Disa afganëve, të strehuar përkohësisht në Kosovë, u është refuzuar hyrja në Shtetet e Bashkuara. Mësohet se ata nuk e kanë kaluar procesin e verifikimit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë një zyrtar i Departamentit amerikan i Shtetit (DASH).
“Përderisa shumicës së udhëtarëve afganë në kuadër të grupit OAW [Operacioni për mirëpritjen e aleatëve] u është lejuar hyrja në Shtetet e Bashkuara përmes procesit tonë të verifikimit, përfshirë edhe shumicën e afganëve në Kosovë, një numër i vogël i individëve të cilët nuk e kanë kaluar procesin, shërben si shembull se sistemi po punon siç duhet. Departamenti, në fund të fundit, e vlerëson me prioritet më të lartë sigurinë e popullit amerikan”, tha zyrtari i DASH-it.
Ky zyrtar nuk deshi të flasë për raste individuale apo për refuzime të reja të hyrjes në SHBA, por shtoi se për aq kohë sa sistemi i verifikimit vazhdon të funksionojë “do të ketë individë të tjerë të cilët përfundimisht nuk do të jenë në gjendje të zhvendosen në SHBA”. Duke folur lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me afganët të cilëve u është refuzuar hyrja në SHBA, zyrtari i DASH-it tha për Radion Evropa e Lirë se “ne presim që afganët në kampin Liya në Bondsteel, ose do të kalojnë procesin e verifikimit që do t’iu mundësojë udhëtimin për në SHBA brenda periudhës 365-ditore, ose do të zhvendosen në ndonjë shtet të tretë”. Ai po ashtu tha se Uashingtoni do të ndihmojë në kthimin e afganëve në Afganistan, nëse ata zgjedhin diçka të tillë.