Nëse do hyni për një vëzhgim të thjeshtë në faqen e Fondit Shqiptarë të Zhvillimit do të vini menjëherë re numrin e lartë të kontratave të firmosura muajt e fundit dhe të tjera që presin radhën. Do të shpenzohen miliarda lekë para zgjedhjeve për asfalt dhe fasada, Janë tendera që mbushin arkën e biznesmenëve të afërt me qeverinë, por nuk sjellin ndryshim në jetën e njerëzve.
Në axhendën e drejtorit Dritan Agolli ka hyrë së fundmi një rrugë në Divjakë dhe një tjetër të planifikuar prej dy vitesh në Përmet.
Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Përmirësimi i transportit lokal dhe urban me ndërhyrje në rrugë dhe trotuare: Lot 4- ” Rikualifikimi i rrugës Gur – Remas” Bashkia Divjakë” dhe “Rikonstruksioni i segmentit Permet-Leuse”.
Pra, rrugët janë shumë larg njëra tjetrës dhe nuk është praktike që t’i jepen një kompanie në paketë.
Për këtë tender janë vënë në dispozicion 2 milionë euro, edhe pse duket sikur vetëm për rrugën e Divjakës do zhvillohen punime, sepse për segmentin tjetër nuk ka detaje ku duhet të investohet dhe si do ndërhyhet, përveç një raporti gjeologjik.
Procedura u shpall e hapur më datë 6 nëntor 2024 dhe është mbyllur më datë 21 nëntor, periudhë gjatë të cilës shfaqën interes 15 kompani.
Por në mes tyre është shquar kompania 2T shpk e Artan Sakos dhe Dritan Troksit. Kjo duket si “dhuratë” pasi bëhet fjalë për një rrugë që ka nevojë vetëm për një shtresë asfalti.
Detaje nga projekti
Rruga Gur – Remas, ka një gjatësi rreth 3.2 km dhe siç duket nga foto është e shtruar me asfalt, por duke qenë se nuk është mirëmbajtur, është amortizuar në të gjithë gjatësinë e saj. Dhe sipas dokumenteve do të bëhej pastrimi i anësorëve nga barërat, gërryerje e asfaltit aktual dhe shtrimi me çakëll dhe 4 cm asfalt të ri.
Ndërkohë rruga Permet-Leuse është premtuar që në vitin 2022. Shohim se përmes faqes zyrtare në rrjetin social Fascebook, bashkia i thur lavde vetes dhe ministres Mirela Kumbaro që ky fshat turistik më në fund do të bëhej me rrugë.
“Më në fund një rrugë e denjë për fshatin Leusë! Rruga e shkelur më së shumti nga vizitorët, rruga e ëndërruar nga banorët, përmetarët dhe jo vetëm, rruga më e madhe për investim, është ajo që lidh qytetin me fshatin Leusë. Më në fund, destinacioni më atraktiv i zonës së Përmetit do të ketë një rrugë të denjë.
Projekti i aplikuar nga Bashkia Përmet për financimin e tij edhe të deputetes znj. Mirela Kumbaro, aprovohet dhe shumë shpejt nis puna për “Rikonstruksionin e rrugës së fshatit Leusë” mefonde nga Buxheti Shtetit”, thuhet në gusht të vitit 2022.
Por jemi në janar të vitit 2025, pra kanë kaluar më shumë se 2 vite dhe tani do të bëhet ndërhyrje në këtë rrugë.
Ndërkaq ende nuk dihet se kur do të jetë gati kjo rrugë, pasi në dokumentet e tenderit nuk përshkruhen detaje aq specifike për punimet sikurse për rrugën në Divjakë.
Ndërkaq, duke parë situatën, edhe pse për herë të parë Agolli ka mbyllur një prokurim pa ankesa, nuk është çudi që djalli të fshihet tek përllogaritja e fondit limit.
Biznesmeni Sako njihet si një biznesmen që ka përfituar shpesh nga qeveria, sepse është vëllai i ish-komandantit të Gardës së Republikës, Gramos Sako. Ky i fundit duket se i ka mbajtur rrënjët mirë në pushtet dhe po i përdor akoma.
Prandaj, do të ndjekim me kujdes raportimet e ardhshme nëse do të ketë ankesa në KPP, auditimi i KLSH-së dhe mbi të gjitha dëshmitë e banorëve të zonës për punimet që do të zbatohen.
Kujtojmë se në 12 nëntor 2024, Dritan Agolli, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ishte në SPAK. Bëhet fjalë për një tender me vlerë 500 mijë Dollarë të FSHZH-s për një menu të projektit “100 fshatrat”.
Tenderi u fitua nga dy shefa kuzhine, një nga të cilët ishte i punësuar në një restorant në pronësi të djalit të Agollit.
Po ashtu, Dritan Agolli është pronar i një kompanie e quajtur ‘Magnum Opus’ group me objekt studime në nivel strategjik, menaxherial, operacional, analiza, vrojtime, sondazhe, konsulencë, shërbime administrative etj.
Kompania rezulton që ka marrë para publike. Agolli ka siguruar para publike përmes nënkontraktimeve dhe kompaninë që u ka dhënë tendera publik.
Një vit pasi Agolli është emëruar në krye të FSHZH, i biri i tij deklaron se gjyshi i ka dhuruar një shtëpi me sipërfaqe gati 1550 metra/katror, ndërsa Agolli ka deklaruar në institucionin kundër pastrimit të parave se ka shitur një apartament 360 mijë euro, ndërkohë që vlera e tij ka qenë gjysmë për gjysmë në kohën e blerjes.
Me këtë lëvizje ka justifikuar blerjet e apartamenteve dhe garazheve ku ai jeton dhe i ka pronë të tij. Bëhet fjalë edhe për një shumë që do t’ia kalonte biznesit të djalit të tij, 400 mijë euro. Sipas një reagimi nga Agolli kjo procedurë është pezulluar dhe kjo ka mbetur në tentativë.
Gjithashtu, kanë dalë dokumente ku nga një subjekt me emrin ‘Fusha’, Agolli ka marrë një tokë fare pranë qendrës tregtare TEG.
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.