Ka nisur mbledhja e kryeministrit Edi Rama në Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile, lidhur me situatën e përmbytjeve në disa zona të vendit si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama theksoi se situata është serioze, ndërsa dha edhe shifra konkrete mbi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet.
“Ka prani uji në 1587 banesa, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje,” deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te reagimet politike në këto momente, duke kritikuar opozitën për qëndrimet e saj.
Sipas tij, “reagimet nga opozita në këto kohë përmbytjesh janë të tepërta dhe nuk i japin zgjidhje personave të prekur nga kjo situatë.”
Rama theksoi gjithashtu se shkak për situatën e krijuar janë reshjet e pazakonta për këtë periudhë.
“Sasia e reshjeve ka qenë e jashtëzakonshme, më e madhe sesa sasia mesatare e reshjeve që bien gjatë gjithë muajit,” u shpreh kryeministri.
“E di që fjala durim mund t’i tingëllojë shumëkujt si një cingërimë e tepërt në vesh, por durimi është i domosdoshëm kur ajo që po përjetojmë nuk është thjesht mot i keq. Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato se nuk punojnë hidrovoret; lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta, si ato kundër ndërtimeve në territore shumë vulnerabël. Retë nuk shpërndahen me slogane. Këto janë thënie që ushqejnë përçarje, jo ndihmë. Në një situatë si kjo nuk kërkohen fajtorë imagjinarë, por ndihmohen njerëzit realë. Njerëzit nuk kanë nevojë për më shumë britma dhe teori konspirative. Kjo është një gjendje e rëndë, por nuk ka prekur vetëm Shqipërinë.” – tha Rama.
Rama tha se para nisjes së sezonit me reshje, drejtoritë e ujësjellësit dhe kullimit, kanë siguruar gatishmërinë e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorët, kanalet ujërave të larta. Rama tha se prej vitesh kemi proces mirëmbajte të infrastrukturës së kullimit dhe vetëm vjet janë investuar 25 mln euro.
Por realiteti në fakt dëshmon tjetër gjë! Mesa duket, si çdo herë, paratë që duheshin investuar për infrastrukturën e kullimit duket të kenë përfunduar në xhepat e drejtorëve apo oligarkëve dhe këtë e vërteton kaosi me përmbytjet e shumta dhe të përsëritura në vend.
Z/kryeministrja e pandehur Belinda Balluku, të cilën SPAK kërkon ta arrestojë, vijon të sfidojë hapur drejtësinë.
Mëngjesin e kësaj të premte, ajo është shfaqur në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave, ku krah Edi Ramës, ka raportuar mbi situatën e përmbytjeve në vend.
Ndërkohë që përmbytjet janë shtrirë nga jugu në veri, Balluku thotë se situata në rang vendi është e mirë.
“Situata me e mirë në rang vendi. Në terren më shumë se 1600 punonjës, të civilët nga 2 janari janë angazhuar në zonat më të prekura. Është menaxhuar edhe veriu. Kemi pasur disa shkëputje në Kukës dhe Librazhd, por janë kthyer në funksion në kohë rekord. Të gjitha linjat janë funksionale sa i përket transmetimit”,- është shprehur ajo.
Sa i takon gjendjes së rrugëve, Balluku thotë se akset rrugore kombëtare janë të gjitha funksionale, ndërkohë aksi Qukës-Qafë Plloçë, me një kosto prej 260 milionë eurosh është bllokuar dhe ende nuk ka një njoftim zyrtar për nisjen e qarkullimit të automjeteve.








