Para më shumë se një viti një racist i bardhë vrau në El Paso, Teksas 22 vetë. Viktimat ishin shumica amerikanë me origjinë latine. Pak para veprës së tij kriminale, racisti shkroi në një manifest: “Nëse ne duam të heqim qafe sa më shumë njerëz, mundet që jeta jonë të bëhet më ekologjike.” Racisti ishte frymëzuar nga terroristi djathtist në Christchurch që vrau 52 myslimanë në xhami, që e quante veten “ekofashist”. Frika e këtyre racistëve që frymëzoi edhe aktet kriminale qëndron në kundërshtim me njohuritë shkencore lidhur me mbipopullimin dhe ndryshimin e klimës.
Sipas demografëve problemi nuk qëndron tek mbipopullimi. Pyetja që shtrohet më shumë është – nga do të vijë gjenerata tjetër e të rinjve? Lindshmëria shënon ulje, njerëzit jetojnë më gjatë dhe deri në fund të këtij shekulli, numri i njerëzve në të gjitha vendet e botës do të ulet, siç bëhet e ditur në studimin e publikuar në revistën mjekësore “The Lancet.”
Instituti për Metrikën Shëndetësore dhe Evaluimin, IHME, që e ka publikuar edhe studimin, pret që numri i popullsisë botërore në katër dekada të arrijë pikën kulmore deri në 9,7 miliardë banorë. Por deri në fund të këtij shekulli ai do të ulet në 8,8 miliardë. Brenda 80 vitesh numri i popullsisë në Spanjë dhe Japoni do të përgjysmohet. Po kështu edhe në Kinë. India dhe Nigeria do të jenë vendet me popullsinë më të madhe në bote. Vetëm në 12 vende, mes tyre Somalia dhe Sudani jugor kanë lindje të mjaftueshme për të mbajtur numrin e popullsisë në nivele stabël. E nëse plotësohen kriteret e OKB-së për arsimin universal dhe planifikimin familjar, numri i popullsisë në 80 vite do të bjerë me 1,5 miliardë vetë.
Ky ndryshim demografik e vë shoqërinë përpara sfidave: kush do të kujdeset për kontributin e pensioneve? Do të luftojnë në të ardhmen shtetet për emigrantët? Kur, (nëse) do të dalin njerëzit në pension? Kjo ngre një pyetje, që e shqetëson prej vitesh lëvizjen ambientaliste – (si justifikim edhe ekstremistët e djathtë) – A janë më pak njerëz më mirë për planetin?
Emetime të pabarabarta
Që mbipopullimi është shkak për shkatërrimin e mjedisit – është një shpjegim shumë i thjeshtëzuar dhe i rehatshëm. Sipas kësaj logjike, planetin nuk e shkatërron konsumi,, por thjesht masa e pakufishme e njerëzve. Sipas studimit të institutit IHME, një numër më i vogël njerëzish do të thotë edhe më pak emetime. Më pak njerëz do ta zbusnin edhe problemin e ushqimit në botë. Edhe rreziku për mbishfrytëzimin e kapaciteteve të planetit do të ishte më i vogël….Por problemi është, sipas studiuesve, se njerëzit nuk emetojnë njësoj gazra ndotës. “Kjo është një analizë tejet sipërfaqësore”, thotë Arvind Ravikumar, asistent-profesor në Universitetin Harrisburg të Shkencave dhe Teknologjisë.
E saktë është: Rritja e popullsisë, sipas IPCC-së, instanca e ekspertëve të OKB-së për shkencat e klimës, ka rritur edhe emetimin global të gazrave ndotës. Por më shumë efekt ka rritja e të ardhurave për kokë tek emetimet. Në vendet e pasura emetimet ndotëse janë 50 herë më të larta, se në vendet e varfra. Por pikërisht në këto vende me të ardhura të ulta dhe emetime të ulta rritet më me shpejtësi numri i popullsisë. “Nganjëherë njerëzit përdorin argumentin e popullsisë për të lehtësuar nga barra vendet e pasura”, thotë Zeke Hausfather, studiuese e klimës në “Breakthrough Institute” në Kaliforni. “Në të vërtetë janë konsumi dhe ekonomia jonë arsyer për vlera të shtuara të emetimeve.”
