SPAK intensifikon hetimet për dosjen Balluku, zëvendëskryeministren e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë, në hetim për 7 lote të Unazës së Madhe dhe e dyshuar për 3 tenderë të tjerë.
Gjatë kësaj të premteje, me vendim të GJKKO-së, janë bërë rreth 35 kontrolle, objekt i të cilave kanë qenë kompanitë e biznesmenëve të cilët kanë fituar tenderë të rrugëve me vlerë miliona euro, që SPAK po i heton, si dhe zyrtarë të institucioneve në varësi të ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës që drejton Belinda Balluku.
Ende nuk dihen emrat e të gjithë personave, zyrtarë apo biznesmenë, të cilëve u janë bërë kontrolle në subjektet e tyre apo në banesa.
Kontrollet janë shtrirë te kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj fitues i tenderit për rrugën Thumanë–Kashar. Sipas dosjes hetimore, falë angazhimit direkt të zëvendëskryeministres Belinda Balluku koncensioni i pezulluar nga qeveria për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar, iu rikthye kompanisë Gener 2 për më shumë se 245 milionë euro, si një “nder jete”, siç dilte në përgjimet e ministres me vartësin e saj, kreun e ARRSH në atë kohë, Evis Berberi.
Kontrolle janë bërë edhe ndaj biznesmenit Ilir Shtufit është pronar i “Nova Construction – 2012” shpk, një prej 3 operatorëve që fitoi tenderin e Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, edhe kjo procedurë sot në hetim nga SPAK.
Ndër personat ndaj të cilëve janë ushtruar kontrolle janë edhe dy ish-vartës të Belinda Ballukut, aktualisht në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ish-kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli dhe ish-kreu i KESH Erald Elezi. Mësohet se gjatë kontrolleve në banesat e dy ish-zyrtarëve të shkarkuar pak ditë më parë nga postet që mbanin, agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefona celularë dhe dokumentacione, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit nga organet e drejtësisë.
Në vijim të hetimeve për dosjen Balluku dhe disa bashkëpunëtorëve të saj, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll edhe në banesën e Viola Haxhiademit, drejtoreshës së KESH-it, që deri dy ditë më parë mbante postin e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Infrastrukturës.
Pjesë e kontrolleve të SPAK ka qenë edhe drejtoresha e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Sindi Dushku si dhe banesat e Sajmir Kuçit, Marsel Hoxhës dhe Jonida Çeços.
Kontrollet janë miratuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake Erion Çela, i njëjti që caktoi masën e pezullimit nga detyra të ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku. Kontrollet janë bërë që në orët e para të mëngjesit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, mbështetur dhe nga forcat e Policisë së Shtetit
SPAK po vijon të kërkojë prova të tjerë për në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Ballukut dhe vartësve te saj, ndërsa ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit për të shkuar në një masë arresti ndaj saj.
gijotina.com/









