Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e avokatëve të Arben Ahmetajt për të dëshmuar në seancë me audio ose videokonferencë.
Kërkesë e bërë për shkak se ish-zëvendëskryeminsitri nuk ndodhet dhe nuk mund të paraqitet fizikisht në Shqipëri.
Gjatë seancës së parë, përfaqësuesit e Prokurorisë së Posaçme paraqitën edhe listën e dëshmitarëve që pritet të thirren në këtë proces.
Sipas burimeve nga salla e gjyqit, dëshmitari i parë që do të dëgjohet është Lirim Fejzollari.
Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar të mbahet më 24 shkurt, në orën 14:00, kur pritet të vijojë administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve.
Dosja “Buka”
Hetimet lidhen me një transfertë prej 3 milionë eurosh nga Shqipëria drejt Austrisë. Këto para dyshohet se janë përfituar nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, pas privatizimit të ndërmarrjes shtetërore “Buka” në vitin 2014.
Privatizimi i kësaj shoqërie, sipas SPAK, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 7 miliardë lekësh. Transferta është kryer nga biznesmeni Lirim Fejzullai, i cili ka qenë i përfshirë në procesin e privatizimit .
Ahmetaj akuzohet për shpërdorim detyre, duke favorizuar privatizimin e shoqërisë “Buka sha” nga biznesmeni Lirim Fezollari. Pas privatizimit, në pronën e shoqërisë është ndërtuar kompleksi “Emerald” në zonën e Medresesë në Tiranë.
Familja Myderizi, e cila kishte interesa në këtë shoqëri, ka ngritur padi ndaj Ahmetajt duke e akuzuar se u ka shkaktuar dëm financiar. Gjykatat kanë pranuar kërkesat e familjes, duke konfirmuar se dëmi i shkaktuar arrin në 7 miliardë lekë .










