, kompania e Astrit Gjikondit mori e 56,663,071 lekë me TVSH.
Por duke qenë se Gjikondi është i privilegjuar në “Rilindja”, kompania e tij ka vazhduar të marrë tendera pa i hyrë gjemb në këmbë. Më 29 korrik 2024 është rihapur një tender i anuluar.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako autorizonte prokurimin me objekt “Ndërtim shkolla 9 vjeçare “Met Hasa”. Për këtë tender u alokua fondi prej 2.4 miliardë lekësh. Për ndërtimin e po kësaj shkolle në vitin 2020, autoriteti kontraktor Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpalli fitues bashkimin e kompanive “Pe-vla- ku” sh.p.k dhe “Pe-vla-ku dega Kosove” & BIBA-X shpk me ofertë vetëm 1 miliard lekë. Por aso kohe fondet e Dritan Agollit u devijuan për t’u rrihapur me një shumë 1.4 miliardë lekë më shumë nga bashkia Durrës. Pra, fondi limit shkoi në 2.4 miliardë lekë brenda 4 vjetëve. Dhe kjo ndodhi se, pas rënies së tërmetit, zyrtarët e bashkive ia futën me top fondeve të Rindërtimit dhe bënë projekte sikur godinat do të ndërtoheshin nga zero.
Për këtë operacion të pastër korrupsioni është thirrur për ndihmë në korrik 2024 kompania ASI-2A CO me administrator dhe pronar Astrit Gjikondin. Dhe tenderi është dhënë pa garë. Sipas Open data Albania, kjo procedurë kishte risk korrupsioni.
Kanë kaluar kohë dhe shkolla ka mbetur në gjendjen që ishte.
Kjo foto e shkollës Met Hasa është marrë në shkurt 2025. Siç vihet re, objekti vetëm është zhveshur nga suvaja dhe qëndron në pritje për t’u rindërtuar nga Astrit Gjikondi dhe kryetarja Sako.
Dhe nga ana tjetër kryetari Duro i Patosit i jep 380 milionë lekë Astrit Gjikondit, pa mbaruar kontratën publike në Durrës, pa verifikuar nëse ka mjaftueshëm kapacitet kompania të marrë përsipër rikonstruksionin e kopshtit në Patos.
Duro njësoj si paraardhësja
Kryetari Duro me sa duket po ecën në hapat e paraardhëses Rajmonda Balilaj. Ish kryetarja e Bashkisë së Patosit Rajmonda Balilaj, është dënuar nga GJKKO me 2 vite burg për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Dënimi i ish-kryebashkiakes është konvertuar në 2 vjet e 8 muaj në shërbim prove.
Balilaj, që qëndroi në krye të Bashkisë së Patosit për 3 mandate, është shpallur fajtore për abuzim me tenderat, duke i dhënë dy të tilla firmës ‘Genti 001” të Ilir Dervishaj, me vlerë 15.3 ,milionë lekë, në shkelje të ligjit, në bashkëpunim me vartësit e saj: Anisa Petani, ish nënkryetare, Shkëlqim Beqiraj, ish-sekretar i Përgjithshëm, Enirjada Rizaj, ish anëtare e komisionit të ofertave, të cilët po ashtu janë dënuar me burg.
Anisa Petani është dënuar me 1 vit burg dhe dënimi i saj është konvertuar në 2 vjet shërbim prove, nën akuzën për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258.
Enirjada Rizaj është dënuar me 1 vit burg dhe dënimi i saj është konvertuar në 2 vjet shërbim prove, nën akuzën për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258.
Shkëlqim Beqiraj është dënuar me vit burg dhe dënimi i tij është konvertuar në 2 vjet shërbim prove, nën akuzën për “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258.
Por për të mos shkuar më larg, Duro e ka shembullin në familje. Në korrik të 2020, bashkëshortja e tij Kozeta Spatha u emërua në krye të Kadastrës së Sarandës.
Më 24 mars 2022, Policia e Sarandës finalizoi operacionin ‘heshtja 2” për të zbatuar 4 masa arresti me burg të Gjykatës së Sarandës. Policia arriti të arrestojë 3 ish zyrtarë të ASHK me përjashtim të Kozeta Stathës, e cila vendosi të arratiset dhe të jetë në kërkim që prej asaj dite. Referuar njoftimit zyrtar të Policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Sarandës dhe të Ksamilit. Ndërsa kolegët e saj janë në gjykim, Kozeta Spatha është larguar nga Shqipëria duke refuzuar të përballet me drejtësinë.
Gjykata e Sarandës i ka vendosur Kozeta Stathës masën e arrestit në burg dhe ndodhet e shpallur në kërkim nga organet ligjzbatuese.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016