Në një botë me shumë njerëz që përdorin energjinë e rigjenerueshme, emetimi i CO2-it mund të jetë më i ulët, se në një botë me njerëz, që e marrin energjinë më shumë nga lëndët fosile, argumenton instituti. Vende si Kina dhe India mund të ulin emetimet e tyre me zgjerimin e përdorimit të energjisë diellore dhe të erës, megjithë rritjen e të ardhurave dhe shifra të larta të popullsisë. Por firmat e ndërtimit në Afrikë e në pjesë të Azisë kanë vështirësi të gjejnë kredi për infrastrukturë miqësore ndaj klimës. As vendet e pasura nuk e kanë bërë realitet premtimin e Marrëveshjes së Parisit: të ndihmojnë vendet e varfra në luftimin e ndryshimit të klimës me 85 miliardë euro në vit.
Historia e errët
Koncepti i mbipopullimit ka një histori të errët. Edhe nëse e pranojmë, se më shumë njerëz prodhojnë më shumë CO2, “cila është zgjidhja?” pyet studiuesi Ravikumar. “A është zgjidhja të reduktojmë popullsinë e botës me dhunë? Ja po themi po, cila popullsi duhet reduktuar atëherë?” Si terroristi në El Paso dhe Christchurch, shumë qeveri në të shkuarën i kanë shkelur me këmbë të drejtat e grupeve të margjinalizuara. Vende si SHBA apo Kanadaja i sterilizuan me dhunë gratë indigjene në shekullin e 20-të. Australia ka bërë të njëjtën gjë me njerëzit paraplegjikë. India sterilizoi në vitin 1976, 6,2 milonë burra që vinin kryesisht nga shtresa të varfra. Ky vend u nxit nga kredidhënës të huaj që të mbante nën kontroll numrin e popullsisë. Në fund të viteve 70-të, Kina e kufizoi rritjen e popullsisë me gjoba, sterilizim dhe detyrim për abort në kuadër të politikës “1 fëmijë”. Sipas një publikimi të Associated Press të muajit të kaluar, kjo praktikë përdoret ende sot për gratë uigure.
Modele të ndryshme popullsie
E parë globalisht sot gratë lindin më pak fëmijë, sepse vajzat arsimohen më shumë dhe më shumë njerëz kanë qasje tek kontraceptivët. Të dyja janë objektiv i të drejtave njerëzore dhe qëndrojnë para çështjeve mjedisore- Por ka mendime të ndryshme në lidhje me llogaritjen e përqindjes së lindjeve në shkallë globale. Demografët nuk janë të një mendimi, se në ç’masë dhe sa shpejt do të ulet përqindja e lindshmërisë globalisht. IHME bën një prognozë, sipas së cilës, ulja do të fillojë nga viti 2064. OKB thotë përkundër kësaj, se popullsia do të vazhdojë të rritet në këtë shekull. Dallimi mes modeleve të ndryshme është me 2 miliardë banorë. Të dyja grupet e studiuesve, marrin parasysh, se mund të ketë edhe një zhvillim të kundërt, sepse prognozat janë të pasigurta.
Një arsye për këtë ndarje: OKB ndryshe nga IHME parashikon rritje të numrit të popullsisë, kur vendet bëhen më të pasura. Sondazhet tregojnë, se gratë në Europë dhe Amerikën Veriore lindin më pak fëmijë, se dëshirojnë. Arsyeja: ka disa pengesa. Kopshte të shtrenjtë, presioni në vendin e punës, apo fakti që burrat bëjnë shumë më pak punë shtëpie. Që nga koha kur Gjermania dhe Suedia i kanë hequr disa nga këto pengesa rritet edhe numri i lindjeve. “Prognozat e OKB-së përhapin optimizmin, se progresi njerëzor do të vazhdojë gjithmonë”, thotë Sara Hertog, demografe në OKB. Ajo thekson, se rritja apo ulja e numrit të lindjeve, në thelb nuk janë as lajme të mira e as të këqija. “Unë shpresoj që niveli i lindshmërisë të reflektojë numrin e atyre fëmijëve, që njerëzit dëshirojnë t’i kenë”, thotë ajo.DW