Elton Arbana puqet me Nuri Ballën për të shpenzuar 200 milionë lekë të bashkisë Shijak. Projekti që justifikon tenderin e urdhëruar nga kryebashkiaku Arbana ka për qëllim vendosjen e ndriçimit tek vendi i quajtur “Katër rrugët”.
Për biznesmenin Nuri Balla, kryetari Elton Arbana përmes komisionit të tenderit ka fshirë të gjithë konkurrentët. Tenderi është zhvilluar në fund vetëm me kompaninë “Ergi” në pronësi të Ballës.
“Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët” kështu e ka vlerësuar Open Data Albania këtë tender. Për këtë arsye i është dhënë një “Flamur i kuq”, shenjë treguese e riskut të korrupsionit.
Emërtimi i objektit të tenderit i është i huazuar nga projektet mbjelljes së pemëve dhe luleve: “FV Shtim i sipërfaqeve të ndriçuara në Njësitë e Bashkisë Shijak”. Në fakt bëhet fjalë për dritat që do të vendosen anës rrugës tek vendi i quajtur “Katër Rrugët”.
Fitoi oferta më e shtrenjtë
Tenderi u njoftua në Agjencinë e Prokurimeve Publike më 19 dhjetor 2024, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 6 janar 2025.
Megjithëse ishin 3 operatorë konkurrues, komisioni i nuk e çoi punën tek vlerësimi i ofertave, por ndoqi metodën e skualifikimit të pjesëmarrësve për mangësi që kishin në dokumente. Megjithëse kishte ofertë më të ulët se sa kompania e Nuri Ballës, komisioni shpalli fitues “ERGI-n” që propozonte vlerën 19 065 000,00 lekë pa TVSH.
Kështu, pas këtij procesi formal, më 6 shkurt 2025, u shpall fituesi dhe kontrata është lidhur me Nuri Ballën.
Kush është përfituesi?
Pronari i “ERGI” shpk, Nuri Balla në vitin 2017 ka qenë nën hetim prej Prokurorisë së Elbasanit. Në atë kohë akuza nisi të ashtuquajturin megaoperacion hetimor për burimin e pasurisë së 67 personave, midis të cilëve gjendeshin edhe të afërm të ish- kryebashkiakut Qazim Sejdini.
Lista voluminoze përmbante edhe emra të biznesmenëve të ndryshëm dhe të njohur si të fuqishëm në Elbasan, ku ndër ta ishte edhe Nuri Balla.
Firma e Nuri Ballës ka qenë vazhdimisht e favorizuar në tendera me “Flamur të kuq”. Po ashtu, ky sybjekt është pjesë e zinxhirit të korrupsionit me fondet e inceneratorit. Kujtojmë se, më 19 qershor 2023, shoqëria “ECO-ELB”, që ka në administrim landfillin dhe inceneratorin “Albtek Enery”, i ka dhënë firmës “ERGI Sh.p.k”, të drejtën e modifikimit, testimit dhe ndezjes së inceneratorit të Elbasanit, kundrejt vlerës 27.5 milionë lekë.
Ndërsa sipas dosjeve në Prokurorinë Elbasan dhe në SPAK, e gjithë familja “Balla” janë nën hetim për evazion fiskal.
Së fundmi, nuk jemi të habitur që Elton Arbana i ka dhënë tenderin Nuri Ballës. Kryetari i Shijakut e ka në praktikën e tij të bashkëpunojë me biznese të dyshimta dhe të japë tendera me “Flamur të kuq”. Emri i tij gjendet në dosjet e prokurorisë, megjithëse ka arritur të shpëtojë duke mos pasur fatin e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Elton Arbana është pjesë e përgjimeve në dosjen e Vangjush Dakos. Në përgjimin e publikuar nga media gjermane “Bild”, Elton Arbana flet në telefon me Astrit Avdylajn në lidhje me disa gjoba të vendosur nga INUK. Mes tyre shfaqet një miqësi shumë e ngushtë. Në përgjim shihet se si zyrtarët e PS i binden urdhrave të Astrit Abvdylajt.
“Astrit Avdylaj, kreu i klanit kriminal ‘Avdylaj’ në Shijak i telefonon kryetarit të PS për Shijakun, Elton Arbana, që është aktualisht kandidat i PS për kryebashkiak në Shijak.
Me një ton të irrituar të zërit, ai i telefonon Arbanës dhe i thotë se Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit po i vendos gjoba disa njerëzve në Sukth dhe se ai nuk po i telefonon dot Gjushit (Vangjush Dako- kryebashkiak i Durrësit) për t’i kërkuar që të ndalojë kjo, pasi kryebashkiaku i Durrësit është me Edi Ramën në Zvicër në një udhëtim.
Kur Arbana pretendon se nuk ka autoritetet për shkak se e kanë hequr nga posti në Inspektoratin e Ndërtimit, bosi i krimit, Avdylaj këkon që ai t’u telefonojë inspektorëve, të ndalojnë gjobën, të kërkojnë ndjesë, përndryshe do e bëjë vetë. Në fund, kreu i PS në Shijak pranon dhe i thotë Astrit Avdylajt se ai do i telefonojë dhe do u thotë të kujdesen për ‘problemin’,” shkruan Bild.
Më 26 mars 2024, emri i tij ishte në një raport të organizatës “Qëndresa Qytetare që u dërgua në SPAK. Elton Arbana ishte mes 22 kryetarëve të bashkive, që rezultojnë se shpërdoruan aseteve publike dhe nuk përmbushën detyrimet ligjore te parashikuara ne Kodin Zgjedhor.
Sa më shpejt të veprojë SPAK, aq më pak fonde të bashkisë do të keqpërdoren në tendera me shkelje që shkojnë në favor të biznesmenëve si Nuri Balla.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.