Në një intervistë për mediat, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Roland Bejko, deklaroi se rezultatet e sondazhit të fundit të publikuar në “Euronews”, tregojnë rënie me 23 për qind të Sali Berishës sa i takon mbështetjes te demokratët.
“Rënia e Berisha është 23.4 për qind, ndërsa Basha është 10 për qind. Jam dakord me arsyetimin e rënies. Demokratët nuk duan që PD-ja të ndahet, edhe sa më në bazë dhe në periferi të shkosh aq më e fortë është kjo dashuria për partinë. Ajo që më bën të jem opozitar me Eno Bozdon është që po diskutojmë sikur jemi në kushte normale, sikur kemi dy pretendentë për kryetarin në parti. Jemi në kushte flagrance kur Berisha është shpallur non grata nga SHBA.
Bejko solli në vëmendje mesazhin e Gabriel Escobar-it se partitë me politikanë non grata nuk do të njihen nga Uashingtoni, që sipas tij ishte një mesazh edhe për partitë aleate dhe Ilir Metën.
“Escobar e tha mbrëmë që nëse Berisha do jetë në krye të PD-së do ndërpriten marrëdhëniet. Edhe partitë e tjera me persona ‘non grata’ nuk do të njihen. Ky është një mesazh edhe për partitë e tjera, për aleatët dhe Meta që është te LSI-ja. Berishën e shoh në ditë të vështirë, mendoj që më e mira do ishte të gjendej një zgjidhje tjetër edhe PD-në të mos e kishte përçarë.
Kam frikë se kriza që ka përcjellë Berisha do t’i kushtojë shumë opozitarizmit, nuk është puna për PD-në. Nuk mund të flasim për mbështetje të njërit apo tjetrit në këto kushte. Berisha e ka filluar aksionin e vet në shtator, Basha e filloi vonë. Basha ka Kryesinë, Këshillin Kombëtar, grupin parlamentar, pjesa tjetër në kohën e duhur. Në kushtet që jemi sot do mbështes fort Basha, tani ka rastin të tregojë veten”, tha Bejko.