Mbi 75 mijë euro janë mbledhur brenda dy ditësh në platformën GoFundMe për familjen shqiptare Kola, e cila u shua tragjikisht pak ditë më parë në Porcari, në provincën e Luccas në Itali, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit i shkaktuar nga një kaldajë gazi.
Fushata ishte iniciuar nga vëllai i 48-vjeçarit Arti Kola, Durim Kola. Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore.
Sipas medias italiane, dhjetëra donatorë kanë kontribuar me shuma që variojnë nga 50 deri në 500 euro. Prokuroria e Luccas ka hapur një hetim për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar përgjegjësitë e mundshme. Kaldaja rezulton të ketë qenë e re dhe dyshohet se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës. Pritet që trupat të kthehen në Shqipëri, për t’u përcjellë në banesën e fundit.









