Pemët e Erion Veliajt nuk janë vetëm për propagandë, por edhe për të përvetësuar fondet publike. Aferën po e përpunon me kryetaren e Drejtorisë së Përgjithshme të Pastrimit dhe Gjelbërimit, Arlinda Binjaku. Pasi ngriti 8 kullat në zemër të Tiranës, tani që po afron gara për kryetar, kërkon të na zërë sytë me mbjelljen e ca pemëve. Kështu, Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit e Bashkisë Tiranë ka mbyllur një tender me objekt “Blerje pemësh dekorative për Pyllin Orbital dhe zona të ndryshme të Tiranës”.
Janë shumë lekë në lojë! Kryebashkiaku ka planifikuar të shpenzojë 3 mld lekë të vjetra. Në fakt, po të marrësh në analizë të gjithë procesin nuk dihet, nëse këto para do të shkojnë për pemë. Kujtojmë këtu që, Pylli Orbital është tashmë një plan i dështuar dhe propagandë e nisur qysh para 6 vjetësh. Gjithsesi detajet e më poshtme do të tregojnë se ky prokurim fsheh një skemë korruptive të kryebashkiakut.
Denoncimi i tenderit të “Pyllit Orbital”
Ky ty tender është denoncuar me datë 24 nëntor 2022 nga firma “A l b G a r d e n”. Në ankesën dërguar pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike, firma tregon se Drejtoria e Pastrimit po abuzon me kriteret. Pra, duket se kemi të bëjmë me fitues të paracaktuar.
Konkretisht, “A l b G a r d e n” shprehet se ky tender duhej ndarë në dy lote. Pasi kemi të bëjmë me dy kërkesa të ndryshme, blerje dhe punë publike. Konkretisht, tenderi ka brenda blerje pemësh dhe punime ndërtimore për mbjelljen dhe dekorimin e tyre. Ankimuesi thotë se duhej të ishte njeri lot për blerje mallrash dhe loti tjetër për blerje shërbime punimesh. Binjaku dhe Veliaj i kanë vendosur në një kërkesë, në mënyrë që fituesi t’i marrë të gjitha paratë dhe dy shërbimet të mbulohen me këtë fond.
“Referuar kuadrit ligjor të përcaktuar në Ligjin dhe Rregullat e Prokurimit Publik rezulton qartazi se ato janë kontrata të ndryshme prokurimi. Konkretisht: Blerja e pemëve dekorative është kontratë për furnizim mallra. Dhe realizimi i punimeve të ndërtimit është kontratë prokurimi për punë. Në fakt edhe pse kjo procedurë është mbi kufirin e lartë monetar, ky fakt nuk përbën justifikimin që të mos ndahet në lote. Për më tepër nisur edhe nga fakti se me anë të kësaj procedure autoriteti kontraktor kërkon të përfitojë dy shërbime të ndryshme”, thuhet në ankesë.
Blerje mallrash të panevojshme
Ndër të tjera denoncuesi shprehet se në këtë tender, Autoriteti Kontraktues ka vendosur si kriter posedimin e disa pajisjeve që nuk janë të nevojshme. Dhe veç kësaj për secilin janë përcaktuar parametra burokratikë që cungojnë konkurrencën e lirë. Edhe në këtë pikë, denoncuesi shprehet se Drejtoria e Pastrimit ka vendosur kritere të hartuara posaçërisht për një kompani të paracaktuar. Si dhe kërkon të blejë mjete që në fakt ky institucion i ka gjithë kohës në dispozicion.
“Nga verifikimi i kritereve të mësipërme, rezulton e qartë se këto kërkesa janë vendosura me paramendim nga AK. Pasi shumica e mjeteve dhe makinerive të kërkuara nuk kanë lidhje me natyrën dhe objektin e prokurimit: Blerje Pemë dekorative. Gjithashtu, nisur nga bashkëpunimi i mëparshëm me Autoritetin Kontraktor, na rezulton se i ka në pronësi këto mjete”, thekson ankimuesi.
Ndërsa, më tutje në denoncim thekson se, edhe kërkesa për inxhinierët, teknikët, mekanikët, hidraulikët, elektricistët kanë lidhje me një kontratë pune publike dhe jo me një kontratë furnizimi malli.
”Pylli Orbital”, propaganda që dështoi
Një ditë më parë Gijotina.com ka publikuar një dokument të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Raporti tregon hapur se “Pylli Orbital” është vetë një skemë propagande e dështuar. KLSH shprehet se, projekti i “Pyllit Orbital” për mbjelljen e pemëve i iniciuar nga Bashkia e Tiranës ka dështuar për shkak të mungesës financiare dhe mungesës së hapësirave të nevojshme për mbjellje pemësh. Më tej thotë se institucioni që drejtohet nga Erion Veliaj duhet shtojë hapësirat e gjelbra në territorin që administron.
Raportit thekson se objektivat e tjera të parashikuara që lidhen me shtimin e hapësirave të gjelbra, nuk u përgjigjen ritmeve të rritjes së urbanizimit. Kjo edhe për vetë faktin se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit në vitet e fundit është rritur disa herë.
Por edhe pse ekspertët kanë konstatuar se në kryeqytet nuk ka më hapësira për të mbjellë pemë.
Dhe kur jemi në prag të zgjedhjeve vendore, bashkia ka hapur së fundmi 3 tenderë për blerje pemësh me vlerë totale 528 milionë lekë, ose rreth 4.5 milionë euro.
Këtu veçojmë tenderin e parë që është shpallur në datën 15 nëntor. Ku parashikohet të shpenzohen 2.6 milionë euro për të blerë pemë dekorative për zona të ndryshme të Tiranës dhe Pyllin Orbital që tashmë për KLSH është projekt i paarritshëm. Ndërsa sot Veliaj po shpenzon edhe 3 miliardë lekë të tjera për pemë.
Shpresojmë që KPP do të analizojë me kujdes të gjitha këto shkelje. Dhe të ndërhyjë për të shpëtuar 3 miliardë lekë nga buxheti i shtetit./ Esmeralda Hida/
Lexo edhe: Veliaj, tender për “Agallarët”/ 1.7 mld lekë asfalti i rrugicës
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.